Trashegimia qe la prof. Ymyt Zendeli!

Keto ditë u futëm në muajin e nëntë që mes nesh nuk është profesor Ymyt Zendeli. Nuk kisha shkruar më herët sepse nuk desha teksti të jetë plot patetizëm që ndodh në ditet e para pas shkuarjes në amshim të njerëzve që i kemi dashur. Desha të jetë një tekst-reflektim mbi njeriun qe njoha une që në fëmijërinë time të hershme pas asaj dite te bukur Maji kur prindërit më kishin blerë një kitarë për ditëlindje.

Po shkuaj në muajin e nëntë pas humbjes së profesorit e si koinçidence Neptuni është planeti i nëntë në sistemin solar dhe në astrologji përfaqëson ëndërra, intuitë dhe imagjinatë. Ne të gjithë e dinjim sa profesor Ymyti e deshte Fizikën e sidomos Astrologjinë. Astrologjia ishte edhe arsyeja kryesore që i biri i tij quhet Astrit dhe grupi i pare me të cilën regjistruan disa albume muzikore në vitet 90 quhej “Aurora”. Ky ishte edhe një tregues shtese se sa më komplekse dhe më e thelle ishte bota e tij edhe se në komunikimin me gjithe neve ai tregonte një modesti në cdo kontakt që kishim. 

Ymyt Zendeli ishte bir i nje familje të vjetër Strugane që kishin arsimin në fokus shumë herët edhe se ishin të varfër si shumica e familjeve në Strugë. Nga një qytezë e vogel e viteve 50, nga kjo familje dolën dy djem intelektual pasionant për shkencat natyrore. Shkencat natyrore lidhen me afrimin natyror të studimit të universit dhe origjinën e ligjeve të natyrës. Në këtë fushë shkëlqyen edhe profesor Ymyti në Fizik dhe prof. Bashkimi në Matematikë, i cili akoma është profesor universitar në shtetin e Miçiganit në SHBA. Natyrisht mos harrojmë që influencë në formimin e tyre kishte edhe daja i tyre, profesor Nexhat Mustafa, i cili përveç që ishte një biolog i  shquar , ai njihte shumë mire letrat dhe krijimin, e ishte autor i dhjetra dramave të luajtuara në teatrin e Shkupit, romaneve,  pjesëve skenike dhe poezive të botuara.

Cila ishte trashëgimia që la profresor Ymyti?StrugaLajm

Ku pershkruan një intelektual të këtij kalibri, shpesh mbajmë mend më shume prezantimet skenike dhe vizuale sesa aspektet profesionale. Keshtu ishte edhe rasti i prof. Ymytit. Ai me shume adhurohej për pasionin e tij jetësor qe ishte kitara sesa për fizikën. Per fatin e qytetit tone, pasioni i tij u shpernda në Struge tek qindra nxënës dhe pasues të këtij instrumenti. Johny Marr i grupit “The Smiths” e quante kitaren një mënyrë jetese që nuk të lë asnjhere të vetmuar dhe e shihte si një mundësi për të ekspoluar teritore e disciplina të reja por edhe përjetime të ralla jetësore. Kjo ishte edhe eksperienca jonë si kitaristë të rinj gjatë orëve të para të kitares me prof. Ymytin. Nje mundësi për “eskejpizëm” nëpërmjet pasionit dhe dashurisë për muzikën. Nuk ishte vetëm kitara që të sillte këtë gjëndje por në shumë raste ishte fryma që profesori sillte gjate studimit të instrumentit.  Megjithatë të mos mbesin vetëm fjalë po ju ftoj qe ne linkun në vazhdim te degjoni një permbledhje të mrekullueshme nga albumi i tij i pa publikuar “Quantum Guitar” : https://www.youtube.com/watch?v=_j-pmeh_fVw

A mjaftonte vetëm kitara?

