Vështrim kritik mbi Ballkanin e hapur-Petrit Pollozhani

Petrit Pollozhani


Ballkani i hapur ose Minishengeni siç quhej në fillim, në opinion ka ngjall shumë debate dhe mospajtime. Qëndrimet pro dhe kundër këtij projekti rezultuan që ai të ngelet gjysmak, (nga 6 shtete vetëm në 3 që e përkrahin). Paralel me Ballkanin e hapur aktivitetet i zhvillon edhe Procesi i Berlinit të cilin e përkrahin të gjitha shtetet ballkanike. Procesi i Berlinit nën iniciativën e BE-së, në krye me Gjermaninë. Ai është instrument me të cilin duhet të përshpejtohet zhvillimi ekonomik, të krijohen kushte për një standard më të mirë jetësor dhe të përmirësohen raportet fqinjësore, si parakushte për integrim në BE. Objektivi kryesor i Procesit të Berlinit është integrimi i tregut ballkanik, njëjtë si ai i Ballkanit të hapur. Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, Ballkani i hapur është pjellë e Procesit të Berlinit, (fjalimi i tij në Samitin e Tiranës, nga mesi i shtatorit, i organizuar nga kancelarja në ikje e Gjermanisë, zonja Merkel). Nga ana tjetër, po në këtë samit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh kundër Ballkanit të hapur me arsyetimin se Procesi i Berlinit është aq gjithëpërfshirës sa që nuk ka nevojë për alternativa të tjera. Pra, siç mund të shihet politikat shqiptare kanë mospajtime të thella për këto projekte. Përveç Kosovës edhe Mali Zi me Bosnjën dhe Hercegovinën nuk marrin pjesë në Ballkanin e hapur. Atëherë, shtrohet pyetja, ku dallojnë këto projekte? Me Procesin e Berlinit udhëheq BE me në krye me Gjermaninë, në Ballkanin e hapur fjalën kryesore e ka Serbia, me të cilën Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë përvojë të hidhur nga e kaluara dhe e tashmja. Në vitet 90-ta Serbia me ndihmën e Armatës popullore të Jugosllavisë kreu vrasje dhe përdhunime masive në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pas mbarimit të luftës udhëheqësit serbë janë destruktivë dhe bllokojnë funksionimin normal të shtetit boshnjak. Në Mal të Zi popullsia serbe merr pjesë me mbi 40 % të popullsisë së përgjithshme dhe është element destabilzues. Argument më i freskët janë zhvillimet e fundit në shugurimin e patriarkut serbë në Cetinje, i cili u shoqërua me protesta masive të malazezëve, sepse ceremonia fetare nuk kishte asgjë me Cetinjën, ashtu si u shpreh kryetari malazez. Aktualisht afirmohet realizmi i botës serbe, e cila duhet të përfshijë, Republikën serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, një pjesë të Malit të Zi dhe Veriun e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe të gjitha subjektet tjera kosovare janë kundër Ballkanit të hapur, sepse aty fjalën kryesore e ka Serbia e cila nuk e njeh Kosovën si shtet. Serbia nuk pranon të kaluarën kriminale të saj në territorin e Kosovës. Mbi 13.000 viktima mes të cilëve shumë fëmijë dhe pleq, mbi 20.000 femra të përdhunuara, mbi 1 milion të dëbuar në luftën e viteve 1989/99, pa dyshim se kanë lënë gjurmë të thella në popullatën e Kosovës. Shtrohet pyetja pse Serbia e përkrah Ballkanin e hapur? Çfarë fiton ajo nga ky projekt? Po, Shqipëria pse e përkrah dhe Kosova jo? Përgjigjen mund ta marrim nga prezantimi i mëposhtëm.
