Si lindi dhe u arrit Marrëveshja e Ohrit, bisedimet, prapaskenat Shkup-Ohër-Prizren

Politikani dhe diplomati i njohur, Muhamed HALILI përmes INA sjell detaje dhe momente historike për periudhën e përgatitjes dhe firmosjes së Marrëveshjes së OHRIT

Muhamed HALILI

Përvjetorët vijnë e shkojnë, partitë e mëvonshme politike dhe liderët e tyre u bijnë parreshtur daulleve dhe rrahin gjoksin se si e inicuan marrëveshtjen e cila i dha fund një konflikti të shkurtër ushtarak midis dy ushtrive-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë -ARM. Deri më tani janë organizuar një numër i konsiderueshëm i debateve publike në formë të konferencave ku janë thirrur analistë, pjesmarrës të gjallë si ndërmjetësues të procesit të rikthimit të paqës në Maqedoni pas nënshkrimit ë Marrëveshtjes Kornizë, opinionistë që kanë shkruar në bazë të asaj që e kanë lexuar nga arkivat e bisedimeve, por rrallë herë (ose asnjëherë!) edhe ata nga pala bashkëbiseduese shqiptare të cilët kanë qenë hartues të disa pjesëve të Marrëveshtjes, negocues në tryezën e bisedimeve.

Ata që deshën të bëjnë biznes me këto të arritura madje edhe paguan me para të majme institucione të brendëshme e të jashtme jashtëqeveritare për ti bërë analizë “shkencore” kësaj marrëveshtjeje, por pa ndonjë rezultat të dukshëm.

Synimi im është që, për disa herë me rradhë, opinionin e gjërë ta informojmë drejt dhe realisht cilat ishin ato ngjarje që i paraprinë uljes në tryezë të bisedimeve të përfaqsuesve politikë shqiptarë dhe maqedonas për ti zgjidhur disa çështje që historikisht i rëndonin marrëdhëniet ndëretnike shqiptaromaqedonase e që kishin të bënin me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Konflikti i parë ushtarak në Maqedoni shenjat e para i dha në janar të vitit 2001 dhe filloi të intensifikohet në shkurt dhe mars të po të njejtit vit. Kjo ndodhi gati një vit e gjysëm pas zgjedhjes së Boris Trajkovskit për president të Maqedonisë, në zgjedhjen e të cilit shqiptarët në përgjithësi dhe partia shqiptare në qeverisje PDSH kishin dhënë mundin e tyre maksimal për votimin e tij për president me premtim se ai do të angazhohet për përmirsimin e pozitës kushtetuese-juridike të shqiptarëve në Maqedoni, gjë që gjatë fushatës parazgjedhore për president në vitin 1999 Trajkovski ma patë thënë edhe mua personalisht. PPD atëherë nuk ishte pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO DPMNE dhe Alternativën Demokratike të Tupurkovskit edhe pse në zgjedhje parlamentare kishte dalur në koalicion me PDSH-në e Arbën Xhaferit.

Arsyeja për këtë mund të ketë qenë se një pjesë e vogël e funksionarëve të PPD-së kanë refuzuar një ofertë të tillë e cila duhej të shkojë nëpërmjet zotit Xhaferi e jo drejtëpërdrejtë nëpërmjet Lupço Georgievskit. Pozicioni i opozitës për një kohë të shkurtër e dobësoi tepër PPD-në dhe i forcoi pozitat e PDSH-së në qeverinë e atëhershme të zotit Georgievski dhe Xhaferi i cili u ngrit në rang regjional prej lideri.

Pasi disa rezultateve fillestare në përfaqsimin e shqiptarëve në Qeveri, lufta e gjeti të befasuar PDSH-në dhe fare të papërgatitur PPD-në. Këtë të fundit e udhëhiqte për kohë të shkurtër Imer Imeri,një kombëtar i mirë me të kaluar leninisteenveriste, atëkohë tërësisht i izoluar nga parlamentarët e tij të cilët nuk i dhanë fare mbështetje sepse ai në garë për kryetar partie bindshëm ngadhnjeu ndaj kundërkandidatit të tij i cili ishte simbol i liberalizmit shqiptar dhe mik i ngushtë i socialdemokratëve maqedonas dhe disa figurave politike partiake që dikur kishin pasur peshë në popullatë.

