Viti 1991:Revoltë e fshatit Dobovjan ndaj politikës antishqiptare të udhëheqjes maqedonase

Kërkojmë që çështja shqiptare të shtrohet në mënyrë të drejtë në Kuvendin e Maqedonisë, me të gjitha të drejtat që duhet t’i gëzojë një komb, si për shembull, shkollimi nga ai parashkollor, shkollor, të mesëm e deri në fakultet, përdorimi i gjuhës shqipe, simbolet nacionale, flamuri e të tjera, emërtimet e toponimeve të vendbanimeve si dhe të gjitha liritë tjera nacionale

Nga Qerim LITA

Në vazhdën e botimeve të dokumenteve me peshë historike për kombin shqiptar në Maqedoni, kësaj radhe, po e publikojmë komunikatën lëshuar nga tubimi i qytetarëve, i organizuar më 16 mars të vitit 1991 nga Partia për Prosperitet Demokratik – nëndega e fshatit Dobovjan të Strugës. Ngjashëm si në tubimet tjera të cilat asaj kohe u mbajtën anembanë vendbanimeve shqiptare, edhe në këtë tubim u shpreh revolta dhe pakënaqësia e madhe e popullsisë shqiptare, ndaj politikës antishqiptare të udhëheqjes maqedonase. Nisur nga kjo, në tubim u shtruan disa kërkesa konkrete, të cilat u përpiluan në formë komunikatë, drejtuar strukturës më të lartë legjislative e ekzekutive të Maqedonisë, të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:

“Në hapësirat e shkollës së këtij fshati u mbajt mbledhja e rregullt e Partisë për Prosperitet Demokratik në Maqedoni – nëndega e këtij fshati. Anëtarët e prosperitetit si dhe popullsia e këtij fshati janë shumë të revoltuar me sjelljen ekstravagante nga ana e disa udhëheqësve të lartë, si Dr. Savo Klimovskit, Tito Beliçanecit, Gligorie Gogovskit, Stojan Andovit, si dhe me mbledhjen e fundit të cilën këtyre ditëve e mbajti Kuvendi Republikan i Maqedonisë. Gjithashtu e ngremë lartë zërin kundër disa partive si për shembull VMRO- DPMNE-së, MAAK-ë, Partisë Socialiste, LKM-PTD-së (Lidhja Komuniste e Maqedonisë – Partia për Transformim Demokratik, përkatësisht Lidhja Socialdemokratike e sotshme – Q. L.) e tjera, parti të cilat vjellin helm kundër kombit shqiptar. Gjithashtu kemi vërejtje të përgjithshme kundër deputetëve të partive të ndryshme, si të kalibrit të Vlladimir Gollubovskit dhe shumë tipave të tillë të ngjashëm, të cilët flasin në gjuhën e djallit dhe dëshirojnë ta helmojnë gjithçka që është shqiptare dhe përparimtare. Nga mbledhja buroi komunikata me sa vijon:StrugaLajm