Aspekti politik
. Me Ballkanin e hapur Kosova nuk njihet si shtet, por vetëm si rajon, dhe pjesëmarrja e saj në këtë pozicion sigurisht se dëmton sovranitetin e saj. Si mund të shpjegohet ndryshe integrimi ekonomik i Serbisë me Shqipërinë kur ato nuk kufizohen mes veti dhe ato i ndan Kosova. Marrja pjesë e Kosovës në këto rrethana heshtazi nënkupton heqje dorë nga elementi i shtetësisë. Serbia fiton politikisht sepse asaj i konvenon që Kosova të inkuadrohet si partner jo i barabartë. Në takimin e fundit me kryeministrin kosovar në prezencë dhe të përfaqësuesve të lartë europian, Vuçiqi u shpreh se kurrë nuk do njoh shtetin e Kosovës. Në kushtetutën serbe, Kosova akoma trajtohet si pjesë e Serbisë. Kryetari serb, pretendon formimin e asociacionit me shumicë serbe për të bosnjimizu Kosovën, ai kërkon hapësira eksterritoriale për kishat ortodokse serbe, madje dhe një pjesë të territorit. Kryetari serb fiton sepse ai para faktorit ndërkombëtar shfaqet si një burrështetas që prodhon stabilitet, si lider i “moderuar” që përforcon “demokracinë” dhe është pro integrimeve. Ai mendon se shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kanë kujtesën e fjetur dhe nuk u kujtohet se ai ishte ministër i informacionit në kohën e Millosheviqit kur në hapësirat ish Jugosllave humbën jetën mbi 150.000 vetë. Zhvillimet e reja tregojnë se ai ngelet po i njëjti.
Zhvillimet aktuale me reciprocitetin e targave të makinave që aplikon shteti i Kosovës si kundërpërgjigje palës serbe rezultoi me bllokim të rrugëve që çojnë në kufirin me Serbinë. Ky “demokrat i moderuar”, në vend që të pranon realitetin se Kosova është shtet i njohur ndëkombtarisht ai acaron situatën duke fol me gjuhën e viteve 90-ta. Fjalori i tij kërcënues më shumë i ngjan një skeme teatrale. Ai i paska dhënë KFOR-it dhe NATO-s afat prej 24 orësh për t’u tërheq policia speciale nga Veriu i Kosovës se ndryshe do të merr masa. Shtrohet pyetja, si mund që Kosova të merr pjesë në Ballkanin e hapur kur Serbia vazhdon me avazin e vjetër.
Përveç aspektit politik, Ballkani i hapur prodhon dhe efekte të shumta ekonomike, të cilat prezantohen në vijim.
Së pari, ekonomia më e madhe dhe më e zhvilluar ajo e Serbisë ka potencial 4 herë më të lartë nga ajo e Shqipërisë (në vitin 2020 PBB në Serbi arrin vlerën e rreth 53 miliard $ ose çdo banori të Serbisë i ka takuar 7.333 $ PBB, po në këtë vit PBB në Shqipëri ishte 13 miliard $ ose çdo banori shqiptar i ka takuar PBB me vlerë 5.215 $. Sipas teorisë së avantazheve krahasuese (John Stuart Mill) në këmbimin ndërkombëtarë shtetet më pak të zhvilluara me produktivitet më të ulët nuk janë në disavantazh të pa shpresë, por ato duhet të paguajnë një çmim për këtë diferencë të aftësive konkurruese. Teoria e avantazheve krahasuese siguron argumente të forta për tregtinë e lirë, sepse objektivi i saj është të tregoj përfitimet e secilit aktor në këmbimin ndërkombëtar, duke u specializuar për ato veprimtari ku ai është relativisht më efikas. Po sipas kësaj teorie, lëmi të veçanta të ekonomisë pa dyshim se do të vuajnë nga prodhimet që vijnë më lirë nga jashtë. Serbia është eksportuese më e madhe e prodhimeve ushqimore në CEFTA (1.5 miliard $ në vitin e fundit), mandej e frutave dhe perimeve të freskëta dhe atyre të ngrira, drithërave etj. Sektorë këto që do goditen në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut si anëtare të Ballkanit të hapur. Natyrshëm shtrohet pyetja, ekonomitë e vogla të shteteve ballkanike në BE këmbejnë prodhimet e tyre me shtete shumë më të fuqishme se Serbia siç janë, Gjermania, Franca, Italia etj. Po, por ato nga humbjet si pasoj e diferencave konkurruese në këmbim secila marrin si subvencione qindra milion $ në vit. Nga BE shteteve të Ballkanit Perëndimor për sektorët e bujqësisë, industrisë, bizneseve, shëndetësisë, arsimit etj. janë ndarë 12.4 miliard $. Në procesin e Berlinit, BE do të ndajë rreth 9 miliard $ për infrastrukturë dhe ekonomi. Përkundrazi në Ballkanin e hapur ku Serbia e ka fjalën kryesore dhe fiton më shumë nga ky avanatzh dhe për kundërvlerë nuk paguan asnjë cent.