I izoluar më tepër se një vit nga parlamentarët, në vigjilje të konfliktit të 2001 (shkurt 2001) Dr. Imer Imeri nga presioni vendosi të bëjë rekonstruksion të Kabinetit të tij duke i përfshirë në kryesi dhe Kuvend qendror edhe figurat që e kontestonin atë dhe nuk e njihnin për kryetar. Diku kah korriku i vitit 2000 Dr. Imeri në një bisedë telefonike me mua, derisa isha ambasador në Kopenhagë, më ofroi pozitën e nënkryetarit në PPD por unë nuk kisha mundësi reale ta pranoj sepse isha ambasador. Pas kthimit tim në vend ai disi e pat ndruar mendimin dhe ma ofroi postin e sekretarit gjeneral të cilin pas një hamendjeje e pranova.

Pas zgjedhjes së kryesisë së re lufta filloi të intensifikohet dhe ne si PPD u desh ta shpallim qëndrimin tonë politik në lidhje me rrethanat e reja të krijuara në Maqedoni si rezultat i luftës. Qëndrimi i PDSH në atë kohë shprehur nga goja e zavendëskryetarit të saj dhe gati krejt udhëheqjes partiake ishte se bëhej fjalë për “një grup të vogël njerëzish të falimentuar, që e kishin humbur rrrugën e tyre me të cilët duhej të ndeshej shteti ligjor” të cilët, sipas tyre, synonin largimin nga skena politike të kësaj partie.

Me komunikatën numër 4 UÇK shpalli programin e saj politik i cili mbi 90% ishte Platforma politike e PPD-së e shkruar në Deklaratën për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni. Për PPD-në ishte tepër vështirë të ndërtojmë qëndrim të drejtë politik ndaj këtyre ngjarjeve, por qëndrimet krejtësisht negative ndaj këtij grupi njerëzish nga ana e Richard Holbrook, pastaj Departamentit të shtetit të SHBA, Sekretarit të NATO-s zotit Robertson se bëhet fjalë për terroristë që duan ta shkatrojnë Maqedoninë, (siç u shprehën ata!) na detyroi që në konferencën për shtyp që për herë të parë më 1 mars 2001 në hotelin “Liraku” në Tetovë e organizova në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PPD-së të kërkojmë nga të dy anët të ndërpresin luftimet, të amnistohen ushtarët e UÇK-së dhe të fillojë dialogu shqiptaro-maqedonas për zgjidhjen e konfliktit. Me qëllim të dhënies të legjimitetit politik luftëtarët e UÇK-ës i shpallëm “kryengritës dhe luftëtarë për liri”.

Pas kësaj konference për shtyp PPD u ballafaqua me presione të mëdha që kjo organizatë (UÇK) mos ta gëzojë mbështetjen tonë politike dhe të shpallet organizatë terroriste por ato presione i përballuam me mençuri dhe me plot sukses edhe pse dy herë rradhazi liderët Arbën Xhaferi dhe Imer Imeri gjatë vizitave të Xhorxh Robertsonit, atëherë Sekretar gjeneral i NATO-s dhe Havier Solanës, përfaqsues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri në BE, patën nënshkruar deklarata se ky grupacion i pathirrur ushtarak nuk e ka mbështetjen e forcave politike shqiptare por atë mbështetje e kanë forcat e zgjedhura në zgjedhjet e drejtëpërdrejta.

Pas “muajit të shkurtë të mjaltit” midis PPD-së dhe PDSH-së në vitin 1998 erdhi koha e acarimit të madh midis këtyre dy partive, ashtu siç kishte qenë edhe para 1998, para lidhjes së koalicionit parlamentar PPD-PDSH. Komuniteti ndërkombëtar synonte ti bëjë bashkë partitë politike që kishin fituar zgjedhjet si përfaqsues legjitim të qytetarëve por e kaluara e idhët në relacionet midis këtyre dy partive si dhe korrupcioni i madh që e kishte kapluar qeverinë e VMRO-DPMN E që kulmin e arriti me shitjen e rafinerisë së Shkupit ndërmarrjes greke “Okta” dhe tërhjekja nga gara për zgjedhje lokale nga ana e PPD-së si shkak i vjedhjeve zgjedhore dhe incidenteve të armatosure në vendvotime, nuk lejonte në krijimin e një fryme të besimit të ndërsjellë midis këtyre dy partive.

