BLENDI PETROL
Aktuale

Shqipëria themelon çmimin “Ambasador i Kombit” për diasporën

Përfaqësuesit më të suksesshëm të komuniteteve shqiptare jashtë vendit do të nderohen me Çmimin “Ambasador i Kombit” nga Shqipëria, transmeton ATSH.

Qeveria shqiptare përcaktoi në mbledhjen e djeshme kriteret dhe mënyrën e ndarjes të çmimit “Ambasador i Kombit” i cili do të ndahet bazuar në vlerësimin e kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike.

Kriteret që duhet të plotësojnë pjesëtarët e suksesshëm të diasporës për marrjen e çmimit janë integriteti dhe reputacioni në komunitetin ku jeton; përfaqësimi i suksesshëm në diasporë dhe kontributi i veçantë për Republikën e Shqipërisë apo diasporën.

Sipas këtij vendimi, ambasadorët e Shqipërisë të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet Ministrit për Punët e Jashtme, i propozojnë Ministrit për Diasporën përfaqësuesit më të suksesshëm të komuniteteve shqiptare jashtë vendit për dhënien e çmimit “Ambasador i Kombit”.

Sipas ATSH-së, propozimet duhet të shoqërohen me biografinë dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së subjektit tё propozuar.

Ndërkohë është Ministri për Diasporën, ai që vlerëson propozimet e ardhura, së bashku me rekomandimet për dhënien e çmimit, dhe ia propozon ato zyrtarisht, Kryeministrit.

Çmimi “Ambasador i Kombit” jepet nga Kryeministri dhe i dorëzohet personalisht personit që merr çmimin, por, në raste të veçanta, mund t’i dorëzohet edhe familjarëve apo përfaqësuesve të tij.

Vendimi parashikon që Çmimi “Ambasador i Kombit” nuk ka vlerë monetare, por jepet në formën e një certifikate.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button