Aritmetika e një pushteti dhe sulmi ndaj Ziadin Selës

Gent Amzai

Si ka mundësi që gjatë Luftës së Dytë Botërore, shprehimisht në qendrën e civilizimit botëror, në Europën kontinentale, të mund të ndodhte në mënyrë sistemike zhdukja e një cope të njerëzimit nëpër kampet e shfarosjes, apo quajtur ndryshe, fabrikat e prodhimit të vdekjes masive?! Kjo është çështja.

Po në të njëjtën kohë, kjo është edhe pyetja përmes së cilës mund të bëjmë një analogji me një pyetje tjetër, që është e një shkalle më të ulët, por ama sillet rreth së njëjtës çështje.

Pyetja analoge është: “Si ka mundësi që në mes të Shkupit, brenda Parlamentit, të bëhet tentativë  për vrasje mbi figurën shqiptare më eminete politike në FYROM, në mes të ditës me diell,  me kamera dhe aparate fotografik përreth? Si ka mundësi që e pamendueshmja u realizua? E për më tepër, dëshmitar për realizimin e të pamendueshmes është shokimi ynë kolektiv, si efekt i kësaj të reje tronditëse.

Në të njëjtën ditë Ilir Meta bëhet president, rast ndaj të cilit populli, për të evituar shokun, zgjedh të bëjë sikur nuk di gjë. Në të njëjtën kohë, kaluan gjashtë muaj nga vrasja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e cila deri në ditën që ndodhi ishte e pamendueshme.

Ka ndodhur shpesh këto muajt e fundit teksa mund të dëgjohen fraza të tilla si : “Koreja e Veriut e ka kaluar vijën e kuqe”, “Erdogani e kaloi vijën e kuqe”, “Shovinistët e VMRO-së e kaluan vijën e kuqe” – dhe më e bukura nga të gjitha ajo e Edi Ramës, i cili më tepër në cilësinë e piktorit pa shije sesa në funksionin e kryeministrit të shqiptarëve, tha: “Opozita e ka kaluar vijën e verdhë”.

Këto fraza simptomatike flasin për mënyrën sesi keqperceptohet pushteti dhe politika. Se si pushteti dhe politika barazohen me administrimin, mbarëvajtjen e menaxhimin. A thua se të bërit politikë është e njëjta gjë sikur polici, apo semafori, që me pushtetin e tij rregullues, me ngjyrat e tij, sigurohet që gjërat të shkojnë mbarë.

Ajo ku gabohet është se, në fakt, nuk ekzistojnë vija të kuqe, as të verdha, por vetëm vija e gjelbër, që fundja nuk është aspak vijë, por vetëm zona ku shtrihet pushteti. Po, pushteti. Sepse nuk ka asgjë përtej pushtetit. Nuk ka sesi të kalohen vijat e kuqe kur ato nuk ekzistojnë, por vetëm mund të hapen zona të reja pushteti; e pamendueshmja vjen vazhdimisht në realitet.

Në vazhdim, do të provoj të bëj një analizë rreth disa momenteve filmike të ndodhura në Parlament, më datë 27 Prill, por më parë dua të theksoj karakterin spektakolar të ngjarjes, spektakël i një drejtësie të pretenduar, ku gjendja e jashtëzakonshme de facto,  i  thërret të gjitha mundësitë.

Michel Foucault në librin e tij “Disiplinë dhe ndëshkim” u referohet disa rasteve të shekullit XVIII, raste ndëshkimesh penale të një forme të spektakolarizuar. Ai këmbëngul se ndëshkimet e kësaj periudhe, për dallim nga periudhat e mëvonëshme, synojnë trupin.

Ajo çka duhet të pësojë i ndëshkuari është tallja publike, dhimbja fizike, deri në shqyerje të trupit. Por, i gjithë ky proces (pra është proces) vijon sipas procedurave të caktuara. Nuk kemi të bëjmë aspak me një sistem penal barbar, por në fakt, sistem penal i mirërregulluar i cili procedon sipas një aritmetike të matur. Shpesh ndodh që ndëshkimi të kryhet në vendin e krimit, ku krimineli torturohet dhe vritet me po ato mjete që ai ka bërë krimin dhe po në atë mënyrë që ai ka vrarë viktimën e tij.

Pra, ideja është që krimineli të vuajë po njëlloj dhimbje si viktima, ndoshta dhe më shumë, shumë më shumë, me një përllogaritje të saktë. Krimineli duhet të vuajë, të gjymtohet, të turpërohet, në atë masë sa vuajtja e tij të jetë e barabartë me dhimbjet e viktimës, humbja e jetës së tij, humbja dhe dhimbja e të afërmve të tij, statusi social i viktimës në kuptimin e dëmit shoqëror të kryer etj.