Gjatë kohës së paraluftës kur kryetari Imer Imeri kishte qenë i izoluar aktiviteti i diplomacisë partiake kishte rënë në zero. Me zgjedhjen e kryesisë së re fillimi i konfliktit kërkonte një aktivitet të bujshëm diplomatik partiak. Me këtë rast politikanë të partisë u angazhuan në drejtime të aktivitetit të tyre politik. Udhëheqës të partisë i rindërtuan marrëdhëniet politike me partinë opozitare maqedonase LSDM dhe patën takime të shpeshta për të gjetur rrugën për ndaljen e konfliktit. Unë si sekretar së bashku me deputetët Naser Zyberi, nënkryetarin Abduladi Vejseli, Ismet Ramadanin e të tjerë kishim takime të shpeshta me bashkësinë ndërkombëtare dhe udhëheqjen e lartë të LSDM.

Në takimet e ndara dhe sëbashku që i kemi pasur i kemi hulumtuar rrugët që shpiejnë deri të ndalja e konfliktit. Nga bisedimet e zhvilluara me Branko Cërvenkovskin, kryetar i LSDM-së dhe Vllado Buçkovskin, kryetar i Kuvendit të Shkupit dhe sekretar gjeneral i LSDM kemi ardhur në përfundim se situata e dhënë nuk kërkon zgjidhje ushtarake por politike (kërkesa jonë për dialog shqiptaromaqedonas që maqedonasit e refuzonin). Një kërkesë e vetme për fillim të bisedimeve nga ana e Branko Cërvenkovskit ishte të ruhet karakteri unitar i shtetit (pa të cilin nuk ka biseda). PPD këtë gjë prej vitit 1990 nuk e kishte pranuar. Ajo nuk votoi kushtetutën, nuk doli në referendum për pavarësimin e njëanshëm të shtetit, shpalli referendumin për Autonomi, inicoi para Konferencës së Hagës Asociacionin me karakter ligjvënës të komunave shqiptare në Maqedoni, kontestoi shtetin para Konferencës së Hagës, etj.

Me shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me mosvotimin e saj nga ana e parlamentarëve shqiptarë, PPD-PDP opinionit botëror ia vuri me dije se kushtetuta e vitit 1991 është burim i pakënasisë dhe jostabilitetit dhe gjenerator i krizës politike dhe si e tillë ajo duhet ndryshuar. Gjatë kohës së koalicionit VMRO-PDSH lideri i saj Arbën Xhaferi disa herë u pat bërë thirrje partnerëve të koalicionit qeveritar se është i domosdoshëm një dialog maqedono-shqiptar për të ndërtuar një shtet multietnik demokratik mbi baza të barazisë politike, ekonomike, sociale e kulturore midis popujve. Edhe kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Maqedonisë Dr- Savo Klimovski (një nacionalist i rregjur) dhe kryetari i Alternativës Demokratike Vasil Tupurkovski e përqafuan këtë ide dhe kishte gjasa të mëdha ato të fillojnë sikur konflikti të mos kishte plasur pa asnjë konsulte ndërshqiptare. Në të vërtet, dorën në zemër, relacionet midis liderëve të partnerëve të koalicionit VMRO-PDSH dalloheshin me një qasje të besimit reciprok dhe në atë kohë pati avancime shumë cilësore të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Këtë kohë ata e shpallën si periudhë të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike e cila filloi me lirimin nga burgu të Rufi Osmanit, Alajdin Demirit, Vehbi Bexhetit të burgosur për aktivitete kombëtare politike dhe përdorimin e flamurit kombëtar në komunat shqiptare ku ata ishin prefekt ( Tetovë dhe Gostivar).

