Telenovelat ndërmjet suksesit dhe kiçit..!

jetojmë në një shoqëri konsumatore, kështu që të rrinjtë ndryshojnë nga qenie krijuese në konsumatorë egoistë dhe pasivë. Media është një paradigmë e përcjelljes së normave përgjithësisht të pranuara që ne i quajmë moral, ndërsa përmes telenovelave, shumë shpesh cenohet morali, kultura gjuhësore dhe ajo artistike. Në to tolerohen gabimet gjuhësore, shkelen parimet artistike dhe estetike, futen zhargonizma, vulgarizma, fjalë të panevojshme dhe shumë gjëra të tjera që cenojnë, gjuhën, artin dhe moralin.

Motivimi për të mësuar vlerat zvogëlohet dhe njerëzit në këto përmbajtje të diktuara e mbytin ambicien dhe e përvetësojnë këtë gjuhë dhe përmbajtje në jetën e tyre të përditshme.
Media nuk është vetëm një burim i rëndësishëm informacioni, edukimi dhe argëtimi, por gjithashtu (gjithnjë e më shumë) një burim manipulimi dhe indoktrinimi.

Bollëku i programeve që përmbajnë vetëm seriale me përmbajtje argëtuese dhe të dhunshme po ndryshon mënyrën se si televizioni përmbush funksionin kulturor dhe arsimor, si dhe rolin e tij në procesin e globalizimit. Njeriu është qenie shoqërore dhe mediat funksionojnë si instrument me të cilin qytetarët marrin pjesë aktive në funksionimin e shoqërisë.

Megjithatë, mediat na servojnë vetëm iluzionin se jemi pjesë aktive e sistemit, ndërsa në fakt pasivizojnë shikuesin, sepse komunikimi është ekskluzivisht njëkahësh. Janë një zgjatim i qendrave të caktuara, të cilave u jepet mundësia të sundojnë popullin për qëllime tregtare dhe politike. Kështu manipulon media me qëndrimet e konsumatorëve të saj. Në vend të qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, ata bëhen konsumatorë jopersonalë të produkteve mediatike.
Telenovela gjithashtu i portretizon gratë në një dritë të rreme.StrugaLajm

Shumica e femrave në telenovela duket se janë më të bukura, më të aksesueshme dhe më të pavarura ekonomikisht se femrat mesatare, gjë që sipas teorisë së kultivimit mund të çojë në humbje të vetëbesimit ose në një pamje të shtrembëruar të shikuesve ndaj botës. Nëse gratë nuk e njohin veten në personazhet që shohin në telenovela, ato mund të bëhen të pakënaqura me jetën e tyre dhe të ndihen të pavlera, sepse luftojnë me problemet e përditshme, ndërsa gratë në telenovela janë bose të suksesshme të kompanive prestigjioze.

Është e qartë se krahas aspekteve të këqija ka edhe aspekte të caktuara pozitive të zhanrit, megjithatë, duket se e para dukshëm mbizotëron, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një seri prodhimesh më të dobëta. Nëse shumica e pasojave që lë kjo përmbajtje, kryesisht me cilësi të diskutueshme, janë negative, pse janë kaq shumë të përfaqësuara në programet televizive? Por si duket, kur përfshihet paraja, etika zhduket nga pamja dhe më pas të gjitha pasojat sociologjike dhe kulturore bëhen të parëndësishme.

In : Aktuale

Loading...
loading...