Domethënës është fakti se shpesh, tek i ndëshkuari me vdekje, edhe mbas vdekjes vazhdonte ndëshkimi. Digjej trupi, trupi rrinte i ekspozuar i lidhur mbas një trari për ditë të tëra, trupi tërhiqej zvarrë nëpër qytet me kuaj apo me duar, etj.. Kjo do të thotë se krimi kishte qenë aq i rëndë sa as tortura dhe as ekzekutimi i kriminelit nuk mjaftonin që drejtësia të çohej në vend, kështuqë duhej që trupi të ndëshkohej edhe mbas vdekjes në forma të ndryshme për t’u arritur (zh)balanci i duhur i drejtësisë. Por, një detaj tjetër është më i rëndësishmi.

Sipas Foucault, gjatë procesit të torturimit të fshehur dhe publik, ishte e nevojshme që krimineli të pranonte fajin e vet. Kjo e justifikon brutalitetin dhe tërbimin e procedurave të drejtësisë së shekullit XVIII dhe më herët. Por, edhe sikur faji të mos pranohet (gjë që ishte shumë e rrallë) vetë trupi i dergjur është dëshmia e vërtetësisë së pretendimit të drejtësisë.

Trupi i vdekur dhe marrja e tij nën kontroll është justifikimi i drejtësisë dhe faktimi i fajit të kriminelit. Logjika është kjo: Nëse faji pranohet, xhelati është i justifikuar për mizoritë që do të kryejë. Por, edhe nëse nuk pranohet faji, fakti që trupi është në duart e xhelatit shpreh fajësinë e të dënuarit. Trupi i vdekur që justifikon vdekjen e vetvetes. Pra, është xhelati dhe drejtësia që ligjërojnë dhe jo i ndëshkuari. Trupi i tij përfshihet brenda ligjëratës së drejtësisë, për rrjedhojë është fajtor.

Po a nuk duket kjo gjë shumë e ngjajshme me atë se çfarë po ndodhte me Ziadin Selën dhe me trupin e tij kur të gjithë kujtuan se ai kishte vdekur?!

Të kujtojmë momentin e parë të përballjes së deputetëve me ata që u futën si xhelatë dhe dolën si kriminelë. Largimi i gazetarëve dhe incizimeve ishte i domosdoshëm për këta të fundit, sepse skenën duhet ta ndërtonin vetë, edhe pamjet duhet të bëheshin sipas skenarit të spektaklit të tyre. Një incizim alternativ do të jepte një perspektivë tjetër të ngjarjes.

Në atë torturë dhe ekzekutim publik imazhet si formë ligjërate duhet të ishin të perspektivës së tyre, që gjërat të ishin efikase. Gruevski, në një intervistë mbas ngjarjes tha: “Nëse protestuesit do të donin t’i vrisnin deputetët, do ta kishin bërë menjëherë sapo të ishin futur në sallën e konferencave.”

Nuk gënjeu aspak, siç në të kundërt pritej. Në ato pamje, lufta ishte se kush do të marrë dominimin brenda këtij raporti pushteti. Nga njëra anë, deputetët që tentojnë të jenë sa më ballëlartë, rezistues, luftarakë dhe që mundohen të mos shfaqin shenja frike, pendimi, agonie, rënieje, dorëheqjeje, kurse në anën tjetër, turma agresive që sulmon me mjete rrethanore, parë nga larg, ndërsa nga afër, me personelin e sigurimit të deputetëve.

Turma gjithsesi është e kursyer, sepse në rast se aty vritej ndonjë deputet, delegjitimoheshin. Kështuqë po luanin në kufijtë e brutalitetit që një fije e hollë e ndan nga vrasja. Ajo çka po kërkonin ata ishte që, duke i sharë deputetët, duke i rrahur, duke i turpëruar, t’i vendosnin ata në pozicionin e të akuzuarit, i cili tani do të marrë ndëshkimin publik popullor.

Drejtësia që pretendonte VMRO ishte ajo që buronte nga populli (ndryshe, elektorati i vet, në shumicë protofashist), popull i bërë bashkë me sovranin(VMRO). Spektakli që donin të ofronin ishte ai ku populli me tërbimin e vetë po sjellë drejtësinë në vendin e vet, drejtësi e cënuar nga deputetët tashmë të vendosur në rrotën e mundimit. Por, kjo pjesë e parë doli pa sukses.

