Ra ky referendum për të rënë ne – Bekim Qoku

  1. Kontesti Greko-sllavomaqedonas për çështjen e emrit Maqedoni, çështë e drejta, shqiptarëve nuk u bënte aspak dëm, përkundrazi, ky konflikt i favorizonte ata, edhe gjeostrategjikisht – tashmë një term që po stërpërdoret gjithmonë e më shumë dhe nga gjithkush duke u bajatosur tërësisht. Nëse shikojmë raportet miqësore në rajon, vëmë re se grekët marrëdhënie më të mira e më të shëndosha kanë me serbët. Në anën tjetër, ndonëse partia protofashiste e Gruevskit ruante dhe kultivonte një lidhje thuajse vëllazërore me qeveritë serbe, këta të fundit përpara “vëllait të vogël” e shikonin interesin e tyre, lidhjen miqësore me grekun. Do të thotë që ata në kontekstin Greqi-IRJM mbanin gjithmonë krahun e grekut të fortë. Po edhe Rusia politikën e saj në Ballkan e manifeston duke kaluar kryesisht nëpër Beograd. Me një fjalë, aleanca e vërtetë ortodokse është Rusi-Serbi-Greqi. Konflikti i IRJM-së me Greqinë pra u jepte, ose më mirë duhet t’u jepte shqiptarëve një përparësi për t’i avancuar synimet e tyre duke e parë që ky shteti sllavomaqedonas, përveçse i dobët si shtet e si komb, nuk kishte shpinën e fortë nga aleatë të fuqishëm.
  2. Të hymë në NATO që të shpëtojmë nga Rusia apo të hyjmë në NATO që të shpëtojmë nga Austria? (Austria nuk është anëtare e NATOs).

Për të përforcuar që kërcënimi i Rusisë është më shumë një frikësim irreal sesa realitet për sa i përket rolit të saj në Ballkan e veçanërisht në IRJM, mund të përmendim edhe disa fakte të tjera që dihen botërisht por që u hidhet hi ngaqë nuk shkojnë në favor të argumentit. Gruevski dhe familja e tij, sidomos kushëriri famëkeq Mijallkov, paratë i ka nëpër banka evropiane dhe bizneset po ashtu nëpër kryeqendra evropiane. Partinë e Gruevskit në pushtet shumë më shumë se nga Rusia mbështetje politike i kanë dhënë shtetet e BE-së dhe NATO-s sikurse Austria dhe Hungaria. Kryeministri aktual i Austrisë ndihmoi Gruevskin madje edhe me praninë e tij në një nga mitingjet partiake. Një ministre e kabinetit qeveritar të Austrisë u pa në vallëzim me Putinin në dasmën e saj. Gruevskin ende nuk e kam parë të vallëzojë me Putinin.

Nјë analizë që e lexova për fuqinë ushtarake të Rusisë thotë që në dy ndërhyrjet e fundit ushtarake të Rusisë, ajo u dëshmua si tejet e dobët ushtarakisht. Duke e gjetur veten në këtë gjendje, ajo pushtetin ekspansionist dhe hegjemon përpiqet ta ushtrojë në forma të tjera, kryesisht tinëzare. Analiza vazhdon duke shpjeguar strategjinë e re ruse, duke përshkruar rolin e ri të shërbimeve sekrete ruse në krijimin e agjencive për shpikje dhe krijime të lajmeve të rreme (Fake News), përpjekjen për të ndihmuar forca radikale për të minuar demokracitë liberale, duke helmuar tinzarisht figura politike e kështu me radhë. Nëse Rusia është kërcënim për Maqedoninë si një shtet i vogël e i brishtë, mos harrojmë se ndërhyrja e Rusisë ishte evidente edhe në shtetin më fuqishëm në botë SHBA (edhe pse SHBA është në NATO). Atje ende ka procese gjyqësore, hetime FBI për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e fundit kur fitoi Trump. Rusia pati ndërhyrje edhe në Hollandë e Francë e Gjermani me Fake News dhe forma të tjera për t’u dhënë një dorë forcave antievropiane të Evropës. Me një fjalë kërcënimi rus, nuk është më i madh tash seç do jetë pasi të kemi hyrë në NATO. Rusia është thjesht gogoli, armiku imagjinar, perceptimi i rrezikut të sajuar.

