DioGuardi: Në vitin 1988 ja çfarë kërkova nga Bush-i për shqiptarët në Kosovë dhe Ish-Jugosllavi (VIDEO)

Ish kongresmeni shqiptaro – amerikan, Joe DioGuardi, i cili është kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-amerikane, thotë se ka mjaft kujtime nga presidenti i 41-të amerikan. Ai e ka takuar atë shumë herë, por kujton sidomos një takim në vitin 1984, kur ish-Presidenti George Herbert Walker Bush, në atë kohë nënpresident, erdhi të bëjë fushatë për të në Nju Jork.
“Ishte George H. W. Bush, i cili bëri paralajmërimin e Krishtlindjeve, në dhjetor 1992, duke i shkruar një letër presidentit Sllobodan Millosheviç, ku thoshte: nëse e shkallëzoni më tej situatën, do të shihni se ne do të ndërhyjmë. Por edhe përpara kësaj, në vitin 1988, në tetor ose nëntor të atij viti, unë i kërkova nëse mund të bënte diçka, pas gjithë atyre gjërave që po ndodhnin me shqiptarët në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë. I kërkova nëse mund të shkruante një letër të shkurtër për t’u dhënë zemër shqiptarëve. I dhashë disa sugjerime, për t’i treguar se cili ishte problemi. Ai si duket u këshillua me sekretarin e tij të shtetit dhe më dërgoi një letër të shkruar bukur. Aty ai thoshte se shqiptarët janë një popull trim dhe fisnik, pikërisht këto fjalë përdori. Ishte diçka e mrekullueshme. Më kujtohet kur ia shpërndava këtë letër komuniteteve shqiptare. Pikërisht një vit më vonë Serbia ndërhyri në Kosovë, prandaj ajo letër pati shumë rëndësi për t’u dhënë shqiptarëve shpresë.
“Unë e mbështeta qysh në fillim kandidaturën e të birit të tij George W. Bush. Ne organizuam një pritje për Bushin e ri në Hotel Sheraton të Nju Jorkut dhe unë sigurisht i përmenda atë që kishte bërë i ati për shqiptarët, sidomos në Kosovë.
“Ka rëndësi të kujtojmë se ai ishte njeriu të cilit ne i dorëzuam një peticion me 1 milion nënshkrime nga Kosova. Miku im, kongresmeni Henry Hide, i dorëzoi nënshkrimet në Shtëpinë e Bardhë. Unë besoj se ishin ato nënshkrime që sollën një kthesë, duke e bërë presidentin George W. Bush të kuptonte se ai duhet të ishte i pari që do të njihte pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Pra, ne kemi një trashëgimi të pasur me familjen Bush, jo vetëm me Presidentin George H. W. Bush por edhe me të birin, George W. Bush. Dhe unë jam krenar që shërbeva si një lloj ure mes të dyve.” (VOA)StrugaLajm

StrugaLajm

Loading...
loading...