Vdes foshnja nga fruthi,apel për vaksinim

Fruthi shkaktoi viktimën e parë.
Një foshnje 6 muajshe ndërroi jetë sot në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup.
Sipas raportit mjekësor fëmija ka qenë në gjendje kritike nga infektimi i fruthit dhe nga temperatura e lartë. Përveç kësaj foshnja ka pasur probleme me zemrën dhe mushkëritë.

“Për fat të keq duhet t’ju informojë se sot ka ndërruar jetë një foshnje 6 muajshe, me fruth. Ka pasur komplikime në mushkëri dhe nuk ka qenë e vaksinuar. Foshnja ka qenë njëherë e mjekuar në Klinikën në Kozle, pastaj është dërguar në Klinikën për sëmundje infektive. Për fat të keq doktorët nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë komplikimeve”, u shpreh Ministri i Shëndetësis Venko Filipçe.

Ministri i shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse siç tha kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë.
Ndërkaq nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se është dyfishuar numri i të prekurve nga fruthi.

“144 fëmijë apo 71% janë të pa vaksinuar, dhe këto fëmijë janë më të ekspozuar ndaj sëmundjes dhe tek to pritet që sëmundja të depërtojë dhe të shkaktojë komplikime. 32% e këtyre fëmijëve janë nën një vjeç dhe nuk janë të vaksinuar. Mosha e të prekurve është nga foshnja një muajshe deri në moshën 54 vjeçare. Megjithatë rreth 60% janë të moshës nga 1 deri në 4 vjeç, kjo është mosha më e ekspozuar”, tha Zharko Karaxhoski nga Instituti i Shëndetit Publik.StrugaLajm

Ndërkohë edhe dy fëmijë të tjerë janë në një gjendje kritike. Ato kanë një inflamacion serioz të mushkërive, por tani për tani janë jashtë rrezikut për jetë.
Sipas të dhënave nga Shëndeti Publik, numri i përgjithshëm i rasteve nga fillimi i epidemisë është diku 150. Javën e fundit janë raportuar 58 raste të fruthit në Shkup dhe katër raste në qytete tjera, si Kumanovë, Tetovë dhe Gjevgjeli, te të cilat nuk mund të gjenden lidhje epidemiologjike me rastet e raportuara në Shkup.

In : Aktuale

Loading...
loading...