TVSH nuk ndryshon, shqyrtohet rritja e tatimit personal

Qeveria në të ardhmen nuk planifikon të rrisë shkallën e Tatimit të Vlerës së Shtuar, ndërsa në muajt në vijim do të ketë një debat më të gjerë lidhur me përfitimet, por edhe humbjet nga rritja eventuale e tatimit në të ardhura për qytetarët me paga më të larta, shkruan gazeta KOHA. Jozyrtarisht pritet që shteti të ndërmarrë reformë më të gjerë tatimore për të mbuluar mungesën kronike të parave si dhe mbulimin e borxheve të mëdha të shtetit. Përflitet se ndër zgjidhjet e shtrëngimit të financave publike, janë edhe kontributet më të larta për punëtorët, tatimi më i lartë në paga, tatimi më i lartë në fitim apo edhe rritja e TVSH-së.

PROBLEM EDHE PAGA E PENSIONEVE

Rishqyrtimi i politikës tatimore apo mbushjes dhe harxhimit të arkës së shtetit imponohet edhe nga niveli i lartë i borxhit publik prej më shumë se pesë miliardë euro, faktit se shteti vite me radhë ka deficit buxhetor negativ prej disa për qind, për shkak se të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, andaj edhe bilanci buxhetor është negativ. Me fjalë të tjera, shpenzimet publike për një vit kalendarik janë më të larta se të ardhurat publike. Gjithashtu problem për financat e shtetit paraqesin edhe harxhimet e mëdha për pagesën e pensioneve për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve nga njëra anë dhe ulje së numrit e të punësuarve që e mbushin arkën e shtetit përmes pagesës së tatimeve dhe kontributeve sociale. Vetëm sivjet për pagesën e pensioneve janë parashikuar mbi 830 milionë euro, ndërsa prej tyre më shumë se 450 milion euro do të mbulohen nga buxhetit i shtetit. Në ndërkohë, analistët ekonomik vlerësojnë se nuk duhet nxituar me reformat tatimore, të cilat nevojitet mirë të analizohen dhe të shqyrtohen që të mos sjellin më shumë dëme për ekonominë, biznesin dhe popullatën.

“Pjesë e analizës janë edhe efektet dhe përfitimet nga rritja eventuale e tatimit personal në 18 për qind për të ardhurat më të larta, si dhe shkalla e pandryshuar prej 10 për qind për pagat më të ulëta”, thotë për KOHA, eksperti ekonomik Pavle Gacov. Sipas konsulentit ekonomik, Goran Rafajllovski, nuk duhet të ketë rritje të shkallës së tatimit personal, ndërsa nëse eventualisht një masë e tillë është e domosdoshme, ai duhet të rritet për vetëm 2 për qind. Rafajllovski rekomandon rritjen e butë të TVSH-së.

“Nevojitet të rritet shkalla e TVSH-së nga 18 në 20 për qind, që nuk do të sjellë luhatje më të mëdha të çmimeve ose rritja do të jetë e vogël për nevojat e përditshme të jetesës. Nga ana tjetër, rritja e TVSH-së mund të sjellë në buxhet 200 milionë euro që paraqet shumë serioze për mbushjen e gropave të arkës shtetërore”, shton më tej Rafajllovski.StrugaLajm

Nga ana tjetër, nga Ministria e Financave, i kanë hedhur poshtë informacionet për rritjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar për 2-3 për qind, duke i cilësuar thjeshtë si spekulime. “Shkalla e TVSH-së nuk do të ndryshohet. Një gjë e tillë nuk është parashikohet as me plan programin qeveritar. Deri në fund të vitit do të hapim debatin për vendosjen eventuale të shkallës progresive të tatimit personal në të ardhura. Gjithashtu, të gjitha ndryshimet do të miratohen në mënyrë transparente dhe me përfshirjen e opinionit të gjerë”, thonë nga Ministria e Financave.

Lidhur me efektet e pritshme të reformave tatimore, analistët ekonomik thonë se jo çdo herë rritja e tatimeve nënkupton edhe të ardhura më të mëdha në buxhet për shkak të mundësisë që obliguesit tatimor t’i ikin evazionit fiskal apo thjeshtë të fshehin tatimin.StrugaLajm

“Ndryshimet në shkallën e tatimit personal në të ardhura, nëse rriten për të gjithë të punësuarit, përkundër nivelit të pagës, mund të sjellin ulje të pagave të punëtorëve që do të ulë konsumin dhe do të ndikojë në arkën shtetërore. Nevojitet të shikohet se sa do të realizohen paralajmërimet lidhur me kufirin, prej të cilit do të rritet shkalla e tatimit personal. Nëse ai vlen vetëm për ato që kanë paga prej 60 mijë denarë, që si pranues të pagave nuk janë të shumtë në numër, dyshoj se çfarë efekti do të ketë një rritje e tillë”, thotë për KOHA, analisti ekonomik, Sllobodan Najdovski.

Sipas tij, rekomandohet që të ketë rritje të shkallës tatimore vetëm te tatimi në pronë që do të sjellë të ardhura më të mëdha për komunat, më shumë të holla do të mbesin në arkën shtetërore që nënkupton edhe më pak mjete shtesë të transferuara nga buxheti qendror për financimin e komunave.

EDHE NJË PAGË SHTESË!

Ndryshe, në plan programin e LSDM-së, “ Plani për jetë”, parashikohet që çdo qytetar të fitojë nga 15 për qind të TVSH-së së paguar nga llogaritë fiskale, që nënkupton se në fund të vitit edhe një pagë shtesë për çdo familje. Parashikohet vendosja e sistemit të drejtë tatimor ku të varfrit do të paguajnë më pak, ndërsa të pasurit më shumë. Pesë për qind të qytetarëve me bazë më të lartë vjetore tatimore do t’u vendoset shkallë tatimore prej 18 për qind, për shumën e të ardhurave shtesë. Pragu do të definohet në bazë të shumës absolute në bazë të paraqitjeve tatimore për vitin 2016. Për shumicën e qytetarëve do të mbetet shkalla ekzistuese e tatimit personal në të ardhura prej 10 për qind. Investitorët dhe biznesi kërkojnë parashikueshmëri dhe stabilitet të ligjeve dhe ambientit afarist, andaj nuk do të rrisim shkallën unike prej 10 për qind të tatimit në fitim. Do të vendoset mundësia e shkallës tatimore për tatimin në pronë për patundshmëritë rezidente dhe jorezidente, me vlerë më të lartë se 400 mijë euro që do të rritet për 0.1 për qind. Qytetari që posedon një shtëpi apo banesë ku jeton me familjen e tij, shkalla e tatimit në pronë do të jetë 0.05 për qind e vlerës së banesës apo shtëpisë. Për posedim e banesës apo shtëpisë së dytë, shkalla e tatimit do të jetë 0.1 për qind, ndërsa për shtëpinë e tretë shkalla e tatimit do të jetë 0.15 për qind. Shkalla e akcizës për veturat më të shtrenjta se 40 mijë euro pritet të jetë 25 për qind.

In : Aktuale

Loading...
loading...