Urgjentisht kërkojmë që Kryetari i RSM-së, Kiro Gligorov, të mos i nënshkruaj dy ligjet e propozuara për kombin shqiptar për shkollimin parashkollor, fillor, si dhe të mesëm, ku mbi bazën e këtyre dy ligjeve shqiptarët kanë të drejtë të mësojnë – shkollohen në gjuhën shqipe vetëm deri në klasë të katërt. Prandaj, kërkojmë që këto dy ligje të mos nënshkruhen si dhe atë që deputetët të mos i miratojnë, por të arrijnë marrëveshje përmes rrugës së metodave demokratike e të mos ketë mbivotime e pa majorizim.
Ngelim në tërësi në kërkesat mbarëkombëtare të kësaj Komune si dhe në Republikë ku rreth 120 mijë nënshkrime në formë të peticionit, të cilat janë dorëzuar te organet përkatëse të Maqedonisë, të hapen sërish paralelet në gjuhën shqipe dhe në të gjitha profilet e shkollave të mesme për vitin shkollor 1991/92, të cilat paralele ekzistonin deri në vitin 1985. Mirëpo, Dr. Klimovcat, Dr. Sulejmanovcat (Sejfedin Sulejmani – Q. L.) e Vishkoderët (Muhamer Vishku – Q. L.), pa e respektuar vullnetin e kombit shqiptar, brenda natës formuan të ashtuquajtura paralele të përziera, si trillim më të ri të formës e të mësuarit të metodës së Çubrilloviq-Millosheviqjane përmes metodës që i mësonte sistemi monist modern.
Gjithashtu bëjmë me dije se në këto shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, evidenca pedagogjike dhe administrata të udhëhiqet në gjuhën shqipe, përndryshe nuk do ta udhëheqim në gjuhën maqedonase.
Anëtarët e Prosperitetit si dhe qytetarët e këtij fshati, reagojnë ashpër në lidhje me përdorimin e terminologjisë: pakicë ose minoritet. Ne shqiptarët në Maqedoni jemi mbi 900 mijë banorë dhe nuk mund të jemi pakicë apo minoritet, por vetëm komb, jemi banorë të lashtë aq sa këto male stërgjyshërit tanë na i kanë lënë amanet. Kjo nënkupton se jemi komb i mëvetësishëm, i pastër, jetojmë në tokën tonë dhe në Jugosllavi jetojmë mbi 3 milionë shqiptarë. Gjithashtu ua tërheqim vëmendjen të mos na nënçmojnë deputetët, shtypi, televizioni dhe radio, e të mos na ofendojnë me “SHIPTARI”, për arsye se ne për kombet tjera emërtohemi me “ALBANEZI – ALLBANCI” dhe nëse ne do të ofendonim, kemi fjalë edhe më ofenduese për popujt sllav, si për shembull, “KAUR, GJAURË, SHKAVELLA; SHOPOVA; SHULA” etj..
Kërkojmë që çështja shqiptare të shtrohet në mënyrë të drejtë në Kuvendin e Maqedonisë, me të gjitha të drejtat që duhet t’i gëzojë një komb, si për shembull, shkollimi nga ai parashkollor, shkollor, të mesëm e deri në fakultet, përdorimi i gjuhës shqipe, simbolet nacionale, flamuri e të tjera, emërtimet e toponimeve të vendbanimeve si dhe të gjitha liritë tjera nacionale.
Kuvendin Komunal të Strugës nuk e njohim si legjitim, për arsye se shqiptarët janë të diskriminuar përkundër asaj se Partia për Prosperitet Demokratik ka mbi 14.000 anëtarë dhe në këtë komunë mbi 50% i përkasin popullsisë shqiptare, në tre postet më të rëndësishme nuk është zgjedhur asnjë nga radhët e shqiptarëve. Mirëpo, pas çlirimit edhe ato pak të drejta që i gëzonim, vazhdimisht përfshihej në ndonjë post si figurë, ndërsa tash në Maqedoninë “demokratike” moniste nuk ka asnjë shqiptar. Këtë Kuvend nuk e pranojmë si legjitime dhe kërkojmë të bëhet konstituimi i sërishëm (në mënyrë demokratike), përndryshe do të zgjedhim kryesinë tonë legjitime dhe Veleshtën do ta shpallim si komunë të veçantë, e cila i plotëson të gjitha kushtet, për arsye se pas luftës kjo lagje ka qenë komunë.
