Struga ka nevojë…

Nusret Ziba

Këto ditë fundkorriku dhe fillimgushti, Struga e mori atë gjallërinë që me të vërtetë i takon. Shtëpitë e Strugës dhe të fshatrave përreth u mbushën përplot, ashtu siç u mbushën sheshet, rrugët, lokalet, plazhet dhe çdo cep i Strugës dhe vendbanimeve të saj. Struga u rrit, u bë më e madhe, më e bukur dhe më e gjallë. Por, tek ajo rritje dhe gjallëri u vërejtën edhe shumë mungesa dhe nevoja që për Strugën janë jetike:StrugaLajm

Struga ka nevojë për rrugë më të mira dhe jo për kolona kilometërshe për të arritur në qytet.
Struga ka nevojë për ujësjellës më të mirë dhe jo për sistem të stërvjetëruar të gypave prej azbesti.
Struga ka nevojë për fushën e saj të bukur dhe të lulëzuar nga kulturat e ndryshme bujqësore dhe jo për deponinë mal kancerogjene për struganët dhe uzurpimin e saj në mënyrë të pamëshirshme.
Struga ka nevojë edhe për një liqen të pastër me plazhe të rregulluara, të gatshme për t’u dhënë më të mirën mysafirëve të shumtë që e frekuentojnë atë. Ajo nuk i duron më koncesionerët e paligjshëm të plazheve që e ngulfatën turizmin, nuk i duron më zjarrvënësit e kallamishteve të bregliqenit për të zgjeruar epshet e tyre të pangopësisë së pafundme.
Struga ka nevojë edhe për malet e saj që ia fali Zoti, të mbushur plot me pyje, të gjallëruar nga bota e egër shtazore. Ajo nuk ka nevojë për prerës të pamëshirshëm të pyjeve të saj, pangopësinë e zullumqarëve të veshur me pushtet të paprekshëm.
Struga ka nevojë për zhvillim të mirëfilltë të turizmit liqenor, pse jo edhe të zhvillimit të turizmit fushor dhe atij malor. Struga nuk e duron më zbrazjen e pamëshirshme nga banorët e saj, kryesisht të rinj.
Struga ka nevojë për një menaxhim të mirëfilltë nga njerëz me kompetencë, të ditur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm që t’ia kthejnë Strugës krenarinë e humbur.

Struga ka nevojë…


In : Aktuale

Loading...
loading...