Zgjedhjet e reja vijnë sërish

Zgjedhjet e reja vijnë sërish, ky koalicion do duhet të kryejë detyrën që bëri Cherchili për Britaninë e Madhe dhe do shpallë zgjedhje të reja! Konteksti i ri kohor i shtetit (situacionizmi) do i gjejë garuesit në pozita të veta partiake sërish, ndoshta dhe rigrupimet do bëheshin imperativ për kanalizim forcash politike shqiptare në dy parti të forta por ama determinimi i tyre do jetë ndryshe

Nga Adelina MARKU

Kur shkoj tek kafeja Churchil afër gazetës KOHA, aty tek QT Mavrovasja s’ka si më ik sysh shija klasë e kafiterisë e që mban nji nur të përafërt me kafiteri tipike britaneze (sidomos ngjyrat, karrikat…); Hapësira ësht’ e bollshme, shërbimi i mirë, muzika e atmosfera e ngrohtë e mbi të gjitha s’më ik sysh profili i Cherchilit diku skalitun në mur e një thënie gjigande e tij: “Nëse je duke kaluar mes përmes ferrit, vazhdo!”.

Më shtyni të mendoj ky lexim, sepse në këtë moshë unë kam nevojë me pa nëse koha më iku e unë vuajer bri saj, ose nëse kohën e rrënkova tuj qen aktor përmes dënesjeve që ajo na gatujti! Dorën në zemër, vuajere s’më doli vetja, por bashk’rrënkuse boll. Me krisje sovrane biles! Domethanë, Cherchili thotë të vazhdosh mespërmes ferrit dhe t’ia dalësh! Në mos për vete, për fëmijën!

Ky burrështetas nuk ishte i zakonshëm. Kish manire të krisura thonë, ishte i pa-parashikushëm, në të shumtën zgjedhte me hesht, edhepse e mbanin për kauboj të egër, madje as nuk spikatej ndër deputetët e at’hershëm të Parlamentit britanez. Për më shumë Cherchilin, muajin e janarit të 1940’s e konsideronin të gjithë e padallim për Humbës! Por, përse pikërisht këtë muaj ata u vëmendën ndaj tij!? Pikërisht te ky heshtan mendjemadh që ia ka qef hedonizmit tuj pi e tuj thith llullë e që merr “kot” rrogë nga taksapaguesit britanezë?! Përse pikërisht Cherchilin?! Pothujse edhe sot e dëgjoj vringëllimën mençurisht cinike të politikës britaneze asaj kohe, e po aq unike ka mbetur edhe këtyre ditëve të politikës “digjitale”. Mos harrojmë, botën e dyndte asajkohe gjëmimi I Hitlerit, këtij trupshkurti voglan e nga ku buronte e spërkaste nijagarshëm “madhështia fashiste”. Po po, nuk e lexove me gabim, biles ideologji kjo e përmasave esnafisht të rralla e e disiplinuar qosh më qosh. Thu ti kërciste nga pedantëria e përkushtimi, rruhej porcenalisht nga secili që i jepej asaj me mendje e shpirt! E kisha qujt madhështi që lypte me afsh besnikëri toteme! Majave të totemit u ngjit ai që lukunonte art oratorie politike e çmendt’te adrenalinën në tru e damarë, Hitleri- tuj vjell vner kundrejt gjith atyne që për kaptinën e tij s’ishin racë arjane! Kur në janar të 1940 konteksti kohor prodhoi kësi lideri të tipit ultratotem, po në janar të vitit 1940 e po ajo kohë, lypke balansin e kërkonte liderin e ndryshëm që do denatyronte këtë totemizëm me luks. Prandaj kur e pyetën asaj kohe kryeministrin britanez të ideologjisë konzervative mbi Cherchilin , ai tha: “Oh po, është Winston ( Churchil) , por askush nuk ia var atij!”. Gjashtë muaj më vonë, diku në qershor të po atij viti Britania e Madhe gjeti veten të mjaftuar mirë e plotë nga lidershipi i kryeministrit të ri Winston Churchil! Chka ndodhi? A kish ndryshuar Cherchili? Ai deri dje njihej si kauboj i egër e mos i kishte ndodhur diçka Cherchilit që të mund të udhëhiqte me kaq mençuri autenticizmën politike britaneze? Në fakt, e vetmja gjë që ndodhi ishte se situata kish ndryshuar, konteksti kohor kish lëvizur ndryshe e se virtytet e Cherchilit ishin po ato të fillimit – ai trajtohej si një kauboj shumë i egër për të udhëhequr një Britani kaq unike e në një kohë aq të vrazhdë , por se pikërisht një figurë e tillë i duhej Britanisë atij momenti. Dhe vërtetë u tregua të ishte zgjidhja më e gjetun. Cherchili ishte figura e vetme që udhëhoqi Britaninë e Madhe drejt një suksesi historik! Mposhti Hitlerin! Ishte po ky lideri kaubojan e po ai i vrazhdi e që u tregua i spikatun në udhëheqjen e Britanisë së Madhe në një kohë gjëmimi lufte të përmasave galaktikikisht mizore për njerëzimin! Dhe sigurisht, në kohën kur Lufta kishte mbaruar më 1945, populli britanez po thoshte: “E mrekullueshme, ke fituar Luftën, por tani duam të zhvillojmë një shtet të mirëqenies dhe ti nuk je njeri për të”. Dhe ata votuan kundër Cherchilit!

