SHQIPTARËT E UKRAINËS DHE DEPUTETËT TANË-Agim Vinca

Në orën 16 dëgjoj lajmet e radios “Evropa e lirë”.
Më intereson të di si e sheh radiostacioni i themeluar nga Kongresi i
Shteteve të Bashkuara të Amerikës situatën në Ukrainë.
Nuk i zura lajmet nga fillimi, por në çastin kur e hapa radion fliste
një deputet i Kuvendit të Kosovës. Jepej tonikisht një pjesë nga fjala
e tij në seancën e sotme të Kuvendit.
Deputeti, doktor shkence dhe ish-ministër i jashtëm (nuk po ia
përmendi emrin, sepse nuk e kam me individin, por me dukurinë), përdor trajtën “ne flasmi” (për “ne flasim”) dhe “Perëndimi do ta fiton luftën” (për “do ta fitojë luftën”).
Kush nuk beson mund të hyjë në YouTube dhe ta dëgjojë vetë.
Pas fjalës së deputetit pasoi një intervistë me një shqiptar të Ukrainës, banor i fshatit Karakurt. Gazetari a gazetarja i paralajmëron dëgjuesit se i intervistuari flet shqip me vështirësi.
Por jo. Shqiptari i Ukrainës fliste ngadalë, duke i kërkuar fjalët,
por rrjedhshëm dhe pa gabime.
Mbeta pa fjalë! Si ka mundësi që shqiptarët e Ukrainës flasin më mirë shqip sesa deputetët tanë?!
“Pse dhe si”, mund të pyesë dikush. Ja po ju tregoj.
Deputeti ynë bën dy gabime të rënda gramatikore në dy-tri fjali.
Gabimi i parë (“flasmi”, në vend se “flasim”) është tipik për këtë
deputet-ekspert të politikës së jashtme dhe njëherësh edhe profesor universiteti, kurse gabimi i dytë: ngatërrimi i mënyrës lidhore me mënyrën dëftore (“koha do të flet”, për “koha do të flasë”; “Perëndimi do të fiton”, në vend se “do të” fitojë etj.) haset shpesh, shumë shpesh, në ligjërimin e politikanëve tanë (pjesa dërrmuese e tyre e përdor gabimisht mënyrën lidhore), por nuk qëndron shumë më mirë në këtë plan as një pjesë e inteligjencies shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë.
Ndërkaq, shqiptari i Ukrainës, që foli shumë më gjatë se deputeti dhe ish-ministri, edhe pse i trembur nga lufta dhe nën psikozën e gjendjes së krijuar, nuk bëri asnjë gabim të kësaj natyre në fjalën e tij.
(Edhe për këtë mund të bindeni po qe se doni në YouTube).
“E po ku jemi”?, pat thënë dikur shkrimtari i njohur për fëmijë dhe
pamfletisti Rexhep Hoxha.
Ka ardhur koha që shqiptarët e Ukrainës, të shpërngulur atje para tre shekujsh, flasin shqip më mirë sesa deputetët e Kuvendit të Kosovës!

O tempora, o mores!
Kaq për sot.
Kalofshi mirë (e jo “kaloni mirë”, siç dëgjojmë në çdo hap) dhe mirupafshim!StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...