BLENDI PETROL
AktualeStruge

Sot mbledhje komemorative: si kujtohet gazetari, Mehmet Latifi?

Me “Një biçikletë më nuk do të shkojë vërdall nëpër Strugë”, Anita Latifi njoftoi për vdekjen e babait të saj, gazetarin dhe publicistin nga Maqedonia i cili dje rreth orës 11:25 ndërroi jetë.

U njoftua gjithashtu se sot, me fillim prej ora 13:00 Shoqata e Gazetarëve do të mbajë mbledhje komemorative për të ndjerin, Mehmet Latifi.

“Shoqata e gazetarëve dhe miqtë ju ftojnë në takimin komemorativ për kolegun dhe mikun e tyre Mehmet Latifi. Takimi do të mbahet në Teatrin Poshka nesër (05.04) më fillim në ora 13:00”, u tha në njoftim.

Si e kujtojnë të tjerët publicistin dhe gazetarin, Mehmet Latifi?
Publicitisti, Xhabir Ahmeti shkruan:

“Me keqardhje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin se ka ndërruar jetë gazetari dhe humanisti Mehmet Latifi që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Strugë. Mehmeti ka dhënë një kontribut të pashoq për afirmimin e arbneshëve të Zarës, të cilët jo vetëm që e ruajtën me shekuj gjuhën shqipe dhe traditën shqiptare, por ata dhanë shumë personalitete të mëdha të shkencës, letërsisë, sportit, politikës dhe shumë fushave të tjera. Veç tjerash Mehmeti gjithmonë ka qenë pranë dhe u ka ndihmuar gjithë atyre njerëzve të cilët fati i ka ballafaquar me sfida e vështirësi të mëdha”.

Profesori, Salajdin Salihu shkruan:

“Iku në amshim Njeriu i mirë, eruditi, një doajen i gazetarisë dhe afirmues i vlerave supreme të arbëreshëve të Zarës.
Lamtumirë Mehmet Latifi!”

Profesori, Sabaudin Zhuta shkruan:

“Ai që sillej vërdallë për ta kap informaten e së vërtetës, për t’i zbardhur shumë enigma, për të zbuluar personalitetet dhe historitë reale; Ai që pati guximin të futej ku s’duhej, që zbardhi Qazim Bej Vlorën ( djalin e Ismail Qemalit), Edip Ohrin (themeluesin e aviacionit ushtarak në Shqipëri), ilirologun Arbëresh- Stipçeviq dhe shum personalitete e ngjarje tjera… sotë ashtu i qetë, iu dorëzua sëmundjes tinzare!”.

Doktori, Bexhet Asani shkruan:

“Presheva humbi birin e saj, Struga humbi kronistin, shqiptarët humbën gazetarin e shquar Mehmet Latifin. Ike Mehmet një ditë pranvere, kur aroma e luleve do të përzihej me shtëllungën e tymit të duhanit tënd kaçak. Ike në amshim. Ti ike por veprat e tua do të mbesin. Ti ike, por s’ duhej të ikje sepse projektet e tua të mëdha s’ ka kush i përfundon! Ato do të mbesin ëndrra të tua të parealizuara. Ti ishe si shqiponja që i kryen të gjitha punët vetë, ti nuk lije vepra të pa përfunduara: të pamundurën e bëje të mundur! Por ja që çdo gjë nuk varej nga ti..!
Ti ike Mehmet, ike me pengun më të madh në shpirt! Nga shumë dëshira e projekte të parealizuara do të veçoja projektin më madhor tëndin: “Fondin e bibliotekës dhe arkivin e Akademik Aleksandër Stipçeviqit”. E kishe ëndërr që Strugën tënde të dashur ta pasuroje edhe me një bibliotekë. Strugës t’ i shtohej dhe një histori. Këtë pasuri kaq të madhe familjare dhe kombëtare, zonja Stipçeviq ta besoi ty. I kreve të tëra formalitetet ndërshtetërore dhe ja pengesë u bë transporti..! Struga dhe struganët do të kishin nderin që në qytetin e tyre të ruanin dhe të mbanin bibliotekën e ilirologut më të madh botëror Aleksandër Stipçeviq. Por ja që s’ qe e shkruar! Struga mbeti pa një kronist. Struga mbeti me një histori më pak.
Mehmet Latifi ishte dhe mbeti gjer në frymën e fundit burrë i fjalës dhe I besës. E shqetësonin pa masë vetitë e ulëta të njeriut: shpifja, gënjeshtra, vjedhja, padrejtësia dhe mbi të gjitha tradhtia.
Në qytetin tonë të vogël të gjitha punët i kryente me biçikletën e tij. Kur ndonjëri nuk ia dinte emrin thoshte: A e keni parë atë gazetarin me biçikletë!? Ai shfaqej si hije nëpër rrugicat e qytetit piktoresk të Strugës. E shihje aty ku s’ e prisje, hajde dhe mos u ndal pastaj te ndonjë embëltore apo te ndonjë lokal për një qerre me muhabet..! “.

Veterani i UÇK-së, Daim Hiseni shkruan:

“Zemra, mendja dhe pena e tij e shquar, një jetë në përkushtim të lajmit, informimit dhe kritikës së denjë. Veprimtar i dalluar në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit kombëtar. Largpamës dhe vizionar. Mungesa e juaj, është humbje për mbar kombin”.

Gazetari, Enver Pajaziti shkruan:

“Ai ishte gazetari emblematik dhe i dalluar me penën e tij në gazetarinë shqiptare. Një rebel i heshtur i gazetarisë që me punën e tij na shtroi një rrugë dhe një veçantësi në profesionin tonë. Këshillat e tij ishin si një baba, gazetar dhe njeri që kishte dinjitet dhe personalitet të lartë e të palëkundur. Kaluam shumë vite bashkë me te me INA, me hallet e dertet tona. Ai nuk ndalej deri në ditët e fundit, ishte optimist, njeri që na la shumë histori, përvoja dhe mësime për tu përballur me sfida të ndryshme. Baca Mehmeti ishte një nga penat e shquara të gazetarisë shqiptare në Maqedoni, që me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për gazetarinë shqiptare. Ai do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe më gjerë, për punën dhe kontributin e madh në fushën e gazetarisë. Ndarja e tij nga jeta është humbje dhe pikëllim i thellë për ne, familjen, miqtë, për kolegët dhe për gjithë trevat tona. Në bisedat e fundit folëm për punë që duhej të realizonim, vizitonim bashkë, por ja që sot ike papritur. Kujtimi për ju do të ngelet i paharrueshëm. Na bëj halla Bac, Zoti e shpërbleftë me parajsë”.

Si shkruajtën mediat: Ndahet nga jeta doajeni i gazetarisë shqiptare në Maqedoni, Mehmet Latifi
Mehmet Latifi ishte një nga penat e shquara të gazetarisë, ndërsa me shkrimet e tij të dalluara për realitetin dhe përditshmërinë tonë, deri në momentet e fundit të ushtrimit të profesionit nuk u ndal duke qenë një reporter, analist dhe publicist.

Mehmeti Latifi do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të gazetarëve shqiptarë në Maqedoni, Kosovë dhe më gjerë, për punën dhe kontributin e madh në fushën e gazetarisë.

Mehmet Latifi ndërroi jetë në moshë 69 vjeçare. Ai kishte shkruar për komunitetin arbnesh në Zarë të Kroacisë, kurse ishte edhe mik i afërt me albanologun e njohur Aleksandar Stipçeviq.

Mehmet Latifi kishte lindur në Preshevë në vitin 1949, kurse tërë karrierën e tij gazetareske e ngriti dhe e kaloi në Strugë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button