Duke dashur të bëjnë të kundërtën, në fakt, sulmuesit nuk arritën të themelojnë tribunalin e tyre; faji ngeli tek ata si agresorë. Ca prej rezistencës së bërë dhe ca prej ndjenjave humanitare, shikuesit ndjenë simpati dhe keqardhje për deputetët. Në fytyrat dhe trupat e gjakosur nuk u dallua ndonjë grimë prej rrëfimi, rrëfim aq i domosdoshëm për procedurën.

Këta hetues-xhelatë nuk arritën t’ua nxjerrin të vërtetën deputetëve, e vërtetë që do buronte prej gjesteve të tyre, e vërtetë trampolinë për vazhdën e spektaklit të ndëshkimit.  Protestuesit humbën.

Kurse vazhdimi i dhunës, deri te gati-gati vrasja e deputetit të Aleancës për Shqiptarët, vetëm sa e thelloi humbjen, dhe e përnaltësoi këtë të fundit.

Skena tjeter, më rrënqethësja, ajo e tërheqjes zvarrë të kryetarit të LR-PDSH, nuk iu doli siç do të kishin dashur ata vetë. Kujtoni duelin mes Akilit dhe Hektorit. Patrokli mban veshur armaturën e Akilit gjatë luftimeve dhe Hektori, duke kujtuar se ishte Akili, synon për tek ai dhe e vret atë.

Kjo vdekje pason me tërbimin e Akilit, i cili e fton në duel Hektorin. Vdekja e Hektorit në duel nuk ndodh ngaqë Akili është më i zoti në luftim, por sepse tërbimi i tij bëri që Hektori të ndihej fajtor. Tërbimi i Akilit në fakt ishte tërbimi i një sovrani suprem, i cili do të shkarkojë furinë e tij të një drejtësie hakmarrëse dhe shpërfaqëse. Në këtë kuptim, Hektori e kishte humbur duelin akoma pa e nisur fare, që kur ndjeu pendim dhe frikë në momentin kur vrau Patroklin.

Tërheqja zvarrë e trupit të Hektorit nga ana e Akilit nuk është gjë tjetër veçse të bërit e prekshme e pranisë së papërballueshme të sovranit; siç shprehet dhe Foucault: “Tortura nuk është rivendosje e drejtësisë; porse riaktivizim i pushtetit.”

Përndryshe, ç’kuptim do të kishte tërheqja zvarrë e Ziadin Selës kur të gjithë kujtonin se ai kishte vdekur, veçse afirmim i pushtetit i cili, edhe te trupi i vdekur, demonstron forcë dhe e përdor atë për t’ia vënë atij vulën e vetes?!

Por, mesa duket kjo skemë dështoi. Sepse në këtë raport disproporcional të forcave, me dy aktorë, xhelatët dhe i ndëshkuari janë në një përleshje të dyfishtë. Përleshja e parë është vetëm mes këtyre dy termave. Përleshja e dytë implikon edhe spektatorin si pjesëmarrës. Spektatori e ka në dorë të aderojë  në njërën anë apo në anën tjetër. Ziadin Sela humbi të parën, por fitoi të dytën.

Pse ka rëndësi e gjitha kjo?

Po të kthehemi pas në periudhën e fushatës parazgjedhore, gjejmë disa ligjërata nga partitë politike. Ligjëratë që u përqëndrua mbi integrimin, çështje ekonomike, shoqëri e barabartë në sferën civile, ridefinime të papërcaktuara të shtetit. Vetëm LR-PDSH ishte e qartë, me kërkesa dhe alternativa politike si: parlament dydhomësh, shtet binacional, dygjuhësi në të gjithë territorin, ndarje e buxhetit me prerje lokale etj.

Kjo ligjëratë u përqëndrua në politizimin e çështjes shqiptare në FYROM dhe, si e tillë, solli në fjalorin publik probleme që më parë ishin të pathënshme. Dhe për këtë arsye ndodhi rrahja e Ziadin Selës, ngase qëndrimet e tij ishin politike, qëndrime që cënojnë rendin e pushtetit momental. Thënë ndryshe; nëse doni të dini se cili është vektori i duhur politik shqiptar, atëherë pyesni VMRO-në!

Dhunuesve i’u deshën 55 ditë ligjërim publik, nëpër protesta, që të mund të futeshin në parlament. Tani, le t’i bëjmë llogaritë vetë se sa ditë dhe vite ligjërate publike na duhen për avancim politik, për reforma kushtetuese dhe bashkim kombëtar?! Një gjë e tillë kërkon themelimin e një pushteti kolektiv të atillë që, i ngjizur prej fjalësh, dijesh, ligjëratash, i jep efektet e veta domosdoshmërisht në realitet. Realitet i thurur prej fjalësh, realiteti i pushtetit të ligjëratës – të cilën ne duhet ta ngremë vetë!

Loading...











Loading…