ZV/MINISTRAT E ASH-së GATI VALIXHET, NESËR DORËHIQEN BASHKË ME DREJTORËT

Edhe pse flitej që Aleanca për Shqiptarët do të largohet nga Qeveria pas votimit të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, ajo vetëm se nga sot ka filluar tërheqjen e funksionarëve të saj qeveritar. TV21 mëson se të gjithë zv/ministrat e Aleancës për Shqiptaret nesër do të tërhiqen nga postet e tyre. Zv/ministrja e Punëve të Jashtme Arta Toçi tha se sot nuk ka shkuar në punë dhe se nesër do të shkojë në ministri për t’u përshëndetur me kolegët.

Edhe zëvendës-ministri i punës dhe politikës sociale Elmi Aziri tha se nesër përfundimisht do të lëshojë postin e tij qeveritar.

TV 21 tentoi të kontaktojë edhe zëvendës-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Remzi Mehmedi, por ai nuk ishte i kapshëm.StrugaLajm

Hapin për tërheqjen e funksionarëve të saj nga qeveria, Zoran Zaev e quan të logjikshëm. Por ai nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit përsëri me Aleancën për Shqiptarët për interesin e qytetarëve.StrugaLajm

“Shpresova se do të qëndrojnë por si duket ata u tërhoqën nga ajo dhe nga oferta për nënkryetar të qeverisë për reforma dhe në pajtim me atë po i tërheqin edhe personat e tyre nga qeveria. Unë do ta respektoj vendimin e tyre, por se dua që të lihet derë e hapur për bashkëpunim, aty ku patjetër duhet të bashkëpunojmë, e ai është interesi i qytetarëve, reformat dhe proceset e rëndësishme për Maqedoninë”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Përveç zëvendës-ministrave dorëheqje po japin edhe drejtorët e Aleancës për Shqiptarët. TV 21 kontaktoi drejtorin e Byrosë për zhvillimin e arsimit, Rizvan Bela dhe ai tha se një hap i tillë është vendim partiak dhe se duhet të respektohet. E ndërkohë drejtori i Inspektoratit Shtetëror për pylltari dhe gjueti, Driton Nebiu ngjarjet e fundit i quajti tradhëti politike ndaj Aleancës për Shqiptarët. Ai tha se e ka deponuar dorëheqjen e tij në Ministrinë e Bujqësisë. Dorëheqjet e zëvendës-ministrave dhe drejtorëve të Aleancës për Shqiptarët vijnë pas mos-dhënies së Ministrisë së Shëndetësisë të cilën e udhëhiqte sekretari gjeneral i kësaj partie, Arben Taravari para se të marrë postin e kryetarit të Komunës së Gostivarit. Me ndarjen e kulaçit qeveritar, Aleancës për Shqiptarët i kanë takuar tre zëvendës ministra, një sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë dhe 20 drejtori, inspektorate dhe agjenci shtetërore. Kryeministri Zoran Zaev njofton se shkarkimin e tyre do ta propozojë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

In : Aktuale

Loading...
loading...