(Britania e Madhe ka këtë fuqi transformative edhe sot e kësaj dite! E spikatun në asi lloj lidershipi që çan ferrin e bën histori mirëqenie! )StrugaLajm

Tek po pij kafenë e me miq në kafiterinë Churchill justifikoj veten edhe më shumë sepse ndihem e vetëdijesuar për kontekstin kohor të shtetit ku jetoj! Sigurisht që jam po aq e vetëdijshme që fatet (…që i bëjmë vetë!) e shteteve determinohen edhe nga gjeografitë, prandaj krahasimin me shtet e lidership tjetër e mbaj në linjë pedantërie tamahqare vazhdimisht! Kjo vetëdije është e kësaj dendësie tingulli, ngase nuk zgjodha të jem vuajere e kohës por përkundrazi aktore në të! Shumë nga ne zgjodhëm të jemi një pentagram konstant! Shpesh shohim veten për humbës! Kjo është e vërtetë! Por Ne Jemi… ndryshe, vetëm humbës nuk mund të jemi! Jemi konstantë! ( nuk them principielë, sepse m’tremb besnikëria principiele, jam e paaftë t’a mbrij plotësisht, por më shumë i ngjan kësaj: “Ja postojim… mudro!” – m’u kujtua thënia e një mikut tim, spikatës në origjinalitetin e tij!). Kur këtij pentagrami i shtoheshin notat, ne shumë e më shumë qartësonim qëndrimet tona mbi shtetin e lidershipin, që nga pavarësia …e të cilat kishin mbetur konstante por në ngjitje virtytesh! Humbësit humbin virtytet në esencë, ne shohim se fitojmë tjera vazhdimisht! Kjo është mirë, biles shumë mirë! Lukuni virtytesh s’bajn dam askujt! Por, ch’lloj vendimi kërkojnë linjat e kuqe për kohën në të cilën ndodhet shteti im? Është një tezë në psikologjinë politike që thotë: ” duhet shfrytëzuar situacionizmi përmes dispozicionizmit!” (Paaa, thu t’i ta çan kryt nga këto dozat “izmi” – ke! …Pyff). Por është e thjeshtë për t’u dekoduar; pra kësaj kohe (momentumi/situate) i nevojiten udhëheqës të dispozuar (të prirë) të bëjnë Kapërcimin e Madh! E pastaj, për një mikromilisekundë e përdor atë fjalën rallësisht me përdorje arabe në shqipen time por që këtë e dua prandaj i besoj : Sabri Selamet! E ky lloj sabri selametshëm më shtyn të gjykoj se në shtetin ku jetoj dy faktorë politikë etnikë do vazhdojnë të jenë ZË LIDERSHIPI edhe për goxha kohë! Ai shqiptar dhe ai maqedonas! Për të dy palët është e nevojshme të ri-startohet konstanta mbi shtetin e përbashkët! Kjo më së miri shihet përmes vividitetit aktual në politikën e jashtme ! Ajo tanimë kapërceu “linjën e kuqe” të djeshit! Dhe bëri mirë sepse shkundi adrenalinën dhe e lëvizi dukshëm! Shteti po ndërton një kod inkluziv për veten, e që kërkon kohë e sabër por dhe kontekst lidershipi ndryshe nga djeshi! Është aq fragjil, sa shumë shpejt mund të rrënohet kjo tendencë inkluzive! Prandaj, nuk do shumë mënd gjykimi që bën kryeministri i këtij shteti e tek flet mbi një koalicion të zgjeruar! Si aktore e kohës i jap të drejtë këtij njeriu dhe them se faktori politik shqiptar nevojitet i gjithi të bëhet pjesë e këtij kualicioni! Po, i gjithi! “E pa opozitë shqiptare a!?”