Shtohet numri i kurbetçarëve të përkohshëm ,ja vendet më atraktive

 

Ndër ofertat e tjera për punë sezonale janë edhe grumbullues të pemë-perimeve, punëtorë turistik, punëtorë në profilet e ndryshme të ndërtimtarisë, përkujdesës për fëmijë të vegjël dhe personave të moshuar, e kështu me radhë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 6 qershor – Viteve të fundit, në Maqedoninë e Veriut për punë sezonale nuk përkushtohen vetëm studentët dhe të rinjtë e papunë, por edhe qytetarët e të gjithë moshave, me qëllim që për një muaj – në shtetet e jashtme të fitojnë për një muaj sa gjashtë paga minimale në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Disa nga shpalljet në internet ofrojnë punë për kuzhinierë për 1500 euro në muaj në Kroaci, 1200 euro për periudhën maj-tetor për kuzhinier në bregdetin bullgar, 1450 euro në muaj për punë në aeroport në Gjermani për shpërndarjen e bagazhit, 800 euro për pastruese në restorant në Kreta të Greqisë me ushqim dhe akomodim të siguruar, apo mjeshtër për lyerjen e mureve në Kroaci me vizë pune të siguruar, ushqim dhe akomodim të siguruar për 5-6 euro në orë apo 220 orë pune në muaj. Ndër ofertat e tjera për punë sezonale janë edhe grumbullues të pemë-perimeve, punëtorë turistik, punëtorë në profilet e ndryshme të ndërtimtarisë, përkujdesës për fëmijë të vegjël dhe personave të moshuar, e kështu me radhë. Këto vlerësohen të jenë vetëm një pjesë e angazhimeve gjatë muajve të verës së punëtorëve nga Maqedonia në shtetet e rajonit dhe më gjerë.

“Punojmë disa vite në bregdetin kroat në hoteleri, ku nëse llogarisim se e kemi të paguar fjetjen dhe ushqimin, mund të them se për 5-6 muaj fitojmë 5 deri 6 mijë euro. Njëherazi kemi pasur edhe fatin se kemi hasur në një pronar të objektit hotelerik që me të vërtetë e çmon mundin e punëtorëve dhe nuk ka muaj bile që nuk na qerasë me nga 50 apo 100 euro për punën që e kryejmë”, thotë një punëtorë sezonal që disa vite me radhë është i angazhuar në rivierën kroate të Makarskës. Ai shton më tej se më të leverdishme e kanë, sipas përllogaritjeve të tyre, angazhimin në Kroaci se sa në Gjermani për shkak se në Gjermani shpesh nuk paguhet bujtja apo ushqimi nga ana e punëdhënësit.

Një grua në mesomoshë nga një qytet i lindjes së Maqedonisë, thotë se me këto paga që merren tek ne prej 200 apo 250 euro, e ka mjaft të vështirë mbijetesën, andaj e mirëpret angazhimin në sezonin turistik në Dubrovnik me qëllim që më lehtë të kapërcejë vitin.StrugaLajm

Viteve të fundit në Itali dukshëm është rritur edhe fluksi i punëtorëve sezonal nga qytetet e Radovishit, Koçanit, Shtipit, Shën Nikollës, Velesit dhe Kumanovës që shkojnë për të punuar në plantazhet e pemëve dhe vreshtave në pjesën veriore të Italisë. Puna nuk është e lehtë, por megjithatë për një muaj mund të fitohet 1200 deri 1300 euro, ndërsa nëse shkojnë më shumë anëtarë të familjes, mund të fitohet edhe më shumë. Akomodimi është i siguruar, ndërsa punëtorët sezonal duhet të paguajnë harxhimet e ushqimit.

Gjithashtu, viteve të fundit, ndër destinacionet e reja për qytetarët e Maqedonisë, krahas Gjermanisë, Zvicrës dhe Italisë, renditet edhe Malta. Punë ofrohet edhe në destinacionet më të largëta si SHBA-të për studentët, si dhe shtetet e Lindjes së afërt si Katari dhe Dubai.

Nga ana tjetër, tregu i punës në Maqedoni karakterizohet edhe me atë se një pjesë e të punësuarve marrin edhe pushim pa pagesë me qëllim që gjatë muajve të verës të fitojnë më shumë të holla seç kanë mundësi në vendet e tyre të rregullta të punës. Kasapët, muratorët, punëtorët e qeramikës, parketit dhe betonit janë ndër zanatlinjtë që më shumë kërkohen në Evropën perëndimore e që për një muaj mund të fitojnë disa mijë euro. Mënyrat se si njerëzit punësohen jashtë shtetit janë të ndryshme. Disa shkojnë përmes agjencive apo ndërmjetësuesve, disa përmes shoqatave të studentëve, të tjerët përmes familjarëve të tyre që jetojnë dhe punojnë jashtë. Gjithashtu shfrytëzohet edhe mundësia e paraqitjes të drejtpërdrejtë në shpalljet për punë, si dhe puna në të zezë. Sidoqoftë, për një pjesë të caktuar të të papunëve nga Maqedonia dhe shtetet e rajonit, punët sezonale paraqesin mundësi për mbijetesë. 

In : Aktuale

Loading...
loading...