Shqiptarët e Maqedonisë: Të mjerët e kohës, viktimat e gjuhës!

Shumë gjuhë janë të bukura, ndërsa gjuha shqipe është përtej ëmbëlsisë dhe jehona e saj ik përtej kufijve e ngjitet mes vatrave me simbol shqiponje

Nga Delvina KËRLUKU

Kur gjuha shqipe do të marrë statutin e merituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkundrejt gjuhës maqedonase, atëherë mund të themi se politikanët tanë, më saktë shqiptarët, kanë luftuar për të drejtën e zbatimit dhe lirinë e shprehjes së gjuhës amë.StrugaLajm

Historia na kujton se gjuha shqipe jo vetëm që u pengua në përdorimin e saj, nga albanofobët, madje u mohua deri në atë masë që edhe vunë barrierë në hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe. Përdorimi i gjuhës u pengua që në themelimin e shkollës së parë e në kohën e lavdishme të Rilindësve të fundit. Në periudhën e Jugosllavisë, dhe pas saj, sa edhe sot ky fenomen është i dukshëm, në anët tona. Pyetjet do të vërshonin gjithkund: përse na ndodh ne shqiptarëve? Ku e ka zanafillën e keqja dhe a ka shpëtim? Mendja mund të rikthehet te thjerrëza britanike e vitit 1913! Thua se shpjegimi mund të kërkohet veç te tharmi shqiptar, në brumin zanafillor, në atë që përcaktohej si aftësi shtetformuese!?StrugaLajm

Sado i ndërlikuar të jetë përdorimi i gjuhës shqipe, në shoqërinë tonë, përherë e më tepër bëhet e qartë se gjuha si pjesë e një kombi aq e hyjnizuar nuk është vetëm “gjaku dhe balta”, kjo dikotomi aq e lëvduar edhe në poezi. Po të ishte mungesa e vullnetit për ta ruajtur gjuhën do të ishte vërtet e keqja e pakapërcyeshme, ajo e fundbotshmja që çonte gjer në shuarje!? Prandaj marr rast të pyes: – Ç’e pjell, nga i vjen fuqia e fshehtë kësaj mungese? Projekte të këtilla “fobi ndaj gjuha shqipe”, janë përdorur, deri më sot, me të gjitha mjetet, deri në dëbim të shqiptarëve. Shkurt, pamjet e këtilla nuk janë veçse maska gabuese. Natyrisht që një gjë e këtillë nuk i prish asnjë punë përfytyrimit tim fëminor. Gjatë fëmijërisë time, më saktë nga mosha tre gjer më tetë vjeç, shqiptarët kërkonin flamur, liri, barazi, gjuhë dhe kjo kërkesë do të vinte vit pas viti, e nuk do të ishte tjetër veçse, përdorimi i të drejtave të tyre (pra, edhe gjuhës shqipe). Tejkalimi, veçanërisht i gjuhës, përkon pak a shumë me lamtumirën ndaj një vizioni disi planetar të botës shqiptare, shenjat zotëruese të së cilës janë kryesisht fjalët te princeshat, apostujt, djajtë, shtizat, ujqit e kthetrat, të një vëmendje më shumë kombëtariste ku identifikohet historia. Herët a vonë, gjuha shqipe do ta zë vendin e duhur në institucionet, mbase fill pas tyre në krejt Maqedoninë e Veriut. Që ishte dhe është ndër kërkesat më të vjetra, e kishim mësuar qyshkur. Që ishte më tërheqësja, kjo bënte mu që larg. Shumë gjuhë janë të bukura, ndërsa gjuha shqipe është përtej ëmbëlsisë dhe jehona e saj ik përtej kufijve e ngjitet mes vatrave me simbol shqiponje.

Nga një këndvështrim më i afërt edhe pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës, një tjetër ndërlikim dallohet më qartë, ajo e mos respektimit të ligjit dhe mos vënies në përdorim të saj në RMV. Kjo të jep përshtypjen e asaj kohe ku shqiptarët quhen raja të pa emër, pa histori, pa letërsi dhe pa gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pra pa të gjitha ato përcaktime që shqiptarin e bëjnë shqiptar. Këta shqiptarë gegë dhe toskë janë në dhembshuri ndaj kombit të cilit i përkasin. Pyetja “Përse” natyrisht do të përsëritej. Përse ishin dhe a mund të ishin vërtet të tillë ata që, edhe paskëshin qenë?! Përgjigjet për pyetjet e tilla janë zakonisht të pa mundura, sidomos për çështjen e fundit! Mirëpo, koha është dëshmitarja e vërtetë. Ja që gjuha shqipe ka nis hapa të çalë të zbatohet, por më shumë të pengohet. Ajo që nuk na largon nga e vërteta janë mirë se ardhja e brezave të rinj, që rriten në shtetin e Maqedonisë së Veriut. Nëse në fëmijërinë time prisnim orën e pasdites që, programi në gjuhën shqipe (MTV2) të transmetoj teatrin e kukullave ose ndonjë film vizatimor të sinkronizuar në shqip (ndërsa vetëm Dibra dhe Struga, kishte qasje (me peripeci) te Televizioni Shqiptar – TVSH), fëmijët e sotshëm orë e çast kanë filma për moshën e tyre, në gjuhën amtare, gj.shqipe… Ky fakt e bën që fëmija shqiptar të rritet në një frymë shqiptare e jo si dikur që TV e Maqedonisë rrallë, ose as çfarë, transmetonin filma vizatimor në gjuhën shqipe. Po ashtu, kjo gjendje i bën brezat e rinj më pasiv ndaj gjuhës maqedonase. E dukshme është se zotërimi i gjuhës shqipe është sa i vlefshëm, për faktin se edhe shqiptarët profesionalizohen, e marrin poste udhëheqëse. Po ju tregoj një rast: Në një institucion shtetëror ku udhëhiqet nga një femër shqiptare (pjesëmarrëse e luftërave) mbledhja me kolektivin, thuajse në të gjithë debatin u fol shqip, ndonëse aty kishte edhe nga pala maqedonase. Kjo e vërtetë me siguri do t’i fut rrënjët thellë dhe gjuha shqipe do të frymojë lirshëm në institucionet e shtetit të RMV-së. Ndërsa, shovinistët ose më saktë fobistët e gjuhës shqipe do të detyrohen të mësojnë këtë gjuhë, për të qenë bashkë me ne. (koha.mk)


Loading...
loading...