RROGA SA PËR T’U USHQYER! Harxhimet rriten me shumë se pagat

Rritja e pagës mesatare dhe asaj minimale megjithatë nuk mund të ndjekë rritjen e jetesës së shtrenjtuar për amvisëritë. Qytetarët në vazhdimësi ankohen se pagat janë të ulëta karshi rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës. Ekonomistët thonë se dihet se vetëm hapja e vendeve të punës, investimeve të reja , rritja më e madhe ekonomike… renditen ndër faktorët kryesor të rritjes së pagave dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve. Mirëpo, shtojnë se kjo kërkon edhe plotësimin dhe realizimin e më shumë kushteve për të pasur sukses në këto fusha. Sipas kryetarit të Kuvendit të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi, nuk ekziston një shkop magjik për të rritur pagat dhe për të arritur një klimë të shëndoshë biznesi.

“Si shtet me vite na mungon një strategji serioze dhe afatgjate për daljen më në fund nga krizat ekonomike që na përsëriten në mënyrë ciklike, pa marrë parasysh a e kanë ato burimin në rrethanat vendore apo ndërkombëtare. Si shtet më shumë orientohemi ndaj politikave ditore, në vend se ndaj një strategjie që do të paraqiste rrugëdalje nga problemet e ndryshme të shtresuara me vite e që pengojnë mbarëvajtjen e ekonomisë në shtet”, thekson Kuçi. Sipas tij, na mungon një vizion se kah do të lëvizë ekonomia dhe biznesi, si dhe një qasje më serioze ndaj këtij problemi, shpesh bëhen marrëveshje afatshkurtra me sektorin e biznesit për të tejkaluar situatat emergjente , andaj edhe na përsëriten krizat në vazhdimësi për shkak se nuk dimë se kah do të shkojmë në aspektin zhvillimor të vendit. Kuçi thekson se problemet që mundojnë biznesbërjen janë të njohura , por ngadalë po gjejnë zgjidhje, duke filluar nga mungesa e fuqisë adekuate punëtore ku çalon sistemi arsimor dhe për këtë sipas tij, nuk e mbajnë fajin kompanitë dhe punëtorët, akoma nuk po funksionon si duhet gjyqësori, ka kritika për luftën ndaj korrupsionit …

“Njëherësh nevojitet që të krijojmë kushte që biznesi mikro, i vogël dhe i mesëm të jetë një gjenerator i vërtetë I zhvillimit ekonomik, të ketë një evaluim apo rivlerësim më të madh të punës së administratës , ku me racionalizimin e mëtejshëm të punës së saj , teprica e mjeteve do të investoheshin në investimet kapitale, pa të cilat nuk mund të imagjinohet zhvillimi ekonomik i një shteti”, thekson Kuçi. Në ndërkohë, vlera e shportës sindikale në muajin mars ka arritur në 33 771 denarë, në raport me pagën mesatare prej 27 948 denarë. Me fjalë të tjera paga mesatare mbulon vetëm shpenzimet e banimit dhe ushqimit. Apo thënë ndryshe, nëse përllogaritet vlera prej 14.162 denarë për ushqim , 10.817 denarë për banim dhe 2371 denarë për higjienë fitojmë vlerën prej 27.350 denarë që është e përafërt me pagën mesatare të paguar në muajin shkurt.StrugaLajm

Ndryshe, edhe paga mesatare nuk pasqyron realitetin e pagave për shkak se mbi 40 mijë punëtorë në prodhimin e tekstilit pranojnë paga prej 16.581 denarë dhe në prodhimtarinë e lëkurës pranojnë paga prej 17.652 denarë , tregojnë të dhënat statistikore. Njëherësh, nga totali i të punësuarve në privat dhe punë shteti , më shumë se 100 mijë punëtorë pranojnë pagën minimale. Gjithashtu, 40 mijë të punësuar në administratën publike pranojnë paga minimale, tregojnë të dhënat e Konfederatës së Sindikatave. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...