Strugania SABIJE VESELI RRËFEN PËR “MARIGONËN” NË AMERIKË

“Marigona”, Sabije Veseli: Gratë shqiptare në Amerikë të bashkuara për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, kontribut për familjet në nevojë/

Intervistoi: Eneida Jaçaj/

Të gjitha të bashkuara, për një qëllim të përbashkët!
Kur je një emigrant, malli për atdheun, gjuhën, kulturën, ruajtjen e traditave ndizet flakë dhe kurrë nuk shuhet; qëndron në zemrat tona si një pishtar i pashuar dhe si një vigan që kurrë nuk mposhtet! Në tokë të huaj e kupton më së miri sesa shumë e dashuron dhe e vlerëson vendin tënd, zemra të ndjen mall edhe për gurët, atje ku këmba ka shkelur nëpër kujtime që mbajnë gjallë dashurinë për atdheun. Në çdo skaj të botës që emigranti shqiptar të ketë shkelur, gjuha, kultura do ta mbajë gjithmonë të pështjelluar në kujtime, dhe rrënjët se nga vimë nuk do të mohohen. Emigranti shqiptar si çdo emigrant tjetër i botës, e ka lënë vendin për shkak të politikëbërjes atje jo në dobi të popullit, dhe jo se nuk e vlerëson mëmëdheun. Pikërisht, dashuria për atdheun, dëshira e madhe për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditat e ka bërë bashkë komunitetin shqiptar të grave në Amerikë, por jo vetëm. Kjo tregon se kur duam, ne dimë të duam dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Kur dëgjon se komuniteti ynë është i bashkuar në organizime e shoqata për një qëllim të përbashkët, zemra të bëhet vërtet “mal”. Një komuniteti i bashkuar si i yni jo vetëm sjell një copëz Shqipëri, atje ku malli kurrë nuk shuhet, por tregon se jemi të gatshëm për të mos u asimiluar, të ruajmë gjuhën, kulturën, traditat, dhe të japim kontribut me sadopak mundësi që kemi për familjet në nevojë, duke iu gjendur pranë njëri-tjetrit. Sepse bashkimi kurdoherë bën fuqi! Shoqata e Grave Shqiptaro-Amerikane-Marigona, me kryetare zonjën Sabije Dervishi Veseli, është ngritur pikërisht mbi këtë motivacion. Kjo shoqatë është themeluar në nëntor të vitit 2015-të në Pompton Lakes, New Jersey, dhe deri më tani numëron 18 anëtare nga të gjitha trevat shqiptare, gra që kontribuojnë në mosasimilimin e popullit tonë dhe gjithashtu ka një aktivitet humanitar. Kjo shoqatë mban emrin e vajzës që qëndisi Flamurin e Pavarësisë 1912, atë flamur që me aq krenari e ngriti Ismail Qemali në Vlorë, i shoqëruar me një delegacion nga Kosova dhe gjithë viset e Shqipërisë. Zonja Sabije Dervishi Veseli përveçse jep një kontribut të vyer në shoqatë, është edhe autore e dhjetëra librave në shqip dhe anglisht. Në një intervistë për “Diellin”, Veseli shpjegon qëllimin që ka kjo shoqatë dhe i bën thirrje grave të qëndrojnë të bashkuara dhe të besojnë te vetja.

-Kur dëgjojmë se në emigracion janë krijuar shoqata apo bashkime me përbërje të komunitetit shqiptar, të bëhet “zemra mal”. Përveçse sjellim nj ë copëz Shqipërie në vend të huaj, tregojmë se dimë të jemi të bashkuar dhe dimë të mbështesim njëri-tjetrin. Më tregoni pak për historikun e kësaj shoqate, si lindi ideja e krijimit dhe a gjetët mbështetjen e menjëhershme të komunitetit të grave shqiptare?
Faleminderit gazetës “Dielli”, për mundësinë që më jepni, që me disa fjalë të përshkruaj themelimin dhe aktivitetin e Shoqatës “Marigona”, në New Jersey. Shoqata e Femrave Shqiptare Amerikane-Marigona bashkon femrat shqiptare në Amerikë. E themeluar në Nëntor të vitit 2015-të, në Pompton Lakes, Ne w Jersey, Shoqata e Femrave Shqiptare-Marigona numëron deri më tani 18 anëtarë; është shoqatë zyrtare e regjistruar konform ligjit amerikan. Ne gratë në shoqatën tonë takohemi për të biseduar për ide të reja, aktivitete të reja për të ndihmuar ndonjë grua që ka nevoje për ndihmën tonë.