  1. Vërshimi i vizitave të figurave të larta diplomatike në IRJM si argument që shqiptarët të përkrahin referendumin.

Fuqitë e mëdha, si puna e organizmave ose shteteve të fuqishme, ndjehen të thirrura dhe priren që të zgjidhin apo lehtësojnë zgjidhjen e çfarëdo kontesti mes dy shtetesh, sidomos kur kjo zgjidhje shkon në dobi të tyre. Një zgjidhja që arrihet si rezultat i dakordimit të brendshëm të të dy shteteve është natyrisht më e mirëseardhur. Nëse palestinezët vet, do binin dakord që të zgjidhnin njëherë e përgjithmonë problemin me Izraelin, bashkësia ndërkombëtare nuk do shqetësohej fare, por bash hiç, që me këtë zgjidhje do nëpërkëmbeshin të drejtat historike të popullit palestinez. Do të ngrihej e tërë bota në këmbë për të ndihmuar dhe përkrahur këtë zgjidhje problemi, e nisur pikë së pari nga qeveria legjitime palestineze dhe nga të dyja palët bashkërisht. Me një fjalë, bashkësisë ndërkombëtare i intereson paqtimi i një zone, pa iu bërë vonë për humbjet që pëson më i dobëtit. Janë pranuar qindra marrëveshje, ku nuk është marrë parasysh interesi i popullit të njërës palë, sidomos asaj të dobtës, për hir të zgjidhjes së problemit më të madh. Pra ardhja e shumë zyrtarëve, nuk është ndonjë tregues që shkon në favor të shqiptarëve. Dhe pse të jetë ashtu tekefundit. Shqiptarët i kanë dy shtete, tani ta mbyllin gojën e të kërrusin kurrizin.

Po pse lypset gjithë ky mund për t’i bindur sllavomaqedonasit të votojnë një Marrëveshje kaq të favorshme për ta? Pse shtiren ata sikur kjo marrëveshje qenka në dëm të identitetit të tyre, kur e dinë mirë se nuk kanë një identitet të qartë? Kjo u pa kur ata qenë të gatshëm ta ndryshojnë atë nga sllavomaqedonas në maqedonas antikë. Përderisa ata shtetin e duan pa shqiptarë, prandaj i bëjnë këto naze e gjoja kundërshtime, shqiptarët nga ana tjetër, për mos i zemëruar edhe më shumë këta shovinistë, kanë rënë dakord që këtë shtet ta ruajnë kështu siç ka qenë deri tani, ku ata do vazhdojnë të llogariten qytetarë të dorës së dytë. Këtë trimërim ndaj shqiptarëve ua ka mundësuar politika e partive vasale shqiptare e pas vitit 2002. Ata e kanë shitur veten dhe popullin e tyre aq lirë, saqë edhe ky popull kaq hibrid po nënçmon dhe i turpëron pa fund.

  1. Nëse shqiptarët, sipas marrëveshjes me Greqinë janë inekzistent, si ka mundësi që diçka që nuk ekziston të votojë e të shpëtojë diçka apo më konkretisht Marrëveshjen në fjalë?

Ali Ahmeti dhe partia e tij, në shumë raste, kritikës se pse shqiptarët nuk figurojnë dhe nuk u përfillën fare në Marrëveshjen e Prespës, i është përgjigjur krenarisht se shqiptarëve nuk u është prekur kurrë identiteti dhe prandaj nuk ka pas asnjë arsye që shqiptarët të përmenden në atë marrëveshje. Me këtë arsyetim, as kinezëve që jetojnë në Maqedoni nuk u është kontestuar identiteti, prandaj dhe s’ka pse të jenë subjekt negociimi. Në fakt, problemi kryesor dhe burim i problemeve tjera është pikërisht se shqiptarët në këtë shtet nuk kanë asnjë identitet konstitucional, andaj dhe nuk u preket. Ata në kushtetutën e këtij shteti janë shifra, janë sasi, jo cilësi identitare. Por kjo pikë e rëndësishme e historisë do mund të ishte një rast shumë i mirë që ky identitet më në fund të afirmohej dhe të bëhej pjesë e negociatave për ndryshime kushtetuese.StrugaLajm

Sidoqoftë, nëse shqiptarët s’do të përfitojnë as me ndryshimet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja, pse bëhet i gjithë ky angazhim i palës shqiptare për të ndihmuar shtetin që nuk i njeh dhe historikisht i ka trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Të jemi të sinqertë, populli sllavomaqedonas ka pas gjithmonë qëndrime armike karshi shqiptarëve. Ai konsiderohet popull armik. Kështu është trajtuar deri në vitin 2001. Nuk ka ndryshuar shumë qasja e atij populli me shqiptarët. Pas 2002 kemi plot raste që e dëshmojnë këtë: me Sopotin, Monstrën, Kumanovën, vrasje të shumta, dhunime, burgosje, montime, etj. Referendumi i vitit 1991 për pavarësi nga shqiptarët u bojkotua atëbotë pikërisht ngaqë interesat e shqiptarëve nuk u morën parasysh dhe nuk u pasqyruan në Kushtetutën e shtetit. Sali Berisha ende kritikohet se u ngut në njohjen e shtetit të ri pa i vënë asnjë kusht në raport me të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Historia po përsëritet, kur tani, duke e avancuar dhe përforcuar sovranitetin e shtetit që nis nga 1991, sërish shqiptarët luajnë një rol tejet konstruktiv duke mos vënë asnjë kusht për të drejtat e tyre. Shqiptarët numrat i kanë referendum, jo në parlament. Nëse nuk e detyrojnë palën sllave tani, për referendumin, në ndryshimet kushtetuese nuk kanë asnjë mundësi demokratike.

