Sukses i shkëlqyer i nxënësve strugan në olimpiadën ndërkombëtare të gjuhës angleze në Rumani

Na jep kënaqësi dhe krenari të madhe të ndajmë lajmin për suksesin e jashtëzakonshëm të nxënësve të Gjimnazit” Dr Ibrahim Temo “të Strugës dhe mentorëve të tyre në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze, mbajtur në Konstancë, Rumani, nga data 1 deri më 8 shtator 2024.

Për herë të dytë, nxënësit tanë morën pjesë me sukses në këtë ngjarje prestigjioze, duke përfaqësuar shkollën, qytetin dhe vendin tonë në mënyrën më të shkëlqyer. Këtë vit, ata fituan vendin e parë në kategorinë e projekteve të përbashkëta, duke dëshmuar aftësi të larta dhe kreativitet të admirueshëm.

Në këtë garë ndërkombëtare, nxënësit Vlera Polozhani, Ali Rexhep Agiç, Marija Misoska dhe Edona Islami konkurruan në tre kategori të ndryshme. Ata arritën të triumfojnë në kategorinë e projektit të përbashkët të bazuar në një libër të dhënë nga komisioni i Olimpiadës, duke fituar vendin e parë. Po ashtu, nxënësja Vlera Polozhani tregoi një performancë të shkëlqyer në kategorinë individuale, duke zënë vendin e katërt nga 130 pjesëmarrës dhe duke marrë një përmendje të veçantë (honorable mention).StrugaLajm

Një sukses i tillë nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe angazhimin e mentorëve Mirlinda Sheh, Vlera Nushi dhe Lidija Poposka, të cilat u nderuan me certifikata ndërkombëtare për pjesëmarrje aktive dhe kontributin e tyre si anëtare të komiteteve të ndryshme të Olimpiadës.

Ky sukses është një dëshmi e përpjekjeve dhe punës së palodhur të të gjithë pjesëmarrësve, duke sjellë krenari të madhe për komunitetin tonë.

In : Aktuale

Loading...
loading...