Shtetet tona i kanë marrë peng haram(bash)at!

Nëse gjatë vitit 2019 kemi qenë shtete e komb pa projekt, babadimri nuk na sjellë ndonjë projekt. Pse? Sepse babadimri thjesht nuk ekziston. Pra, gjasat janë se do të vazhdojmë të vegjetojmë, si një komb pasiv, si shtete jodemokratike, si njerëz që nuk kemi dalë nga pasojat e traumës së luftës dhe të komunizmit.

Shkruan: Milazim Krasniqi

Tema “Shqiptarët në vitin 2020”, nëse kërkon që të parashikohet se çfarë do të ndodhë në vitin që po vjen, është huqje e temës, sepse e ardhmja, sado e afërt që të jetë, kurrqysh dhe me kurrgjë nuk mund të parashikohet. Ne nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë gjatë një minute a pas një minute, e lëre më se si do të jetë gjendja e një kombi gjatë një viti kalendarik. Po e ilustroj këtë tezë me huqjen e madhe të parashikimeve nga strategët dhe dijetarët lidhur me perspektivat e Bashkimit Sovjetik dhe raporteve të tij me Perëndimin nga fundi i shekullit XX.

Ata parashikonin lloj-lloj formash të konfrontimeve në deceniet që po vinin, ndërsa Bashkimi Sovjetik thjesht filloi të shpërbëhej nga brenda dhe në vitin 1991u rrëzua si një kullë kartoni. E njëjta gjë ka ndodhur me parashikimet e strategëve dhe dijetarëve të tjerë në fillim të shekullit XX, kur dominonte optimizmi modernist për zhvillimin dhe iluminimin e popujve. Por, në decenien e dytë po ajo Evropë përfundoi në një kasaphanë të tmerrshme, në të cilën u vranë me miliona njerëz, me miliona të tjerë u gjymtuan e me miliona emigruan përtej Atlantikut. Në atë kasaphanë u shpërbënë tre perandori. Në planin diplomatik e njëjta gjë që ka ndodhur edhe në prag të katastrofës së Luftës së Dytë Botërore (Çemberlleni e tundi në ajër marrëveshjen me Hitlerin në Mynih; Mollotovi e firmosi marrëveshjen me Ribentropin), pas pak vitesh e tëra shpërtheu si një bombë shkatërrimtare. Thënë thjesht, parashikimet për të ardhmen e popujve, shteteve, të njerëzve, si edhe të dukurive natyrore, janë të pamundshme. Fjala vjen, në vitin 2018 nuk ka mundur ta dijë askush se do të ndodhë tërmeti i tetorit 2019 në zonën e Durrësit, i cili ka ndryshuar shumë fate të njerëzve, po edhe agjendën e qeverisë. Pra, një tërmet, një vërshim, një thatësi, një palë zgjedhje, nganjëherë një deklaratë, mund t’i përmbysin parashikimet që bëhen.

Shqiptarët në Maqedoni e rritën fuqinë e vet duke dalë jashtë paternalizmit

Mbase tema “Shqiptarët në vitin 2020” nuk po na kërkon të parashikojmë, por na kërkon ta kuptojmë se cila ka qenë gjendja e shqiptarëve në vitin 2019 dhe që, si e tillë, mund të shtrihet edhe mbi vitin 2020. Kjo na mundëson që ta analizojmë, sado që sipërfaqësisht dhe me hamendje, edhe gjendjen e shqiptarëve në vitin 2020. E, pra, viti 2019 ka qenë vit i çuditshëm për shqiptarët. Disa kanë qenë seriozë e të përgjegjshëm kundrejt rrethanave të vështira, ndërsa kanë dalë aventurierë e të papërgjegjshëm kundrejt rrethanave të volitshme. Ja pse? 1. Përkundër rrethanave të pafavorshme, shqiptarët në Maqedoni bën një ndryshim kopernikan të pozitës së shtetit në të cilin jetojnë. Duke përkrahur Marrëveshjen e Prespës, ata kontribuuan që të zgjidhej kontesti ndërmjet Greqisë e Maqedonisë edhe me ndryshimin e emrit të shtetit. Kështu ia hapën rrugën shtetit të tyre që të anëtarësohet në NATO. Nëse ky proces kompletohet, atëherë hapësira më problematike e Ballkanit shkëputet nga influenca pansllaviste dhe futet nën ombrellën e NATO-s. Kjo është një e arritur e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe një kontribut për mbarë kombin shqiptar. 

