Të rinjtë ikin, shteti s’ka strategji


Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore (BB), dhjetë vitet e fundit jashtë Maqedonisë jetojnë dhe punojnë më shumë se 29 për qind e personave me arsim të lartë, ndërsa në përgjithësi numri i të rinjve që çdo ditë po ikin nga Maqedonia shkon deri në 21 për qind. Kështu rezulton raporti i fundit i Bankës Botërore (BB). Pagat e ulëta, mungesa e mundësisë për trajnim dhe zhvillimit të karrierës, pengesat për kualifikime akademike dhe besueshmëria personale, mungesa e lirisë në hulumtime, izolimi nga debatet akademike ndërkombëtare, janë shkaqet kryesore e “ikjes së trurit”

Zejnulla VESELIStrugaLajm

Shkup, 18 shkurt – Nga viti 2008 e deri më sot jashtë Maqedonisë jetojnë dhe punojnë më shumë se 29 për qind e personave me arsim të lartë, ndërsa në përgjithësi numri i të rinjve që çdo ditë po ikin nga Maqedonia shkon deri në 21 për qind.
Kështu rezulton sipas raportit të fundit të Bankës Botërore (BB), në të cilin, ndër shkaqet kryesore për “ikjen e trurit” janë pagat e ulëta, mungesa e mundësisë për trajnim dhe zhvillimit të karrierës, pengesat për kualifikime akademike dhe besueshmëria personale, mungesa e lirisë në hulumtime, izolimi nga debatet akademike ndërkombëtare, përballja e shtetit mosstabilitetin politik dhe ekonomia e keqe, shkruan gazeta KOHA.
“Migrimi ilegal vazhdon të mbetet njëri nga problemet themelore të institucioneve të Maqedonisë. Pavarësisht thirrjeve publike nga funksionarë të lartë shtetëror, se migrimi është sakrificë që nuk ia vlen, megjithatë ikja e të rinjve sidomos të atyre që kanë të kryer fakultete po vazhdon në mënyrë të heshtur, madje statistikat në Maqedoni flasin për një ikje të madhe jashtë Maqedonisë”, thuhet në raportin e fundit të BB-së.
Edhe hulumtimet tjera të kryera nga shumë Organizata Joqeveritare (OJQ) në Maqedoni, zbulojnë se është i madh numri të rinjve që ëndërrojnë të ikin nga Maqedonia për një jetë më të mirë.
“Shpërngulja e të rinjve pavarësisht se çfarë arsimi kanë, vazhdimisht është në rritje dhe se mbi 50 për qind e të anketuarve kanë shprehur ambicie për migrim në BE”, thuhet në anketat e realizuar nga OJQ-të në Maqedoni.
Profesori Zhidas Daskalovski nga Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave (QHKP) thotë se pamundësia e qytetarëve të Maqedonisë sidomos atyre më arsim të lartë për të gjetur punë në Maqedoni është edhe një faktor kryesor që ka bërë shumë të rinj të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.
“Migrimi i kuadrove të larta profesionale është proces normal në të gjitha vendet e botës. Kur kemi parasysh parametrat ekonomik dhe social në të cilët gjendet këto 10 vitet e fundit Maqedonia dhe me një vizion të paqartë për të ardhmen e tyre, është e natyrshme që do të rriten ambiciet e njerëzve që të dalin jashtë Maqedonisë”, thotë për KOHA, Daskalovski.
Sa i përket veprimeve që duhet të ndërmerr qeveria aktuale që të parandalojë ikjen e të rinjve në vendet e ndryshme të BE-së, Daskalovski thotë se ofrimi i kushteve më të mira për jetesë, punësim, rroga më të larta, e shumë gjëra të tjera mund të kontribuonte ne ndalimin e “Ikjes së trurit”.
“Maqedonia duhet të bëjë përpjekje që politikat tatimore dhe kushtet e jetës për rinjtë t’i bëjë më të lehta që t’i mbaj kuadrot e lartë arsimor në mënyrë që ata të mos ikin jashtë vendit. Për fat të keq Maqedoni është larg kushteve të këtilla, mbisundon nepotizmi dhe partizimi. I rëndësishëm është dhe vendosja e drejtësisë që do të kontribuonte në krijimin e kushteve më të mira që të rinjtë mos të shpërngulen në vendet të ndryshme të botës”, thotë Zhidas Daskalovski nga QHKP. Për sociologun Ali Pajaziti shkaqet që qytetarët e Maqedonisë me arsim të lartë shpërngulen drejt vendeve të ndryshme të botës janë të shumta. Pamundësia për t’u vetërealizuar në një shoqëri skajshmërisht të korruptuar, ku vlerat dhe meritat nuk vlejnë gjë prej gjëje, ku gjithçka, edhe punësimet në nivelet më të ulëta janë politizuar, ku nuk çmohen shkathtësitë e individit apo të kuadrove, por përkatësia njërës apo tjetrës proveniencë politike, sipas tij, janë disa nga shkaqet.
“Klima ekonomike dhe ajo politike gjithashtu ndikon shumë në braktisjen e vendit nga të rinjtë. Pagat tepër të ulëta, dilemat rreth ardhmërisë së vendit, tanimë paksa të zbutura, i bëjnë të rinjtë të ndjehen të pasigurt për t’i bërë planet e jetës këtu andaj i bëjnë diku tjetër, larg vendlindjes, pa të afërmit por afër meritokracisë dhe parave. Si do ketë ardhmëri kur një i ri duhet të vijë nga Gostivari në Shkup për 350 euro, me të cilat duhet ta paguajë rrugën, të ushqehet, të mbajë familje, të paguajë fatura e tjera”, thotë për KOHA, Pajaziti. Sipas tij, mënyra e vetme që të parandalohet ikja e qytetarëve me arsim të lartë është që shteti duhet të bëhet i drejtë para së gjithash, t’i selektoj kuadrot sipas peshës së tyre intelektuale dhe profesionale.
“Duhet t’i mbështesë bizneset e vogla dhe të mëdha që të ketë punësime të reja, të krijojë klimë pozitive, vetëbesim tek prindërit dhe te vetë të rinjtë, se vërtet po bëhet mirë, jo t’i mbyllë sytë para skandaleve, që edhe më tepër të bëjnë të humbësh shpresën se ky vend do të bëhet ndonjëherë”, thotë Ali Pajaziti profesor në Universitetin e Evropës Juglindore. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...