– Ngadalë e normalizojmë punën e kompanive transportuese të cilat bëjnë transportin e mallrave në kushte të tilla. Pa ndërprerë zhvillohet procesi i dhënies së licencave dhe lejeve. Në sektorin e ndërtimtarisë realisht tani për tani nuk ka ngecje të madhe, por reale është të pritet, vlerësoi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski.
Ai ka potencuar se kanë arritur t’i kthejnë shoferët e ngujuar nga rajonet e krizave, çdo ditë marrin edhe informata të reja për qytetarët tanë të bllokuar në ndonjë kufi, por gjatë tërë kohës janë në komunikim me ambasadat tona në ato shtete dhe përpiqen në kohën më të shkurtër t’i sjellin në vend.
Sugareski paralajmëroi se prej nesër çdo transportues që do të bëjë transport jashtë kufijve të shtetit do të duhet të marrë leje nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Që të mos ketë ngecje transportuesit duhet t’i nxjerrin lejet përmes vërtetimeve nga asociacionet e transportuesve. Në lidhje me lejet për hyrje dhe dalje nga shteti, sqaroi ministri kompetent , janë definuar rregullat dhe është bërë harmonizim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Drejtorinë Doganore.
“Secila kompani duhet të posedojë leje për hyrje dhe dalje nga territori i RMV-së e cila ka të bëjë me shoferët profesionistë të automjeteve transportuese të cilat hyjnë në territorin e RMV-së dhe të cilat janë bashkangjitur ndaj regjimit të veçantë protokollar dhe shëndetësor për hyrje në shtet i cili është sjellur nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Sepse këto ditë kishte shumë kërkesa për leje, institucionet shëndetësore në pamundësi të gjitha t’i përgatisin në kohë, u harmonizuam dalja nga shteti të bëhet vetëm në bazë të të dhënave që i posedon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe me certifikatë valide. Por, procedura e tillë do të vlejë deri nesër dhe çdo transportues që do të bëjë transport jashtë kufijve të shtetit do të duhet ta nxjerrë këtë leje nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor”, tha Sugareski në konferencën për shtyp.