Gishti i Bobanit!

Emin Azemi

Derisa dikush po feston, e dikush po proteston për gjuhën shqipe, në Kumanovë ndodhi skandali i radhës nga ana e Gjykatës së këtij qyteti, duke mbyllur një proces gjyqësor si rikualifikim, me çka vrasësi me paramendim shpallet “kundërvajtës trafiku”. Boban Iliq, i cili me veturën e tij kishte lënë të vdekur vogëlushin Almir Aliu, pas një fjalosjeje me prindin e tij, tash e tutje mundet lirisht të planifikojë edhe ndonjë vrasje tjetër, sepse ai i takon një kategorie më “të zgjedhur qytetarësh”, të cilët i mbron gjykata edhe kur marrin jetë njerëzish.

Shembullin e Bobanit, që doli nga Gjykata me gishtin e mesit të ngritur, mund ta ndjekë edhe ndonjë Boban tjetër, kurse viktimë e radhës sërish mund të jetë ndonjë shqiptar. Vrasësin me paramendim ky shtet po e ngre në model të qytetarit të privilegjuar, i cili nuk ka nevojë të brengoset për ligjet e vendit, sepse profesioni vrasës tash e tutje mund të bëhet shkollë që do të nxiste lakmitë e fjetura të rrugaçëve të etur për krim e dhunë. Kjo lakmi po motivohet nga shteti, kurse autorët e krimeve ngadalë, por sigurt po trajnohen nga skuadra vdekjeprurëse e gjykatësve dhe prokurorëve tendencioz.
Si ta kuptojmë ndryshe një Gjykatë, e cila harxhon aq shumë mend e djersë për të përmbysur me çdo kusht një skemë krimi, një ngjarje që kishte gjenezën dhe epilogun e saj dhe mbi të gjitha kishte motivin për të marrë një jetë njeriu, një jetë që sapo kishte filluar të ngrihet në këmbë. Almir Aliu nuk është viktimë vetëm e një krimi me paramendim, në një natë të turbullt në Kumanovë. Ai, mbi të gjitha, tash më është viktimë e një deformimi gjyqësor që padrejtësinë e ka bërë praktikë, kurse krimin e ka shndërruar në sport popullor. Të transformosh një krim ordiner në aksident trafiku, duke hedhur poshtë të gjitha dëshmitë dhe ekspertizat që e vërtetojnë të kundërtën, flet për një sistem të çoroditur (pa)drejtësie i cili nuk i jep llogari askujt kur janë në pyetje shqiptarët si viktimë.StrugaLajm

Kjo seance rikualifikimi u mbajt pikërisht një ditë pasi u miratua definitivisht Ligji i gjuhëve dhe ky dakordim i “rastësishëm” i këtyre dy ngjarjeve, flet për një mekanizëm sajesash që funksionon në këtë shtet. Ata që e kanë planifikuar këtë epilog gjyqësor i paskan projektuar edhe efektet amortizuese, duke tempuar këtë gjykim pikërisht në ditën kur shqiptarët duhet të festojnë dhe të dehen nga jehona triumfaliste e Ligjit të shumëpritur të gjuhëve. Vendosja e këtij skandali gjyqësor nën hijen e gjuhës shqipe shpjegon më së miri menaxhimin misterioz të një sistemi konfuz , ku patjetër njëra ngjarje duhet ta eklipsojë tjetrën ngjarje.

Almir Aliu nuk do të ketë mundësi t’i gëzohet Ligjit të gjuhës shqipe, sepse një vrasës nga vendlindja e tij me gishtin e mesit kishte dashur të thotë se e ardhmja e shqipfolësve në këtë shtet nuk varet gjithaq nga sistemi i ligjeve dhe parimeve, sa varet nga arbitrariteti i shkelësve të ligjit.StrugaLajm

Pafuqia për të vendosur drejtësi, është më makabre se fuqia e rrejshme e politikëbërjes. Lufta në mes të këtyre dy tendencave, në fakt është një rivalitet i pandalshëm që vazhdon të prodhojë dilema e paqartësi. Kryedilema e kësaj luftë sërish lidhet me pushtetin e ri, ky i tanishmi, i cili edhe atëherë kur emëron kryeprokuror të ri, nuk arrin të krijojë diferencën me pushtetin e vjetër.

Mos harroni: Vetëm përmes diferencave dallohen e mira dhe e keqja, e zeza dhe e bardha…
Në të kundërtën, gishti i Bobanit do të bëhet referencë e një sistemi që padrejtësive të djeshme iu jep legjitimitet të sotëm. KOHA.MK


Loading...
loading...