“PLATFORMA FROWIK” DHE NDËRPRERJA E BISEDIMEVE

Muaji mars i vitit 2001 ishte muaji i intensifikimeve të luftimeve posaçërisht në regjionin Kumanovë-Likovë. Bombardime të shumta të vendanimeve shqiptare bëheshin çdo ditë nga artileria e rëndë e ARM-së ndihmuar me ndihma ushtarake të Bullgarisë dhe posaçërisht Ukrainës. Nga këto bombardime më së shumti pësuan civilët. Establishmenti ushtarak i ARM-së kërkonte nga popullata që ata ti braktisin vatrat e tyre që pastaj të merrnin aksione ushtarake kundër UÇK-së por popullata me ngulm e refuzonte këtë dhe ata qëndronin në vatrat e tyre. Komuniteti ndërkombëtar duke parë se situata eskalon gjithnjë e më tepër e bëri planin e tij për ndërmjetësim paqësor. Në këtë kohë dy partitë politike shqiptare PDSH dhe PPD ende mbanin pozita diametralisht të kundërta në lidhje me luftën.

Diku në 11 mars 2001 nga Ambasada amerikane në Shkup në zyrën e PPD-së na njoftuan se zyrtarë të lartë amerikanë duan të takohen në Rezidencën e ambasadorit amerikan Mike Einik në Shkup në lidhje me luftën. Ambasadën e informuam se kryetari i PPD-së Dr. Imer Imeri dhe unë në cilësinë e Sekretarit të përgjithshëm të PPD-së do të takohemi me delegacionin amerikan.

Më 12 mars 2001 diku prej orës 20 në Rezidencën e Ambasadorit (në mungesë të ambasadorit i cili rinte në një dhomë tjetër) patëm takime të ndara së pari unë e pas meje Imer Imeri me një delegacion të lartë ekspertësh politik e ushtarak amerikanë kryesuar nga James Pardew, i emruar i dërguar special i presidentit Bush për ndërmjetësim në konflikt. Pardew kishte pasur një eksperiencë të madhe në shërbimet intelegjente amerikane dhe interesohej të dijë çdo detaj. Unë atëherë kisha fare pak informacione se kush ishin ata që bënin luftë ndërsa mendoj se Dr. Imeri posedonte informacione më të mëdha sepse kishte lidhje të ngushta nga lëvizjet leniniste-enveriste por frikohej ti shpalos nga përvoja e idhët që e pati në Aferën e armëve disa vite më parë.StrugaLajm

Në pyetjen e Pardew se kush janë ata që bëjnë luftë unë u pëgjigja se nuk kam informacione të sakta por rebelët thirren se kanë përkrahjen e NATO-s dhe Amerikës. Ndoshta më tepër do të mësoni nga Emrush Xhemaili, vazhdova unë, një leninist-enverist i cili pak ditë më parë deklaroi se partia që ai e kryeson ( Partia Popullore e Kosovës), “e mbështet luftën çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë”. Pasi e dëgjoi këtë prononcim Pardew rrufeshëm ma ktheu: “Jo, SHBA nuk përkrahin ekstremistë. Ne përkrahim forcat e zgjedhura legjitime politike”.

Vonë me Dr. Imerin u kthuem në Tetovë dhe rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë në lidhje me takimin. Të nesërmen, më 13 dhe 14 mars 2001 Pardew ka pasur takime me liderët politik në Kosovë, mes tjerash edhe me Emrush Xhemailin .

Korrespondenti i Radio Evropa e lirë ( RFE-RL) Jolyon Naegele më 15 mars 2001 nga Prishtina , mes tjerash, pat raportuar si vijon: “ Këshilltari special për Ballkanin i presidentit të SHBA dhe Sekretarit të shtetit, Ambasadori James Pardew, natën që shkoi e shprehu dënimin e SHBA-ve për dhunën që dje kaploi në dhe përreth Tetovës në veriperëndim të Maqedonisë…” Ekstremistët shqiptarë shkëmbyen zjarr me policinë në afërsi të kalasë dhe demostrantët në qendër të Tetovës e sulmuan kamerën e një TV stacioni maqedonas privat (A1).

