Viti i ri shkollor në vendin po fillon, por problemet edhe më tej vazhdojnë të mbeten të njëjta. Mungesa hapësirash, mungesë literature për shkollat e mesme, të cilat vitin e kaluar me ngulm po hidhnin fajin njëra tjetrës, komunat ministrisë dhe ministria komunave se nuk kanë porositur në kohë. Në Tetovë dhe Shkup, vazhdojnë të mbizotërojnë problemet me emrat e shkollave, mjediset mbi 80 për qind shqiptare ndërsa emrat vazhdojnë teë jenë të heronjve maqedonas, apo edhe më keq, të heronjve të komunizmit. Këtu nuk do të harrojmë edhe problemet me mungesat e shkollave, siç është Sellca e Tetovës, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të mësoj në shkollë që si plotëson as kushtet minimale për zhvillim të procesit edukativ arsimor. Por për çudi, edhe përkundër premtimeve megalomane që pati qeveria e re e cila veten e quajti reformatore, deri më tani në sferën e arsimit nuk duket se ka lëvizur, sidomos në aspektin infrastrukturor, për dallim prej dy hapave që mori në këtë drejtim siç janë, anulimi i testit ekstern dhe heqja e sistemit të Kembrixhit nga shkollat e mesme. E pyetur për problemet në fjalë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskovska, ka deklaruar se është vonë të merret tani ndonjë nismë, sidomos për ndërrimin e teksteve shkollore, apo përmirësimin e tyre. Ajo në një deklaratë dhënë medieve, tha se tanimë është vonë të porositen librat e rinj sepse nuk ka kohë, ndërkohë që nuk ka precizuar se kur do të ndodh një gjë e tillë, dhe se a do vazhdojnë nxënësit që historinë ta mësojnë mbrapsht, muzikën ta mësojnë shqiptarët me tekste dhe emra maqedonasish. Të pakënaqur nga ndryshimet e deri tanishme shprehen edhe profesorët. Një pjesë e tyre ashtu sikurse në Qeverinë e kaluar, vazhdojnë të heshtin dhe t`i marrin në qafë nxënësit e tyre, duke ua mësuar historinë gabimisht, apo edhe duke zhvilluar orë të muzikës me tekste maqedonase. Për tu habitur është fakti se, përse ende, nuk ka asnjë reagim nga shoqatat e pedagogëve shqiptarë apo këshillat e prindërve, të cilët duhet ngritur zërin për mësimin që iu bëhet fëmijëve me shumë gabime dhe sidomos me kulturimin që iu bëhet në lëmin e muzikës, e mos përmendin këtu gjeografinë, historinë, gjuhën shqipe, të cilat kanë tekste shkollore që përmbajnë gabime të shumta. Por as edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për çudi ende nuk është ngritur asnjë nismë për kërkim përgjegjësie, për personat që i lejuan këto lëshime.