-Ju e keni pagëzuar me emrin Marigona, vajza e cila qëndisi Flamurin e Pavarësisë 1912, atë flamur që Ismail Qemali e ngriti në Vlorë, i shoqëruar nga delegatë të ardhur nga Kosova e gjithë viset e Shqipërisë…
Po ideja dhe dëshira jonë ishte ta pagëzojmë me emrin e vajzës, ku dora e së cilës qëndisi flamurin, i cili u ngrit në Vlorë, në Ditën e Pavarësisë, dhe dëshirojmë që edhe në Amerikë ta ngremë dhe të identifikohemi si femra me kulturë dhe traditë shqiptare.

-Mbi çfarë motivi është ngritur kjo shoqatë, dhe a po e realizon qëllimin e saj?
Qëllimi i formimit të Shoqatës “Marigona” është mbajtja gjallë e gjuhës, kulturës dhe e traditës së kuzhinës tradicionale.StrugaLajm

-Nga cilat treva të Shqipërisë vinë më së shumti anëtaret e reja për t’u b ërë pjesë e “Marigonës”?
Nga të gjitha trevat shqipfolëse, nga Çamëria, Malësia e Madhe, Presheva, Kosova, Shqipëria, Maqedonia. Së bashku jemi një Shqiptari.

-Cilat janë aktivitetet kryesore që shoqata zhvillon mes grave shqiptare?
Në programin e Shoqatës “Marigona” kemi dy aktivitete kryesore: 28 Nëntorin dhe
8 Marsin.StrugaLajm

-A mund të më veçoni një nga kontributet më të vyera që kjo shoqatë ka dhënë për komunitetin tonë?
Nj ë kontribut i veçantë për mua dhe shoqatën është shkollimi i një studenti në Krushë të Madhe. Kemi treguar humanizmin edhe duke ndihmuar gratë me kancer, Spitalin st.jude children’s reaserch Hospital, Veteranëve të Luftës, më pas në Kosovë, Tiranë kemi ndihmuar familje në nevojë.

-Në kohë pandemie, shumë familje kanë patur nevojë për ushqim dhe veshje. A u është gjendur pranë kjo shoqatë këtyre familjeve me sadopak kontribut, për të kaluar atë periudhë të vështirë?
Mundohemi dhe shpresojmë t’ju gjendemi afër edhe pse nuk kemi aktivitete.

-A janë të gatshëm shqiptarët të bëhen bashkë për raste tepër sporadike, për familje vërtet në nevojë?
Po! Jemi një popull humanitar, dorëdhënës dhe bujar për familje në nevojë.

-Sa i bashkuar është komuniteti shqiptar mes veti?
Komuniteti shqiptar në mërgatë është i bashkuar, pa dallim se nga cili qytet vimë.

-Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar në përgjithësi dhe gratë shqiptare në veçanti?
Mesazhi im në përgjithësi për gratë shqiptare në veçanti është që kurrë të mos dorëzohen për endrrat e tyre që kanë dëshirë t’i realizojnë, sepse, një ditë ëndrra e tyre do u plotësohet, sepse janë në vend të premtuar dhe në tokë të bekuar. Jemi femra punëtore dhe duhet të krenohemi me virtytet që kemi si femra dhe si nëna shqiptare. Grave shqiptare kudo që janë, ju dëshiroj shëndet dhe suksese në punë, në krijimtari dhe art.

-A keni një thirrje apo këshillë për të gjithë shqiptarët që shkelin për herë të parë në USA?
Mesazhi im ose këshilla ime është që ato që vinë për herë të parë në Amerikë, të mos dorëzohen, sepse dyert e shpresës janë të hapura për të gjithë. Ne shqiptaret ndihmojme njëri-tjetrin dhe jemi humanitarë.

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...