Taravari :Ministria e shëndetësisë e ndjek me vigjilencë situatën në Gostivar

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në një postim në rrjetin social facebook ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për sëmundje ngjitëse edhe gjatë ditës së sotme i ndoqi ngjarjet të lidhura me dy rastet fatale të pacientëve me formë të rëndë akute progreduese të sëmundjes febrile me përfshirje multiorganike.

“Gjatë ditës së djeshmë, ekipe profesionale të Institutit të Shëndetit Publik dhe Qendrës për shëndet publik-Tetovë, dolën në terren në fsh. Simnicë, ku kryen ekspertizë dhe anketë epidemiologjike, me cka është bërë deratizimi dhe dezinsektimi i shtëpive dhe objekteve të të ndjerëve, janë marrë mostra për analiza për ujin e pijshëm, është bërë edukim shëndetësor të popullatës për simptomet dhe prevenimin e sëmundjes”, ka thënë ministri Taravari.

Gjatë ditës së sotme, ka shtuar ai, ekipet profesionale përgjegjës së bashku me Agjensionin për ushqim dhe veterinë, i zgjeruan mbikëqyrjet e rrethit më të gjërë, duke përfshirë vathën ku kanë qëndruar disa nga të prekurit.“Ekipi i Ministrisë së Shëndetësisë me përfaqësues të Klinikës infektive, e vizituan repartin infektiv pranë Spitalit të përgjithshëm Gostivar, gjatë së cilës kryen konsultime metodologjiko-profesionale me personelin mjekësor. Posa morëm rezultatet e analizave për dy të ndjerët, përmes së cilave me teknika të larta sensitive është vërtetuar shkaktari etiologjik – virusi Hantan, shkaktar më i shpeshtë i etheve akute hemorragjike me sindrom renal në këtë rajon.

Ju informojmë se kjo sëmundje NUK transmetohet nga njeriu në njeri. Ministria e shëndetësisë edhe më tutje e ndjek me vigjilencë situatën.”, thuhet më tej në reagimin e tij./Gazeta Express/StrugaLajm

 

In : Aktuale

Loading...
loading...