Për shkak të aftësisë më të lartë konkurruese në këmbim, Serbia edhe pa Ballkanin e hapur fiton nga Kosova. Në vitin 2020 importet serbe në Kosovë kapin vlerën e 170 milion $, shumë e përafërt me importet shqiptare dhe ato maqedonase (190 milion $ secila). Sigurisht që masat e përkohshme e reciprocitetit dhe pandemia ka tkurr importet serbe të cilat në vitin 2017 në Kosovë kapin vlerën e 450 milion $.
Së dyti,
Shqipëria mund të bëhet parajsë për larjen e parave të kontrabandës nga Serbia, madje Rusia, Kina etj. Parat e pista do investoheshin në bregdetin shqiptarë për ndërtimin e hoteleve, fabrikave, banesave dhe objekteve tjera. Shembull më i ri është blerja e një pjese të bregdetit malazez nga oligarkët rus, që më vonë u ndërpre nga qeveria e Malit të Zi.
Së treti,
Ka të ngjarë që investimet e kapitalit nga Serbia, Kina dhe Rusia drejt Shqipërisë të stimulohen nga qeveritë respektive. Forcimi ekonomik i tyre do rrit dhe ndikimin politik, si synim kryesor i shtetit rus dhe atij kinez.
Së katërti,
Shqipëria do humbte nga shuma e parave nga dogana kineze sepse mallrat e tyre nëpërmjet të Serbisë do futeshin në tregun shqiptar.
Së pesti,
Motoja “Një rajon një ekonomi” për tregun e Ballkanit të hapur do nxis krijimin e firmave të përbashkëta serbo-ruse dhe serbo-kineze të cilat përveç aktivitetit ekonomik do merren dhe me aktivitete tjera mbase të spiunazhit. Edhe tani fatkeqësisht agjenturat e tilla lirshëm operojnë në Shqipëri, por me Ballkanin e hapur ato do të intensifikohen.
Së gjashti,
Do të intensifikohen aktivitet për përhapjen e fesë ortodokse serbe. Ajo përkrah politikat hegjemoniste serbe dhe gjithnjë bashkëpunon me qeverinë. Rasti më i freskët ai i Cetinjës ku shugurimi i klerikut ortodoks serb u shfrytëzua për rrënimin e shtetit malazez, ashtu siç u shpreh kryetari i këtij shteti, Milo Gjukanoviq.
Së shtati
, Në periudhën afatgjatë, Serbia do pretendon të krijoj kushte për blerjen e tokave shqiptare për të fut elementin serb në Shqipëri. Le të kujtojmë 300 shtëpitë në Mitrovicën e Veriut që aktualisht i ndërton. Historia tregon se Serbia vazhdimisht ka aplikuar masa kolonizuese për të pru serbë në viset shqiptare. Mbasi Shqipëria është shtet stimulimi i blerjes së tokave shqiptare nga serbët do zhvillohet pa shumë bujë.
Së teti,
Mes anëtarëve të Ballkanit të hapur do ketë çmime më të lira për prodhime ose shërbime për 10, 20 madje 30 % ashtu siç u shpreh dhe kryetari serb në një prononcim televiziv. Pa dyshim se me një marrëveshje të tillë midis anëtareve të BE-së më shumë do të fitonin serbët dhe maqedonasit, sepse Shqipëria është shtet bregdetar. Për shërbimet turistike, ato të transportit dhe prodhimet shqiptare, shqiptarët nga Kosova do paguanin më shumë se sa serbët dhe maqedonasit.
Së nënti,
Ka të ngjarë që prodhimet dhe shërbimet shqiptare të bojkotohen nga serbët sepse feja dhe politika i mban peng ato duke i infektuar me një urrejtje patetike ndaj shqiptarëve.
Nga ajo që u cek më sipër mund të përfundojmë se në proceset globalizuese duhet të pranohet koncepti i ekonomisë së hapur, sepse çdo izolim sjell varfëri dhe pengon zhvillimin ekonomik, por kur në një projekt rolin kryesor e ka Serbia, duhet patur kujdes.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...