Tradhti!-Arben Taravari

Motivi politik është pervers, pasi nuk është parë e dëgjuar që në emër të Lirisë të falet krimi, e për më shumë nuk është parë e dëgjuar që të falen vrasësit e dikujt nga shoku i tij i luftës! Me këtë logjikë, atëherë i bie që Adolf Hitleri të falej në emër të një Gjermanie më të mirë!

Nga Arben TARAVARI

Bëmat dhe gjëmat nuk kanë të sosur në Maqedoni! Është interesante se si gjithnjë e pësojnë Shqiptarët! Ende më interesant është fakti që tashmë është një Kurban me emër dhe mbiemër, ai e ka emrin Ziadin Sela!

Në 27 prill të vitit të tmerrshëm 2017 Sela, i cili në atë botë ndodhej në sallën e parlamentit, u rrah barbarisht me qëllim eliminimin e tij fizik, nga një grup njerëzish të cilët u cilësuan si fanatikë të VMRO-së, e u aludua që ishin deri të burgosur apo të çmendur, të cilët ishin liruar nga burgjet dhe spitalet për të vrarë Ziadinin. Pamjet e trupit të tij të mbuluar me gjak që tërhiqej zvarrë, të qarkulluara në çdo media, traumatizuan fëmijët dhe gruan e tij, prekën çdo shqiptar pavarësisht bindjeve politike, dhe puna shkoi deri në atë pikë sa vet kryetari i SDSM-së, tashmë kryeministër, të prekej aq shumë nga kjo dhunë e paprecedentë sa të deklaronte që Drejtësia do të shkonte në vend.

Planet që Sela të vdiste e Grueski mos të binte nga pushteti, dështuan. Sela luftonte me jetën ama nuk vdiq, kurse Zaevi, i sulmuar dhe ai, arriti të bëhej kryeministër i vendit dhe Gruevski ra nga karrigia aq e lakmuar e 1-it të shtetit. Ziadini dalëngadalë po e merrte veten, filloi të ecte nga pak, nga infuzionet që merrte për të ndenjtur gjallë, nisi të hante ndonjë lugë supë, dhe pasi pastroi disi fytyrën nga hematomat takoi fëmijët e tij të cilët qanin kur e përqafonin se kishin frikë mos ju vdiste babi nga “kjo politika”. Me një tufë tabletash në xhep, me dëmtime të pariparueshme nga goditjet që kishte marrë, Ziadini vendosi të vazhdonte përsëri rrugën që kish nisur. Ai ndihej krenar, jo dhe aq që kish larguar Grueskin, por mbi të gjitha, sepse kishte arritur që të shmangte luftën, të cilën në 27 prill mund ta fillonte vetëm me një fjalë.StrugaLajm

Besonte Ziadini që pavarësisht se beteja politike për pak desh i kishte marrë jetën, ja kishte vlejtur gjithçka, tashmë Evropa dhe Bota i kishte sytë nga shqiptarët e tij dhe nga maqedonasit, të cilët mund të bashkëjetonin më mirë me një politikë të re! I doli puna huq atij, mua dhe çdo shqiptari të ndershëm.

Qeveria e re Reformatore, u fut në zyrat drejtuese me të njëjtat kollare të vjetra, të cilat e kishin alergji çdo individ me parime. Synimi i vjetër NATO u shndërrua në obsesion dhe ndryshimi i emërtimit të shtetit solli disa faktura, të cilat prapë kërkojnë Shqiptarë dhe Selën veçanërisht si Kurban! Turma e kriminelëve të cilët rezultuan të tillë nga Drejtësia u shpallën të pafajshëm!StrugaLajm

Kështu pra u falën nga shteti dhe do qarkullojnë të lirë nëpër rrugët e Maqedonisë të gjithë ata njerëz që goditën me shkelma në trup, brinjë e sidomos kokë Selën. U shpallën qytetarë të lirë të gjithë ata njerëz të cilët nuk donin gjë tjetër veçse të vdisnin Ziadinin atë natë. Në emër të kujt dhe nga kush?! Motivi politik është pervers, pasi nuk është parë e dëgjuar që në emër të Lirisë të falet krimi, e për më shumë nuk është parë e dëgjuar që të falen vrasësit e dikujt nga shoku i tij i luftës! Me këtë logjikë, atëherë i bie që Adolf Hitleri të falej në emër të një Gjermanie më të mirë!

Në emër të paqes të faleshin terroristët e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Le të boshatisen burgjet! Le të mos ketë më Ministri të Drejtësisë në emër të vet Drejtësisë! Le të mbyllen Gjykatat në emër të Pafajësisë!

Mjerë ne! Shteti ynë i cili kap miza e flutura, por fal Hijena e Pantera! Mjerë ne që rrimë të qetë në shtëpitë tona kur të gjithë tashmë e dimë se LIGJËRISHT ÇDO SHQIPTAR ËSHTË KURBAN I NJË MAQEDONIE MË TË MIRË! Ziadin, miku im, unë kisha fatin e hidhur të isha atë natë të tmerrshme të 27 prillit me ty, atë natë ku edhe si mjek mendoja se do nuk do dorëzoheshe, atë natë kur mendoja se si do ja thoshim gruas tënde dhe fëmijëve të tu të mitur se Baba Vdiq… Mbijetove për t’u tradhtuar! E keqja është se nuk u tradhtove vetëm ti, por çdo shqiptar i ndershëm si ty!

Si përfundim nuk jetojmë më në një vend të sigurt! Mund t’ju rrahin në kinema se ju keni zënë pamjen, mund t’ju rrahin në spital se keni zënë shtratin pranë dritares, mund t’ju rrahin në polici tek akuzoni një vjedhje se nuk po ju pëlqen gjuha që flisni, mund t’ju rrahin në opera se nuk ju pëlqen veshja juaj, mund t’ju vrasin fëmijët se i acarojnë të qeshurat e tyre! Shqiptarë: prisni gjithçka në emër të NË JETE MË TË MIRË! Ne jemi viktimat që ju falen fajtorët!

Sepse, ne kemi defekt të patolerueshëm: ne kemi lindur shqiptarë…mendër me thënë 20%-i…për këtë shtet është Hero ai që vret një Shqiptar, nëse jo hero të paktën është i Pafajshëm!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...