Struga dhe Pogradeci me promovim të përbashkët me ndihmën e BE-së

Promovimi i Strugës dhe Pogradecit është qëllimi kryesor i projektit “Struga dhe Pogradeci për promovimin e turizmit dhe resurseve natyrore – CoolTour”, i zbatuar nga dy qytetet kufitare, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit IPA II për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të realizimit të projektit, i cili filloi më 1 janar të këtij viti, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko me ekipin e tij sot u takua me partnerët e projektit IPA-CBC, dhe përfaqësues të Komunës Pogradec.

Projekti, siç informoi shefi i sektorit për projekte evropiane në Komunën e Strugës, Albrim Pollozhani, është i ndarë në disa komponentë, duke përfshirë infrastrukturën, promovimin turistik, gastronominë dhe hotelierinë.

StrugaLajm

“Qëllimi i projektit është promovimi i përbashkët i dy qyteteve kufitare me bukuritë e tyre natyrore, ushqimi, vlerat historike, në një ofertë turistike, si dhe përmirësimi i infrastrukturës turistike. Në Strugë është paraparë ndërtimi i shtegut për biçikleta dhe këmbësorë nga hoteli “Euro” deri te lumi Sateska, brendimi i produktit të Strugës, reklamimi i përbashkët në panaire ndërkombëtare, pastrimi i deponive ilegale rreth liqenit të Ohrit, ndërtimi i dy zyrave turistike, si dhe trajnimin e punëtorëve turistikë”, shpjegoi Pollozhani.

Sipas tij, në Pogradec është planifikuar rikonstruksioni i Kalesë dhe brendimi i produktit të tyre, si dhe promovimi i përbashkët i dy qyteteve.

In : Aktuale

Loading...
loading...