- instinktivisht do na rrëmbente kjo pyetje. E vërteta e madhe është se ky momentum politik ka zhbërë nevojën për opozitë shqiptare dhe ky fakt nuk duhet parë me cinizëm e as me dozë kataklizmike , përkundrazi! Zë opozitar shqiptar nuk ka në këtë momentum politik nëpër të cilin ec shteti ngase linjat e kuqe të djeshit u kapërcyen të motivuara nga synimet e gjata të shqiptarëve paralelisht , për veten dhe për shtetin! Çdo logjikë tjetër është humbje kohe! Pjesëmarrja e zërit shqiptar në këtë momentum politik në të cilin ndodhet shteti, nuk ka të bëjë me aspektin afirmativ politik e as me ndonjë shtyllë multikulturalizmi ( do mbetet kjo floskulë politike sipërfaqësore), por me vertikalin, me shtyllën, me identitetin e veçantë kulturor biles! Është njëjtë si në kohën kur kërkohej një Cherchil për t’iu përballë një Hitleri! Po, krahasimi mban, sado të duket filmik! Pra nevojitet një koalicion cherchilian në këtë momentum politik që ia ka nevojën përbrenda faktorit shqiptar të plotë në të ! (Për mua e lexueshme është se ky faktor ka dy prirje autentike politike, sado i frakcionuar të duket! )

Zgjedhjet e reja vijnë sërish, ky koalicion do duhet të kryejë detyrën që bëri Cherchili për Britaninë e Madhe dhe do shpallë zgjedhje të reja! Konteksti i ri kohor i shtetit (situacionizmi) do i gjejë garuesit në pozita të veta partiake sërish, ndoshta dhe rigrupimet do bëheshin imperativ për kanalizim forcash politike shqiptare në dy parti të forta por ama determinimi i tyre do jetë ndryshe , do jetë më i mirë , i atillë që do dojë të shkëputet përfundimisht nga e vjetra, anakronikja, histerizuesja, vjedhamanja e komplotisitja, primordialja e paraintelektualja . Ja kështu mëson teza e koklavitur që lyp shfrytëzuar situacionizmin përmes dispozicionizmit! Për t’u arritur ky standard, duhen centrifuguar forcat politike sa më në qendër! Çdo centripetalizëm, kapet orbitave që vijnë nga Lindja ideologjike! Dhe, mos harrojmë , në politikë ka vërtet TANI E KËTU, por do vendime bëhen për hir të asaj ATJE, KU DHE SI dhe këto pasi i duam fëmijët tanë të ecin pa vuajtjen tonë të lodhshme e fukareshë!

Rrugën e ferrit duhemi përfunduar ne! – siç do thoshte Winston CHURCHIL.

/koha.mk/


Loading...
loading...