Cila ishte risia tjetër që ai sillte në Strugë? E para dhe gjithmone e dukshme ishte eleganca e tij në veshje. Edhe se jetonte ne Strugen e vogel ai cdo dite visheshte sikur pasdite do të kishte koncert me Xhimi Hendriks ne skenë. Pra nuk merziteshte shume nëse jetonte në një qytet ku monotonia shpesh të përplaset në fytyre. Ai nuk jetonte për provincialët e as për opinionin, por për jeten që kishte imagjinuar bashkë me idhujt e tij si Ajnshtajni, Xhimi Hendriks, Deep Purple, The Who etj. Sa herë që shkonjim në shtëpinë e tij cdo herë zbulonjim kitara të reja, kaseta të ralla por edhe revista rroku që çdo muaj vinin nga Amerika. Pra profesori respektonte secilin por nuk afektoheshte lehtë nga provincijalizmat në Strugë. Ai ishte vetë një Metropolitan që kishte studjuar në Prishtinë ku kishte marrë edhe ftesë për të qënë asistent atje por nuk kishte pranuar, poashtu kishte jetuar në Amerikë por megjithatë kishte vendosur që jetën metropolitane ta bëj në Strugë. Kjo ishte nje zgjedhje që shpesh e kujtonte në biseda duke i spikatur përparësitë e të jetuarit buz liqenit por me ëndërra plot.     StrugaLajm

Të jetosh për të motivuar!

Profesor Ymyti nuk e kishte jetën rozë plotësisht. Si shumë njerez të tjere edhe ai ishte perballuar me shumë sfida në jetë nga të cilat nuk kishte dalë lehtë. Megjithatë miresinë qe ai ndjente dhe ta shprehte ishte virale në optimizem. Ai në një farë mënyre jetonte më maksimat e Xhon Spense i cili sqaron që kur ti zgjedh të gjesh të mirën te cdo person që takon, ti arrin te gjesh të miren edhe te vetja jote. Ai inspironte me shumë dashamirësi brezin e ri që të arrijnë potencialin e vet. Mbase duket e egzagjeruar por unë këtë e kam ndjerë personalisht. E mbaj mend që në vitet 90 kur përpiqesha te tregoj zhdervjellësitë e mia ne kitare përpara profesorit ai më tha.. kjo nuk mjafton, ti duhet të fillosh edhe të këndosh!! Për mua qe kisha idhull Erik Klepton kitara mjaftonte, por më vonë e kuptova që profesori kishte shumë të drejtë. Të dish dhe te provokosh më të mirën te njerëzit është një virtyt i rrallë dhe pastaj mbetet në dorën tënde si individ që të arrrish potencialin tënd maksimal të cilin ja ke borxh qënies tënde dhe shoqërisë ku jeton.      

Profesor Ymyt Zendeli nuk kurseu dashurine ndaj njerëzve në këtë qytet. Ofroi leksione fizike dhe muzike pafund dhe la gjurmë positive në mbamendjen e këtij qyteti.  Gjurmë që nuk pyesin per parti politike, provincializma dhe paragjykime por as edhe për para. Gjurmë qe na bënë krenar që e kishim. Ai përpiqej të jetonte me sintagmen që njeriu duhet te jetë ëndërrimtar qofte edhe kur jeta nuk të trajton drejtë. Ai sot vazhdon mes yjeve dhe idhujve të vetë në sistemin solar duke na kujtuar qe nuk ka qytete të vogla me ëndërra të vogla dhe se endërrat duhet të jenë gjithmonë të medha, ose  të pakten sa Neptuni i cili është 57 herë më i madhë se rruzulli tokësor. Qytetet e vogla kanë nevoj për perzonazhe të tillë sepse pasionet dhe avangarda të bën të kuptosh qe lumturia nuk është jashtë atje diku në hapësirë ose midis njerëzve por brenda çdo qënieje njerëzore dhe këtë lumturi duhet ta ftojme që të jetë përditshmëria jonë ashtu sic e gjente edhe profesor Ymyti ne çdo njeri dhe çdo cep të Strugës.

Me respekt,

Prof. Dr. Agim Poshka


Loading...
loading...