  1. NATO po, por me shqiptarët në Maqedoni, jo me shqiptarët Nën Maqedoni.

NATO natyrisht që ka interesin e vet si aleancë. Në këtë interes bën pjesë padyshim populli shqiptar. Si rezultat i një qasjeje pa ekuivok pro kësaj Aleance, nuk kishte thuajse fare debat gjatë aderimit të Republikës së Shqipërisë. As që do të ndodhë kur radhën do ketë Kosova (nëse paraprakisht nuk do jetë bashkuar me Shqipërinë). Por nëse hyn Maqedonia e Veriut, për NATON hyn një komb tjetër, se shqiptarët i ka veçse me vete. Kjo nuk kontestohet fare. Megjithatë shtrohet pyetja, si ka mundësi që shqiptarët janë kaq homogjen si kurrë më parë dhe u konvergjojnë me kaq përpikmëri qëndrimet politike?! As në lidhje me idenë e bashkimit kombëtar nuk janë kaq unik. Si mund të shpjegohet kjo mrekulli? Si ka mundësi që një popull me vetëdije kaq të ulët politike, me një varfëri të skajshme mendimi, i cili sipas të gjithë parametrave statistikorë, llogaritet si më i mjeri i kontinentit, si në ekonomi, arsim, art, kulturë, sport etj. të ketë një qëndrim kaq homogjen rreth një çështjeje çfarëdo?StrugaLajm

Nëse NATO është një monedhë e vlefshme, pse shqiptarët me kaq këmbëngulje, që të gjithë, i madh e i vogël, duan t’ia japin atë sllavomaqedonasve? Pse duan ta shtinë shtetin me qëndrime armike kundrejt vetes në këtë aleancë, ku asaj i forcohet më tej shtetësia?

Ali Ahmeti në një intervistë tani së fundmi, tha se ai pasi la armët nga konflikti i vitit 2001 dhe sapo hyri në politikë, kuptoi se bashkimi kombëtar nuk bëhet. Prandaj tani ka ardhur koha për një projekt tjetër, që është shqiptarët të treten në kombin e ri në formim e sipër të quajtur maqedonas veriorë. Edhe Bujar Osmani, por në këtë fushatë parareferendumi, dëgjova edhe Bilall Kasamin të deklarojnë, se ka ardhur koha që përpara interesave kombëtare shqiptare t’i vëmë ato shtetërore (sllavomaqedonase). Ata thonë se tani është koha kur ne do ndërtojmë një identitet të ri nacional-shtetëror ku do quhemi të gjithë Veriomaqedonas. Por një identitet i ri në një shtet me rend kushtetues unitar, triumfon identiteti i superiorit, i më të fortit, i atij që mbisundon. Për t’i dhënë një shpjegim këtij disfatizmi kombëtar, për të arsyetuar mbivendosjen e shtetit sllav mbi interesin shqiptar, do i referohem një shkrimi të filozofit shqiptar Hysamedin Feraj, ku ai flet për frikën dhe dinakërinë e shqiptarit. Sipas Feraj, që të bëhet e mundshme realizimi i një programi kombëtar ose një qëllimi madhor i përgjithshëm, një popull duhet të angazhohet maksimalisht madje deri në vetëmohim apo vetësakrifikim. Siç kanë bërë të gjithë popujt që kanë shtete të fuqishme. Mirëpo shqiptarët nuk e kanë fort merak vetëmohimin për shtet e komb. Ai thotë se për shkak të frikës, ne e mashtrojmë gjithmonë veten duke u bërë sikur të zgjuar që t’i fusim ndërkombëtarët ta bëjnë punën për ne. Ndërsa në këtë rast, këtë punë për ne duhet ta bëjë NATO.

Në vend të konkluzës

Në rast se dështon referendumi, shqiptarët dalin si populli me përfitime më të mëdha. Dështimi i referendumit do i ngrejë ata përfundimisht në komunitet shtetformues, ose edhe më mirë, do u japë alibi të gjejnë rrugën e tyre drejt një vetëvendosjeje si e drejtë universale popujsh.

 


Loading...
loading...