100 shtëpi janë vjedhur në Strugë,për tre muaj

Banorët e Strugës ankohen se nga dhjetori e deri më sot në disa fshatra të Strugës kanë ndodhur rreth 100 vjedhje.

Cak i hajdutëve më së shpeshti janë shtëpitë e mërgimtarëve, por edhe restorantet lokale dhe xhamitë. Banorët dyshojnë se me siguri bëhet fjalë për grup mirë të organizuar që operon në fshatrat Shum, Teferiç, Zagraçan, Ladorishtë, Frengovë etj. kjo mund të shihet në regjistrimet nga kamerat e sigurisë në disa prej objekteve, e që i siguroi televizioni Alsat.

Ne nga fshati Shum jemi dëmtuar nga veprimet e tilla që bëhen kohëve të fundit. Si bashkësi lokale kemi bërë kërkesë në polici të ketë patrullime 24 orëshe, t’i ruajnë dhe të jenë serioz lidhur me këto ndodhi. Ne si bashkësi kemi angazhuar privatisht persona 24 orë për t’i evituar këto vepra penale dhe në të ardhmen të mos përsëriten më – deklaroi Astrit Dauti, kryetarë i bashkësisë lokale Shum.

Në disa nga vendbanimet banorët vetë kanë filluar të organizohen dhe i ruajnë shtëpitë e tyre. Madje bëjnë patrullime gjatë orëve të natës me automjetet e tyre.

Në dy muajt e fundit shumë është rritur numri i vjedhjeve. Më së shumti vidhen shtëpitë e vëllezërve tanë që janë në mërgim. Këtu diçka nuk është në rregull. Apelojmë që shteti të ndërmarrë masa për këto veprime që bëhen kohëve të fundit – tha Jeton Sinani, kryetarë i bashkësisë lokale të fshatit Fierishtë.

Thonë se ndodh brenda një nate të ketë disa vjedhje. Për shembull në Ladorishtë nga gjithsej 50 vjedhje deri më tani, ka pasur raste kur nëntë vjedhje janë bërë për një natë, thotë kryetari i bashkësisë lokale. Dëmet janë të mëdha. Hajdutët marrin sende të ndryshme. Popullata thonë se nuk janë të kënaqur nga reagimet e deritanishme të policisë dhe se numri i patrullave është i vogël. Nëse vazhdojnë vjedhjet, ata paralajmërojnë protesta.

Nga SPB- Ohër për ALsat thonë se vetëm gjatë shkurtit në rajonin e Strugës janë denoncuar gjithsej 15 vepra penale “vjedhje të rënda”. Menjëherë pas denoncimeve janë ndërmarrë masa adekuate dhe aktivitete për zbardhjen e këtyre rasteve dhe gjetjen e autorëve.

In : Aktuale

Loading...
loading...