Faktikisht, mbyllja e krizës së Maqedonisë dhe anëtarësimi i saj në NATO i shton gjasat që edhe Kosova të integrohet më shpejt në hapësirën atlantike, duke e ekspozuar edhe më shumë Serbinë si një vrimë të zezë në hartën e atlantizmit. Suksesi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2019 u bë i mundur vetëm kur ata u shkëputën nga tutela e Tiranës dhe e Prishtinës dhe ndoqën interesa parciale, pra të shtetit ku jetojnë. Me këtë qasje ata mund të kontribuojnë gjatë vitit 2020 edhe në përshpejtimin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut dhe ashtu ta përmirësojnë edhe pozitën shumë të vështirë sociale e ekonomike të shqiptarëve në këtë shtet. Problemet ekonomike, sociale, demografike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut vërtet janë të mëdha. Prandaj partitë shqiptare do të duhej t’i përqendrojnë programet e tyre në zgjidhjen e këtyre problemeve. Meqë planifikohet që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen në fillim të vitit 2020, shansi është që të konsolidojnë politika të reja në këto fusha, sepse tashmë ekzistenca e shtetit është e siguruar. Faktikisht, gjatë vitit 2019 shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë faktori më me ndikim në politikën rajonale, gjë që mund të ketë vazhdimësi edhe në vitin 2020, nëse ata i tejkalojnë edhe mendësitë ekzistuese provinciale dhe nëse ndërtojnë programe reale për zhvillimin ekonomik, social e kulturor brenda shtetit që po bëhet anëtar i NATO-s dhe po afrohet me Bashkimin Evropian.

Dështimi i Kosovës – për shkak të babëzisë dhe skizofrenisë ideologjike

Kosova në vitin 2019 është zhytur edhe më thellë në krizën e identitetit shtetëror, në izolim e kontestim ndërkombëtar, në stagnim ekonomik, në dëshpërim psikologjik e politik. Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 e kanë dhënë një mundësi për fillimin e daljes nga kriza psikologjike, por krizat e tjera, kriza e identitetit shtetëror, ekonomik, social, kulturor, vetëm sa mund të përthellohen në vitin 2020, meqë ende janë duke u zhvilluar si një inflamacion viral. Nëse e merr drejtimin e qeverisë Lëvizja Vetëvendosje, ashtu si pritet, asaj do t’i duhet njëfarë kohe që vetë ta kapërcejë krizën ideologjike dhe identitare, që ka ajo në raport me shtetin e Kosovës. Kur e merr drejtimin e shteti një lider dhe një parti politike që esencialisht është kundër ekzistencës së atij shteti si të tillë, shumë zor mund të shpresohet se gjërat mund të ecin mbarë. Situata vërtet është skizofrenike: e merr drejtimin e shtetit dikush që ka pasur për synim ridizajnimin e atij shteti, duke e shpërbërë dhe duke ia bashkangjitur një shteti tjetër nën firmën e bashkimit kombëtar!

Në koalicion me këtë lëvizje irredentiste pritet të jetë një parti që është tipike kosovacentriste, Lidhja Demokratike e Kosovës. Sa do të arrijë ajo ta ndalë kursin e LVV-së e ta imponojë kursin e saj kosovacentrist, kjo mbetet të shihet, por edhe nga kjo anë situata mund të jetë skizofrenike gjatë vitit 2020. Kur t’i shtohen këtij prospekti edhe fakte të tjera, si mundësia e arrestimeve të figurave prominente nga ana e Gjykatës Speciale, dialogu me Serbinë, ku nuk është e përjashtuar mundësia e këmbimit të territoreve, apetitet e LVV-së për hakmarrje revolucionare ndaj kundërshtarëve politikë, atëherë duket se edhe gjatë vitit 2020 Kosova mund të jetë në krizë identiteti, në izolim ndërkombëtar, në krizë ekonomike e sociale dhe në presione nga të gjitha anët, përfshirë edhe presionin bizar nga qeveria e Edi Ramës, e cila gjatë vitit 2019 është bërë palë me qeverinë e Beogradit kundër Kosovës.StrugaLajm

Ç’është e drejta, Kosova ka hyrë në këtë shtjellë krizash ngulfatëse, falë pangopësive dhe budallakive të elitave të saj dhe njerëzve të saj, pra me pajtimin e shumicës. Po të kujtohen mënyrat si filloi lufta për pushtet pas çlirimit të vendit më 1999 dhe fushata për rindërtimin e vendit, gjithçka bëhet e qartë: filloi me vrasje e dhunë politike ndaj shqiptarëve, me uzurpimin e pronave të serbëve, madje edhe të romëve, me shkatërrimin lumenjve e maleve, për zall e gur, vazhdoi me vjedhjet industriale të votave në zgjedhje, me privatizime kriminale, me hapje universitetesh pa asnjë nevojë të tregut të punës dhe pa kuadro adekuate, pra filloi me voluntarizën të tmerrshëm, ku çobanët u bënë zyrtarë shtetërorë, të pabrekët u bën milionerë, ashtu si piketohen në poezinë “Hakërrimë” të Ali Asllanit. Prezenca ndërkombëtare dhe sponsorët e pavarësisë së Kosovës shikuan të çuditur, por mbajtën evidencë për këtë shëmtihane.

