REFORMAT?!

Pas një viti qeverie kuptuam që fjala REFORMA duhet hequr nga fjalori. Ashtu si përgjimeve, edhe reformave kjo Qeveri nuk i shkoi dot për shtati! Ndoshta fjala e re që duhen të fusin është: mashtrim… fjalë e rëndë, por e ndershme në rastin e tyre!

 

Nga Arben TARAVARI

Një nga termat më të përdorur gjatë fushatës së fundit të Zgjedhjeve të Përgjithshme ishte: Reformat! Qeveria e re, e cila u pagëzua si Shefja e fateve tona, na u prezantua pikërisht si qeveria e Reformave.

Termi “Reformë” vjen nga latinishtja, ka lindur si nevojë e njerëzve për të shprehur konceptin e ridhënies formë një objekti apo një gjendje të caktuar. Më vonë kjo fjalë rriti pozitën e saj në qarqet politike duke u përdorur pothuajse ekskluzivisht nga politikanët. Kështu do t’i vinte radha që të monopolizohej dhe nga një e tillë dhe këtu tek ne, nga SDMS-ja.

Para se të merrte çelësat e kabinetit qeveritar, kjo parti pati një fjalë tjetër që e artikuloi shpesh: Përgjime! Një copë herë mbushën shtëpitë, rrugët, lokalet, çdo metër e kilometër të shtetit, me biseda që denonconin qeveritarët në pushtet për përfshirje në krime ekonomike, vepra të rënda penale, shkelje të ligjit me dy këmbë. Populli u ndje i revoltuar, kishte kohë që ndihej i fyer nga regjimi Gruevski-Ahmeti, por pas publikimit të përgjimeve audio të SDSM-së dukej se pika kulmore e durimit mbërriti. Tashmë rokada politike në zyrat e Qeverisë po bëhej gati dhe po, SDSM-ja me përgjimet në valixhet e saj elektorale filloi punën për të drejtuar vendin drejt një jete më të mirë!

Papritur ndodhën disa ndryshime në fjalorin e kësaj partie. Rralloi deri gati në eliminim total fjalën Përgjime dhe forcoi me të madhe fjalën Reforma. E meqë SDSM-ja me të ardhur në pushtet zbriti nga kali i përgjimeve dhe hypi në kalin e reformave, atëherë të shikojmë se si i ka shkuar marrëdhënia me këtë proces.

Le t’i hedhim një vështrim këtyre Reformave të cilat tashmë kanë 1 vit që pretendohet të kenë filluar, le të shohim si ka qenë historia njëvjeçare e kësaj Qeverie?StrugaLajm

Si fillim puna iu nisi keq. SDMS-së iu desh të fillonte një bashkëjetesë me një kosto të rëndë morale para elektoratit. Asaj iu desh të bashkë-qeveriste me partinë e BDI-së, parti të cilën e kishte denoncuar botërisht në kohën e shkurtër e tashmë me shumë pikëpyetje të përgjimeve. Ndoshta ky ishte dhe një shkak madhor që bëri SDSM-në të largonte nga përdorimi fjalën Përgjime, pasi në krah i rrinte dhe i rri një nga aktorët më të vjetër në skenën e politikës, një nga të ardhurit nga koha e dyshuar e Krimeve! BDI-ja dhe VMRO-ja ishin bashkë në pushtet si binjakët siamezë, Zaevi shpalli alarmin për bashkëpunime të mëdha më krimin të të dy partive në pushtet, por për ironi të fatit, për fatkeqësi të tij dhe ende më shumë të popullit, kryeministri aktual u desh të amnistonte për hir të pushtetit, një nga binjakët siamezë! Operacioni ishte i pamundur, binjakët siamezë kanë trup të përbashkët, ndaj në venat e Qeverisë rrjedh gjak i pushtetit gruevist përsa kohë Ahmeti është në qeveri.

Ndaj Reformat dolën një flluskë sapuni! Një shaka e hidhur politike, humor i zi! Populli ka filluar të ndihet Don Kishot dhe Sanço Panço, dy personazhe sa komikë po aq fatkeq!

BDI-ja, ka marrë tashmë rolin e zonjës së shtëpisë në pallatin qeveritar të Shkupit.StrugaLajm

Kjo martesë me natyrë bizare, aspak organike, tepër e dyshimtë dhe amorale sa të duash, ishte dhe fundit i Reformave të famshme të Qeverisë! Fundi Reformave që nuk filluan kurrë!

Pra asgjë e re nga qendra… Bomba që nuk plasën… vetëm disa petarda që kanë kërcitur aty-këtu, njësoj si petardët e fëmijëve për festën e Vitit të Ri…Të akuzuarit e BDI-së u shpallën të pafajshëm pa gjyq, u harruan…për hir të kujt?! Populli sërish u kthye në një qenie naive, që i thuhen të vërteta të ndryshme nga i njëjti burim, si puna e Zaevit që brenda pak muaj nga gishti që e drejtoi nga Ahmeti, kaloi çuditërisht në mikun e tij që i hedh krahun! Është kjo politikë legjitime?! Apo është hipokrizi amorale ndaj popullit?!

Duke respektuar prezumimin e pafajësisë, të paktën të dinim që ishin të pafajshëm! Personazhe politik të ngjashëm me personazhe të trilluar, që notojnë më ujëra eurosh e makinash lukzose, punësime dhe pushime nga puna me karakter krejtësisht politik, regres ekonomik, ikje masive, dëshpërim popullor, komedi situatash me Çështjen e Emrit të shtetit e ndonjë “mrekulli” tjetër si këto, janë konkluzionet e këtij viti të mbrapshtë për ne!

Nuk është viti i parë që shkon nga e prapta për ne, por është më i trishtuar sepse nga viti i shpresës, rezultoi në vitin e zhgënjimit!

Pra qeveria Ahmeti-Zaev të vetmen gjë që ka reformuar është: emri dhe mbiemri i një pjesë të qeveritarëve, pasi sistemi mbetet po i njëjtë …gruevist …ahmetist …zaevist! Pas 1 viti përpjekje për reforma, qeveria ngeli në klasë!

Komunave që humbi BDI-ja në Zgjedhjet e fundit Lokale, iu është vënë litari në fyt! Të anatemuara vetëm pse nuk kanë votuar BDI-në, qytete të tëra janë shpallur armike! Ata janë jashtë konsideratës së qeverisë, madje të ndëshkuar prej saj! Me politikë të vjetër, njerëz të vjetër që ende mbetën në qeveri, zhytën edhe porsaardhurit në llumin e vjetër! E bën qeverinë e re armike të popullit i cili do të ndëshkojë me votë dhe do ndëshkojë ashpër tradhtinë e radhës!

Është një dështim i frikshëm! Ndoshta SDSM-ja nuk e dinte që i mbyturi të mbyt…BDI-ja, binjakja siameze e tërhoqi me vete… Asgjë nuk ndryshoi! Madje më keq, gjithçka po shkon drejt një varfërie më të madhe, drejt një tkurrje më të madhe të popullsisë!

Pra pas një viti qeverie kuptuam që fjala REFORMA duhet hequr nga fjalori. Ashtu si përgjimeve, edhe reformave kjo Qeveri nuk i shkoi dot për shtati! Ndoshta fjala e re që duhen të fusin është: mashtrim… fjalë e rëndë, por e ndershme në rastin e tyre!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...