Gaetari Naegele raporton se në konferencën për shtyp Pardew të ketë thënë: “…Ne ftojmë popullin shqiptar të Kosovës dhe atë në Maqedoni të bëjnë çmos që të ndalin këtë dhunë dhe ti dënojnë ata që kanë marrur aksion dhe e kanë shkaktuar këtë. ne besojmë se ky është një grup i vogë ekstremist të cilët thjeshtë bëjnë përpjekje të mbjellin frikë dhe përdorin dhunë për promovimin e (agjendës) politike…”

Naegel raporton se Pardew në takimin e tij me Emrush Xhemailin i ka thënë se një parti që në Kosovë ka fituar 8 të votave në zgjedhjet lokale nuk mund të përfaqsojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve. Pardew mbaroi misionin e tij disa ditësh dhe u kthye në SHBA por luftimet vazhduan.

Më 26 mars 2001 pas lëshimit ë pozicioneve në Kala të Tetovës dy ditë më parë Tetovën e vizituan Sekretari britanik për punë të jashtme Robin Cook dhe Havier Solana, diplomati spanjoll i ngarkuar për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së. Ata së pari erdhën në në biseda në selinë e PPD-së që gjindej në qendër të Tetovës dhe pas kësaj sëbashku me ne më këmbë e bënë një xhiro në qendër dhe hyrën në selië e PDSH-së.

Në takimin që e bëmë në PPD atyre ua dhamë një Memorandum se si PPD i sheh gjërat duke kërkuar hapjen e një dialogu politik shqiptaro-maqedonas në lidhje me pozitën kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, barazinë e plot të gjuhës shqipe me maqedonishten, përfaqsimin proporcional në institucionet e shtetit etj.

Më 27 mars në Reportweb botohet Qëndrimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për ngjarjet në Maqedoni ku Robin Cook drejtuar deputetëve në Dhomën e komunave të ketë thënë: “…Të dielën armata e Maqedonisë e ka zhvilluar një operacion ta rikthejë kodrën sipër Tetovës. Operacioni duket se ka pasur sukses dhe ekstremistët e armatosur i kanë lëshuar pozicionet e tyre.

Të dielën në mëngjez bisedova me presidentin Trajkovski dhe ia vura në dije rëndësinë që operacionet të jenë proporcionale me rrezikun dhe të përmbahen nga akcionet të cilat mund të shkaktojnë viktima civile. Më poshtë Cook referon se ka biseduar me Solanën të marrin një nismë për realizimin e aspiratave legjitime të shqiptarëve.

Ndërsa e përditshmja e njohur britanike e “The Guardian” e datës 27 mars 2001 shkruan se Havier Solana “…ka riafirmuar mbështetjen për një zgjidhje paqësore të konfliktit duke i inkurajuar rebelët shqiptarë ta lejojnë procesin politikë të zhvillohet lirisht dhe ta bëjë rrugën e tij… Ju duhet të gjeni zgjidhje të problemeve jo me pushkë por me negociata” -ka thënë ai pas takimit me liderin etnik shqiptar Arben Xhaferi.

Pas gjithë këtyre aktiviteteve të diplomacisë evropiana dhe të SHBA edhe OSBE kishte vendosur ta jep kontributin e saj për rivendosjen e paqës dhe me 21 mars 2001 nga qendra e saj në Vienë kumtojnë se kryesuesi i OSBE-së, ministri i jashtëm rumun Mirçea Xhoana kishte caktuar diplomatin amerikan Robert Frowik për ndërmjetësim mes liderëve politik në Maqedoni për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Në një intervistë për Deutche Welle ( Susan Allen Nan and Andrea Strimling — 2003) Robert Frowik pat deklaruar : “…Gjithashtu unë pata tre udhëtime në Maqedoni sepse tashmë dy vite mua më thirrën në rrethana. ekstremisht të vështira kur filloi të ashpërsohet lufta midis shqiptarëve etnik dhe maqedonasve, si përfaqsues personal i Kryesuesit të OSBE-së, një pozicion ky që ndron me rotacion çdo vit dhe pozitë kjo e cila kryesohej nga ministri i jashtëm rumun Mircea Xhoana. Unë pata mbështetje të lartë nga Vashingtoni të promovojë dhe tu jap fund luftimeve dhe fillimit të procesit të paqës. Për shembull letra e presidentit Bush dërguar presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski dhe
isha involvuar dhe bëja presion të fortë ndaj liderëve legjitim politikë në anën shqiptare qofshin ata nga Maqedonia, Shqipëria apo Kosova ata ti ndalin luftimet dhe ti bindi të angazhohen nën lidershipin politik të Trajkovskit në këtë proces, Collin Powel (Sekretari i jashtëm amerikan-shënimi ynë) dërgoi letër duke i mbështetur përpjekjet e mia, që nxiti vëmendjen e popullit posaçërisht në palën shqiptare”.