Ata i procesuan dëshmitë në dosje me raporte negative në OKB, në OSBE, në BE, në NATO e deri në Gjykatën Speciale. Kësodore u hap edhe dilema për ekzistencën e Kosovës si shtet, gjë që u mishërua në idenë e një marrëveshjeje me Serbinë, duke i dhuruar territore, gati gjysmën e Kosovës! Nëse këto që u përmenden shkarazi deri këtu, do të vendosën në peshoren e shtetit të Kosovës, atëherë mund të pritet që për Kosovën viti 2020 do të jetë edhe më i rëndë se sa viti 2019. Kjo mund të ndodhë edhe për arsye se shoqëria jonë tashmë është në një dëshpërim të thellë, pa shpresa dhe pa energji për të bërë ndryshime. Favorizimi i LVV-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk ishte energji për ndryshime (po të kishte aso energjie, fitorja e saj do të ishte shumë më e thellë), por thjesht ishte një gjest dëshpërimi. Pse? Sepse programi i saj nuk është brenda idealeve të shtetndërtimit të Kosovës, por brenda ideologjisë së irredentizmit, të cilën shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur në vitet e nëntëdhjeta. Pra, kemi të bëjmë me një skizofreni ideologjike.

Dështimi i Shqipërisë për shkak të çmoralizimit komunist dhe makutërisë

Ndërkaq, Shqipëria në vitin 2019 ka kaluar nëpër një proces delegjitimimi e degradimi si shtet. Djegia e mandateve nga deputetët e opozitës, protestat e tyre dëshpëruese, mbajtja e zgjedhjeve lokale vetëm nga partia në pushtet dhe moshapja e negociatave nga Bashkimi Evropian, kanë krijuar tashmë një monokraci në vend të demokracisë. Shoqëria shqiptare ende i vuan pasojat e çmoralizimit komunist, duke filluar nga problemet me pronat dhe etja e shfrenuar për pasurim të shpejtë, duke mbjellë e tregtuar droga, si dhe me eksportimin e prostitucionit dhe të krimit edhe në Evropë. Sa i përket qeverisë, Shqipëria ka një qeveri antikombëtare, e cila ka eliminuar shanset e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit me Kosovën. Sulmet e Edi Ramës ndaj liderëve institucionalë e politikë të Kosovës janë të padëgjuara deri sot. Ky degradim i raporteve mund të bartë pasoja edhe në vitin 2020. Vuçiqofilia e Edi Ramës tashmë ka krijuar hendek të pakapërcyeshëm, e pakta derisa Rama të jetë në krye të qeverisë së Tiranës. Nëse Albin Kurti vjen në krye të qeverisë së Kosovës, duke mbajtur nën mëngë kartën e gjasme të bashkimit kombëtar, ndërsa Rama e mban si objektiv bashkimin me Serbinë në të ashtuquajturin minishengeni ballkanik, bashkëpunim ndërmjet Prishtinës e Tiranës nuk mund të ketë.

Sa u përket shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ata gjatë vitit 2019 janë mbajtur në narkozë me yshtjen e këmbimit të territoreve, por realisht ata janë të injoruar e, mbase, edhe të harruar nga Prishtina dhe nga Tirana. Thirravajet e tyre nuk i merr më seriozisht askush. Shqiptarët e Malit të Zi janë pacifikuar tërësisht, ashtu që ose nuk kanë probleme ose më nuk kanë energji as t’i artikulojnë.

Numri më i madh i shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë e jashtë Kosovës. Për ta nuk ka asnjë projekt të kthimit, as të ruajtjes së identitetit. Ata trajtohen si “lopë mjelëse”, pra shkalla e konsumit mbahet falë parave të tyre dhe aq u duhen bashkatdhetarët tanë qeverive të Prishtinës e të Tiranës. Kjo qasje zor se do të ndryshojë gjatë vitit 2020.

Nëse gjatë vitit 2019 kemi qenë shtete e komb pa projekt, babadimri nuk na sjellë ndonjë projekt. Pse? Sepse babadimri thjesht nuk ekziston. Pra, gjasat janë se do të vazhdojmë të vegjetojmë, si një komb pasiv, si shtete jodemokratike, si njerëz që nuk kemi dalë nga pasojat e traumës së luftës dhe të komunizmit. Pra, ka shumë arsye të thuhet se viti 2020 nuk duket se do të sjellë përmirësime e as gëzime në jetën tonë kombëtare. Por, të papriturat janë të mundshme, si për keq, si për mirë. Ne na mbetet të lutemi për mirë! Përveç lutjes, nuk kemi gjë në dorë, pasi punët tona shtetërore e kombëtare kryesisht i kanë marrë në duar haram(bash)at.

In : Aktuale

Loading...
loading...