Shqiptarët e Velesit për të mësuar shqip po shpërngulen deri në Strugë!

Mungesa e mësimit shqip në Çashkë dhe Veles ka bërë që shumë nxënës, shkollimin ta vazhdojnë në shkollat e mesme të Tetovës, Shkupit apo deri edhe në Strugë. Kjo ka sjellë edhe boshatisjen e fshatrave shqiptare, pasi me nxënësit, po shpërngulen edhe familje të tëra për një jetë me më pak probleme. Në Veles, qytet ky i njohur për rënien e natalitetit, një pjesë bukur të mirë të paraleleve maqedonase në “jetë” i mbajnë nxënësit shqiptarë

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 12 dhjetor – Megjithëse ka natalitet më të madh në rajonin e Velesit, shqiptarët e Komunës së Çashkës kanë filluar të braktisin shtëpitë e tyre dhe të shpërngulen drejt Tetovës, Shkupit, Strugës dhe vendbanimeve tjera me shumicë shqiptare. E gjithë, për shkak të mungesës së shkollimit në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptarë, sidomos në arsimin e mesëm, shkruan gazeta KOHA.

Vetëm Jabollçishti ka rreth 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë, ndërsa të pastra etnikisht po me shqiptarë janë edhe Buzallakova, Slviniku, Vranofci, Kllukoveci dhe fshati Koçillare. Në total, gjysma e Çashkës, komunë rurale e Velesit, është e banuar me shqiptarë. Vetëm nga Jabollçishti sivjet në klasë të parë ka të regjistruar mbi 100 nxënës, ndërsa në shkollën fillore “Liria” në këtë fshat, mësimin e ndjekin mbi 700 filloristë.StrugaLajm

Në gjimnazin “Koço Racin” funksionon vetëm një paralele me mësim në gjuhën shqipe, me 36 nxënës shqiptarë, ndërsa edhe këtu mësimi në pjesën dërmuese të lëndëve zhvillohet në maqedonisht. Edhe në paralelet maqedonase në këtë gjimnaz pothuajse në secilën klasë ka deri në dhjetë nxënës shqiptarë

Megjithatë, banorët ankohen se fëmijët e tyre po detyrohen të mësojnë në maqedonisht në dy shkollat e mesme të Velesit, në gjimnazin “Koço Racin”, si dhe në shkollën e mesme teknike profesionale “Koço Nedelkovski”. Në të parën, në gjimnaz funksionon vetëm një paralele me mësim në gjuhën shqipe, me 36 nxënës shqiptarë, ndërsa edhe këtu mësimi në pjesën dërmuese të lëndëve zhvillohet në maqedonisht. Në shkollën teknike profesionale, edhe pse me Konkursin për regjistrim të Ministrisë së Arsimit janë paraparë dy paralele, të njëjtat nuk funksionojnë. Madje, këto dy paralele shqipe parashihen me Konkurs që para dhjetë viteve, në 2008, por që nuk hapur asnjëherë.StrugaLajm

“Nxënës ka, por paralele nuk hapen, sepse me hapjen e paraleleve, sigurisht se do të rritej numri i nxënësve shqiptarë, do punësoheshin profesorë shqiptarë, si dhe do të parandalohej braktisja e fshatrave shqiptare në këtë rajon. Me konkurse, që nga 2008-ta, parashihet edhe hapja e dy paraleleve në shkollën e mesme profesionale, por që autoritetet e komunës së Velesit nuk e lejojnë një gjë të tillë, gjithmonë duke u arsyetuar se nuk ka kuadro”, thotë për KOHA, Suati, një banor i Jabollçishtit, i cili ankohet se askush nuk po merret me nevojat dhe shqetësimet e banorëve të kësaj zone.

Dhe, kjo ka bërë që shumë nxënës, shkollimin e mesëm ta vazhdojnë në shkollat e mesme të Tetovës, Shkupit apo deri edhe në Strugë. Kjo, siç shprehet Suati, po sjell edhe boshatisjen e fshatrave shqiptare në këtë pjesë të Maqedonisë, pasi me nxënësit, po shpërngulen edhe familje të tëra për një jetë me më pak probleme në vendbanimet me shumicë shqiptare. Në Veles, qytet ky i njohur për rënien e natalitetit, një pjesë bukur të mirë të paraleleve maqedonase në “jetë” i mbajnë nxënësit shqiptarë. Kështu ndodhë edhe me paralelet maqedonase në gjimnazin “Koço Racin”, ku pothuajse në secilën klasë ka deri në dhjetë nxënës shqiptarë. “Para gjashtë vitesh, nga tetë paralele sa kishte për nxënësit maqedonase, tani ky numër ka rënë në katër, edhe atë me nxënës shqiptarë. Nga 20 nxënës më së shumti numërojnë paralelet maqedonase. I bie që nxënësit shqiptarë po i mbajnë në punë profesorët maqedonas”, tregon Suati. Gjendje e njëjtë është edhe në shkollën teknike profesionale “Koço Nedelkovski” e cila numëron tetë paralele në gjuhën maqedonase, ndërsa dy shqipe që nuk janë hapur kurrë. Nxënës shqiptarë por që mësojnë maqedonisht ndjekin mësimin edhe në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në ekonomi.

Në ndërkohë, çdo ditë e më pak nxënës shqiptarë po strehohen edhe në konviktin e shkollave të mesme “Llazar Llazarovski” në Veles. Nëse para pesë vitesh në këtë konvikt ishin të strehuar 70 nxënës, sivjet ky numër ka rënë në tetë. Kjo, për shkak të trysnive dhe fyerjeve etnike që nxënësit shqiptarë i ndjejnë nga bashkëmoshatarët e tyre maqedonas. “Në këtë konvikt nuk ka të punësuar asnjë shqiptarë. Nuk kanë gjetur vend as për një pastrues, e të mos flasim për edukatorë”, thotë Suati. Shqiptarët e Çashkës, përveç me probleme në arsim, ballafaqohen edhe me probleme tjera që u vështirësojnë jetesën. Ankohen se nuk punohet në rregullimin e infrastrukturës, ndërsa numër tepër të vogël të punëtorëve në administratën komunale si në Çashkë, ashtu edhe në Veles, raporton KOHA.

In : Aktuale

Loading...
loading...