Pasi kishte ardhur në Maqedoni e nisi misioni e tij me takime të ndara me përfaqsues të PPD-së, PDSH-së dhe presidentit Trajkovski. Një ditë me thirrjen e tij në Zyrën e OSBE-së në Shkup në bisedë u gjindem unë, Ismet Ramadani dhe Naser Zyberi. Ambasadori Frowik na informoi për mandatin e tij politik dhe qëllimet e ardhjes së tij. Duke e potencuar faktin se ai nuk guxon të takohet me terroristë e la mundësinë indirekte që këshilltari i tij politik të takohet me komandantë lokalë të UÇK-së e të bisedojnë për mundësinë e shpalljes së armëpushimit të dyanshën në aksin Kumanovë-Likovë ku bëheshin granatime të mëdha dhe luftime të ashpra. Nga ana e jonë Ismet Ramadani i premtoi Frowik-ut se ai mund ti bëjë një lidhje këshilltarit të tij politik me komandantë lokalë, gjë që më vonë e kishte bërë.

Gjatë prillit dhe fillimi i majit ne bëmë tre takime pune me Ambasadorin Frowik. Nga ato takime në bazë të informacioneve dhe kërkesave tona Frowik e bëri një plan prej dhjetë pikash për ndalimin e luftimeve, me të cilin plan ishte njoftuar rregullisht presidenti Trajkovski por jo edhe partitë politike maqedonase. Plani Frowik parashihte ndaljen e dyashme të luftimeve në zonat e Kumanovës, intervenimin e organizatave humanitare dhe shëndetsore nëpërmjet Kryqit të kuq ndërkombëtar dhe gjysëmhënës së kuqe, demobilizimin e ushtarëve vendas duke i nxjerrur uniformat ushtarake dhe vazhduar lirshëm si civil, ushtarët që vinin nga Kosova ti nxjerrin uniformat e tyre dhe ta lënë armatimin në istikame dhe në grupe të organizuara të ktheheshin në Kosovë në rutat që i mbante KFOR nën kontroll, të shpallej amnestia e përgjithëshme e ushtarëve të UÇK-së, forcat e OSBE-së dhe KFOR-it javën e parë ta kontrollojnë Zonën ndërsa pas dhjetë ditëve policia e Maqedonisë e përforcuar me policë shqiptarë që ishin të paktë në numër të marrin kujdesin ndaj këtyre fshatrave. Pakoja e dytë e Planit Frowik përmbante fillimin e bisedimeve politike në lëmitë ashtu siç i përcaktuam bashkë si statusi kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni (Preambulla) statusi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqsimi i barabartë në organet dhe institucionet e shtetit, regjistrimi i popullatës të gjitha këto të lidhura me ndryshimet kushtetutare për të cilën gjë politikanët maqedonas ishin alergjikë dhe kundërshtonin.

Pas hartimit të Planit Frowik gazetarët maqedonas zbuluan se janë bërë biseda mes presidentit Trajkovski dhe partive politike shqiptare për ndërprerjen e luftës, këtë gjë e politizuan skajshmërishrt dhe ashpër reaguan edhe partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kjo ishte koha kur ishte java e parë e punës së Koalicionit të zgjëruar kur ministreja e jashtme Ilinka Mitreva kërkoi nga Frowik ta lëshoj vendin, gjë që ai e bëri me elegancë.

Para se te merr vendim ta lëshojë vendin Frowik qe akuzuar nga OSBE dhe Departamenti i shtetit se ai kishte punuar kokë më vete dhe nuk kishte përfaqsuar as OSBE-në e as Departamentin e shtetit.

Kjo u bë me qëllim që të ulen gjakrat te maqedonasit të cilët akuzonin SHBA-të dhe botën perëndimore se u ndihmojnë shqiptarët.

*Autori është diplomat i njohur dhe themeluesi i PPD-së

In : Aktuale

Loading...
loading...