Resul Bekteshi, promovon librin “PROZA POPULLORE STRUGANE”

Doli nga shtypi libri më i ri i profesor Resul Bekteshit me titull “PROZA POPULLORE STRUGANE”. Është ky vazhdimësi e krijimtarisë së autorit, respektivisht volumi i dytë i mbledhur nga letërsia popullore që i bashkangjitet volumit të parë “FRAZEOLOGJIZMA DHE FJALË TË URTA STRUGANE”.

Nëse hedhim një sy dhe vështrojmë atë që është shkruar në këtë përmbledhje popullore , do të kuptojmë se letërsia popullore ka qënë më prezente në kohën kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim dhe kështu ndodhitë i kanë rrëfyer gojarisht. Kjo krijimtari shpirtërore na jep një pasqyrë të saktë të jetës të një populli duke e vështruar atë nga aspektet shoqërore, ekonomike, familjare, mitologjike, kanunore, ndërnjerëzore dhe morale, por ndonjëherë në të përdoren edhe persona të trilluar , siç janë zanat dhe orët . 

Populli i këtyre periudhave edhe pse i paformuar intelektualisht , për të zhvilluar një jetë të pasur shpirtërore, këtë jetë ka ditur ta paraqesë dhe përfytyrojë artistikisht . Fillimet e saj janë të lashta , ashtu thote edhe autori në librin e lartëpërmendur , duke shtuar se krijuesit popullorë kanë një imagjinatë të bujshme dhe e paraqesin realitetin e kohës në mënyrë besnike dhe përmes të kaluarës gojore dhe të tashmes ndërtojnë vizionin për një të ardhme më të mirë e më të lumtur – kështu u shpreh recezenti i librit të lartëpërmendur , profesor Ariz Dauti. 

Ky libër në brendi përfshin legjenda, përralla, anekdota, fabula, dromca humoristike, frazeologjizma, proverba, gjëegjëza dhe fjalë të urta. Aty autori në çdo kapitull na jep edhe shpjegimin për llojet e lartëpërmendura , duke dhënë ide nga teoria e letërsisë mbi legjendat, përrallat, anekdotat, fabulat dhe të tjerat. – Ishin këta fjalët që i përmendi redaktori i librit, z. Jashar Pollozhani, duke vazhduar me idenë se veprat e këtilla janë të mirëseardhura në letërsinë tonë, sepse ndikojnë që të ruhet e kaluara e përcjellur gojarisht, e që sot po lihet anash. Kjo përmbledhje do të ndihmojë të kuptojmë më mirë trashëgiminë tonë kulturore dhe vlerat që janë transmetuar nga brezi në brez. Një punë e shkëlqyeshme është bërë në këtë vepër ku është realizuar me sukses mbledhja e një pjese të folklorit, vjelja e një pasurie popullore e krijuar shekuj më parë dhe e sistemuar ndër vite nga autori i librit Resul Bekteshi. 

Kjo vepër na ndihmon të ruajmë krijimet popullore origjinale . Me publikimin e kësaj vepre, lexuesve u është ofruar një material i mirë dhe burimor dhe origjinal i mbledhur me kujdes dhe si një lëndë  e mirë për të njohur shpirtin krijues të popullit shqiptar. 

Autori i veprës në përgjithësi në këtë botim është munduar që lexuesit shqiptar t’ia kujtojë të kaluarën e hershme dhe të kujdeset që ajo mos i mbetet të kaluarës, sepse pa atë edhe letërsia artistike do të ishte më e mangët. StrugaLajm

Vepra “PROZA POPULLORE STRUGANE” në brendi ngërthen një arsenal të gjërë e të mirëfilltë të legjendave. Aty në veçanti dallohet legjenda kushtuar Aga Ymerit dhe kënga historike kushtuar kryetrimit shqiptar Gjergj Kastriot Skëndërbeut . Në të hasim një numër të madh të përrallave , ku të rinjtë shqiptarë njihen me gjithshmëritë e Qerosit, bëmat e liga të kuçedrës , njihen me të bukurën e dheut , me mbretër të ndryshëm etj. Po ashtu në të hasim edhe krijime të letërsisë popullore të njohura ndër popuj si anekdota , ku veçohet fytyra më e spikatur e anekdotave shqiptare – Nastradin Hoxha. 

Ngelën që ky botim i krijimtarisë popullore shqiptare të lexohet nga lexuesit dhe besojmë se përshtypjet do të jenë pozitive . 

Ky botim më dt. 21.06.2024 pati edhe promovimin e suksesshëm , ku një numër i madh të interesuarish ndoqën me sukses fjalën e recezentit, redaktorit dhe autorit të librit. 

HANA BEKTESHI


Loading...
loading...