Sot një ndër ditët më të nxehta të vitit

Maqedonia prej sot deri të shtunën do të kaplohet prej temperaturave të larta të fazës së portokalltë. Temperatura në disa vende të caktuara pritet të tejkalojë 40 gradë Celsius.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, sot do të jetë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Në pjesët lindore do të ketë vranësira të vogla deri në mesatare dhe kushte për shi afatshkurtër. Do të fryjë erë mesatare jugperëndimore, e cila përkohësisht do të përforcohet, veçanërisht në perëndim.

Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej 14 deri në 21 gradë, ndërsa ajo e ditës prej 33 deri në 40 gradë Celsius. UV indeksi do të arrijë 9.

Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë rekomandon që të lirohen nga obligimet e punës gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik të moshës mbi 60 vjeç, ndërkaq punëdhënësit ta riorganizojnë orarin e punës me qëllim që të evitohen aktivitetet në ambiente të hapura gjatë periudhës prej orës 11 deri në orën 17.

Rekomandohet të mos mbahen aktivitete sportive në ambiente të hapura në periudhë prej orës 11 deri në orën 17, ndërsa në kopshtet e fëmijëve të mos i ekspozojnë fëmijët në diell në këtë periudhë kohore.

Qytetarët rekomandohen t’i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperaturat e larta, siç janë mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj diellit, evitimi i qëndrimit në ambienbte të hapura në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, mbajtja e veshmbathjes së lehtë me ngjyra të hapura, konsumimi i ushqimit të lehtë dhe lëngjeve, mënyra higjienike e përgatitjes së ushqimit dhe marrja e rregullt e terapisë tek të sëmurët kronik.

Me qëllim që të parandalohet helmimi nga ushqimi, që është dukuri e shpeshtë në periudhën e verës, Agjencia për ushqim dhe veterinari rekomandon që qytetarët gjatë blerjes të mbajnë llogari për pamjen dhe afatin e përdorimit të prodhimit, të blejnë ushqim nga  vende të kontrolluara, ndërkaq produktet lehtë të prishshme të blihen vetëm nga objekte ku ruhen në pajisje për ftohje. Rekomandimi është të evitohet edhe ushqimi me ambalazh të dëmtuar, prodhimet e ftohta apo të ngrira të blihet në fund të blerjeve, ndërkaq, mishi, qumështi dhe vezët të mos ruhen gjatë në automjete.

Nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion në Rrugë bëjnë thirrje që pjesëmarrësit në komunikacion të evitojnë udhëtimet në periudhën prej orës 12 deri në orën 16.

Sipas paralajmërimeve nga DPHM, moti i nxehtë do të përqendrohet deri të dielën pasdite, kur për shkak të depërtimit të shpejtë të masës së lagësht dhe më të freskët ajrore nga veriu priten reshje të shiut, bubullima dhe erë e përforcuar  veriore. Atëherë do të ketë edhe rënie të dukshme të temperaturave.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...