Këtyre ditëve, nga 1 prilli 1991 deri më 15 prill 1991, do të kryhet regjistrimi i popullsisë. Mirëpo, shqiptarët do të dalin në regjistrim, atëherë kur do të garantohen kushtet demokratike, si për shembull, të mos ketë presion policor, të mos përfshihet sigurimi shtetëror, gjyqet dhe organet tjera të ndryshme, përndryshe do ta bojkotojmë regjistrimin dhe do të kërkojmë që 23 deputetët shqiptarë ta lëshojnë parlamentin në mënyrë demokratike, i cili ka filluar të merr erë moniste.
Sa i përket programit të RTV të Shkupit, kërkojmë një program të radios e të televizionit të na jepet në disponim neve shqiptarëve, me qëllim që shqiptarët të kenë mundësi ta shprehin kulturën e artin e vet, e në atë mënyrë të jetë i barabartë me maqedonasit, përndryshe do ta bojkotojmë pagesën mujore.
Gjithashtu kërkojmë nga RTV Shkupi të ketë një qasje e sjellje më të kulturuar me programet e veta, për arsye se programe të shumta janë me ofendime e jo-shkencore, të drejtuar kundër kombit shqiptar, shqiptarët janë pakicë, nëse kërkojnë të shkollohen janë separatistë, nëse kërkojnë të jenë të barabartë me maqedonasit në shkollë, kulturë, arsimim, artë etj.
Të ndërpritet me akuzat e padrejta e të papërballueshme kundër shqiptarëve, si për shembull, të mos dënohen ata persona të cilët grumbulluan ndihma në ushqim e veshmbathje për të varfrit në Kosovë, kur aksioni për grumbullimin e ushqimit, të veshmbathjes e të parave kryhen në mënyrë legale nga ana e Shoqatës Bamirëse “Nëna Terezë”, dega në Strugë, e cila është e regjistruar para organit kompetent dhe e posedon statusin e organizatës. Si shembull, nënvizojmë se para disa muajve nga organet komunale dhe shërbimeve inspektuese janë dënuar disa persona me 15 ditë burg dhe me dënime në para. Kërkojmë që shërbimet inspektuese dhe organet komunale të mos i mbyllin dyqanet, kafiteritë e gjithashtu të mos dënohemi e maltretohemi pa ndonjë arsye, e pa bazë nga ana e policisë së komunikacionit.
Urgjentisht kërkojmë lirimin e të gjithë të burgosurit politik në Maqedoni, të cilët vuajnë dënimin me burg nëpër burgjet e Maqedonisë e Serbisë, që janë vendet e vetme në botë të cilët ende po i mbajnë në burg të burgosurit politik. Gjithashtu kërkojmë të kthehen dokumentet e udhëtimit – pasaportat, të gjithë atyre personave të cilëve u janë marrë për qëllime politike.
Ne shqiptarët nuk i kemi myslimanizuar, sllavizuar, katolizuar dhe askënd nuk e kemi bërë ateist, prandaj kërkojmë të mos na akuzojnë për myslimanët në Maqedoni, ata vetë le të përcaktohen gjatë regjistrimit të popullsisë. Se si ata do të regjistrohen, është çështje e tyre dhe se nuk është e drejta e maqedonasve apo e shqiptarëve që të përzihen në çështjet e tyre. Ne shqiptarët nuk e mbajmë askënd nën pushtimin tonë por çdokënd e respektojmë.
Kërkojmë që Maqedonia të jetë shtet sovran i kombit maqedonas e komit shqiptar si dhe të gjithë kombeve tjera që jetojnë në të. Nga 120 deputetët e parlamentit të Maqedonisë, kërkojmë të përfshihen në metoda demokratike, të mbisundojë fjala e lirë dhe mendimi i lirë, në përputhje me demokracinë pa mos u dëmtuar askush.
Kërkojmë që këto kërkesa tona kombëtare të realizohen në tërësi edhe atë në mënyrë demokratike, përndryshe do të jemi të detyruar që çështjen tonë nacionale ta aktualizojmë e do të drejtohemi organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu nuk bartim asfare përgjegjësie për konfliktet qytetare eventuale që do të mund të ndodhin midis kombit maqedonas e kombit shqiptar. Dobovjan, 16 mars 1991”. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...