Qeveria Zaev fitoi votëbesimin në Kuvend me 62 vota

Kuvendi këtë pasdite votoi në favor të Qeverisë, pasi kryeministri Zoran Zaev kërkoi votëbesimin nga deputetët. 62 deputetë votuan në favor të qeverisë dhe askush nga të pranishmit nuk ishte kundër. Por në seancë munguan deputetët e opozitës, pasi që paraprakisht lëshuan sallën e Kuvendit, përcjell INA.

Votëbesimin e kërkoi vetë kryeministri Zoran Zaev, pas akuzave të shumta nga opozita se Qeveria nuk ka shumicën e mjaftueshme në Kuvend. “Ky është një moment që qytetarët ta shohin të vërtetën-nëse kemi qeveri dhe shumicë stabile, apo opozitë manipuluese”, tha Zaev në fjalimin e tij duke kërkuar nga deputetët t’i japin votëbesim qeverisë. Ai kritikoi opozitën për bllokime dhe obstruksione në shtet dhe për plasimin e gënjeshtrave për interesa të ngushta partiake dhe për të krijuar pasiguri tek qytetarët. “Nuk do të lejojmë pasiguri, paqartësi, stërkëmbëza, bllokime dhe obstruksione”, theksoi Zaev.

Sipas Rregullores së Punës së Parlamentit, në rast se çështja e besimit te Qeverisë ngrihet nga vetë kryeministri, atëherë deputetët votojnë në të njëjtën seancë, pa debat. Votëbesimi i tillë i iniciuar nga kryeministri po ndodhë për herë të parë në në historinë parlamentare të vendit. Qeveria pasi që siguroi besimin, çështje për mocion të ri votëbesimi nuk mund të ngritet pa kaluar 90 ditë nga dita e sotme, por vetëm në raste nëse çështjen e votëbesimit e dorëzojnë shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...