O milet, patrioti ka dalë lugat!

Fadil Lushi

Nëse nuk gabojmë, do të themi se vetëflijimi i akrepit, shkencërisht duhet të jetë instiktiv, jo se ka bishtin, por pse këta që nuk kanë prapanicën…, nga u dalin ato pordha, një dreq i mallkuar e di. Shumë kohë më vonë, mbesa e kryeprotagonistit të këtij shkrimi, kishte parafrazuar një shprehje proverbiale: “S’më dhimbset gjyshi, më dhimbset burrëria e tij!”

Nga Fadil LUSHI

Dikur moti ish të burgosurit politikë shqiptarë, kur i përfundonin dënimet për veprimtari armiqësore, detyroheshin (përkundër dëshirës së tyre) t’i heshtin torturat çnjerëzore që kishin përjetuar dhe, së fundi, tok me familjarët e tyre të kthejnë mendje dhe rrugë. Ata, fillimisht ballafaqoheshin me një realitet krejt tjetërfare, me një realitet që nuk përkonte me perceptimet e tyre pamore dhe dëgjimore…, me atë realitetin e trishtë ku mbizotëronte mospërfillja e të drejtave të njeriut, nënçmimi si dhe fyerja. Sa e sa ofendime të rënda janë bërë në adresë të njerëzve, të cilët dikur kishin probleme me pushtetin, po edhe me ca shqiptarë që ishin bashkëpunëtorë të UDB-së, madje edhe me ShIK-un e Shqipërisë. Një shembull të tillë do ta parashtrojmë më poshtë, tani në vigjilje të pesëdhjetëvjetorit të demonstratave të Tetovës.StrugaLajm

Miku im i dashur! Unë dua të të besoj se ti, para se ta lexosh shkrimin, nuk do ta paragjykosh kryeprotagonistin e këtij vështrimi për gazetë, sepse këtë dhe të tjerët si ky vatani i ka pasur gjithmonë për zemër dhe për xhan. Është e drejtë jotja dhe e gjithsecilit lexues të nderuar që ta lexojë si të dojë këtë opinion, por ama asnjeri nuk ka të drejtë ta vërë në dyshim a ta kontestojë origjinën e kryetitullit në fjalë. Mos çaj kokën në kërkim të së vërtetës, sepse lëre që nuk do ta gjesh, po edhe nuk do ta kuptosh hilenë që dikur ua kishin bërë njerëzve pa strehë.

Meqenëse kryetitulli i këtij vështrimi është denigrues, ne do bëjmë përpjekje që sado pak ta humanizojmë dhe njëkohësisht gjithë këtë histori të lavdëruar dhe të nëpërkëmbur ta çlirojmë nga varësia e njerëzve, gjegjësisht nga disa bashkatdhetarë të cilët gjatë kohë kujtonin se kinse kryeprotagonisti qenkësh i vdekur…, dhe që, pas dyzet vjetësh, kur e kishin takuar hallexhiun kishin pëllitur në kor: “O milet, patrioti ka dalë lugat!” E gjithë kjo britmë e çjerrë e tyre, nuk ishte kurrgjë tjetër, pos një pjesë e retorikës denigruese. Njeriu që në kampet dhe kazamatet famëkeqe të Hoxhë Enverit kishte vuajtur jo më pak se tridhjetë e nëntë vjet, pesë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë quhet Hashim Toplica (Ndjesë pastë!). Vakia e bashkëvendësit tonë është tronditëse dhe e dehumane…, sidomos kur kthehet në vatanin e tij të “harruar”. Fillimisht TROKET në derën e tij të madhe. Kur e bija ia kishte hapur atë derë të fisme ishte ballafaquar me një njeri “jabanxhi”, me një njeri të rraskapitur, me një njeri të vrarë shpirtërisht, me një njeri me zemër të copëtuar. E bija sikur donte ta “mbyllte” DERËN e HAPUR, sikur donte ta pyeste e t’i thoshte se kush ishte dhe kë kërkonte. Ndërkaq, njeriu që TROKITI në DERËN e tij, i thotë së bijës se po kërkonte të kaluarën e tij të vjedhur…, se po kërkonte të kaluarën e vet të lavdishme e të hidhur, se po kërkonte kalamajtë e vet, kujtimet e veta, se po kërkonte ëndrrat e rinisë së tij të humbur, se po kërkonte… Ndaj, po t’i kishin, le t’ia kthenin…, se ato ishin të tijat!StrugaLajm

Se si kishte përfunduar ai takim aty në DERËN e hapur e të fisme, unë që po shkruaj këtë vështrim, asnjëherë nuk arrita të hetoj asnjë të vetmen provë. Një gjë e di, njeriu që TROKITI në derën e tij, më vonë kishte trokitur edhe në dyert e ca institucioneve, me kërkesën që t’ia kthejnë shtetësisë e humbur që prej kohësh.

Që bashkatdhetari ynë ishte patriot, ishte. Që ishte njeri i lënë pas dore, ishte. Që ishte i vuajtur, ishte. Që diktatorit ia shau “mamkën”, vjehrrën dhe “Nexhën”, ia shau toptan. Që ia shau draprin, çekanin dhe kazmën, ia shau. Që ia shau partinë e punës, ia shau. Që ia shau targën e traktorit, ia shau. Që ia shau Stalinin, Mugoshën, Milladinin dhe Titon, ia shau. Që ia shau vëllezërit kinezë, ia shau. Që ia shau Burrelin dhe Spaçin, ia shau. Që i tha, të rëntë damllaja, ia tha me plotë gojë. Që i tha se dikur në Universitetin e Mompeliesë nuk kishte kaluar asnjë provim, i tha. Që për afro dyzet vjet nuk kishte dëgjuar zërin e kalamajve, nuk e kishte dëgjuar. Por ama të thuash se meritoi nofkën tallëse “lugat”, assesi nuk mund të thuash…, nofkë kjo pjellë e lugetërve të vërtetë që asokohe u shkonin vërdallë komunistëve.

O milet, pa më thuaj a mos vallë ky atdhetar, dhe të tillë të tjerë si ky, nuk meriton diçka më tepër, a mos vallë nuk meriton një rrëfim a shpjegim paksa më ndryshe…, paksa më human, a nuk meriton që të gdhendet në kujtesën tonë kolektive, a mos vallë nuk meriton lavdërimet tona, a mos vallë nuk meriton vëmendje më të madhe, ose, në instancë të fundit, një herë e përgjithmonë duhet ta lëmë nën “përkujdesjen” e njerëzve, të cilët hiç nuk kanë habere se si lidhet gomari, njerëz që kanë ngatërruar historinë, fenë, identitetin dhe gjininë e tyre…, njerëz toptan lapangjozë dhe lëngarakë në mendje, në prapanicë dhe në koqe…, njerëz, sikur të ishin binjakë me komunistët…, njerëz që këtë atdhetar asnjëherë nuk e ftuan në dasma dhe gëzime familjare, që asnjëherë nuk e ftuan në ndeja, që nuk e ftuan në mejhane…, po edhe kur e takonin atypari i drejtoheshin kamerierit me zë të lartë duke i thënë: “Gostite patriotin me një dopio dhe me pesë qofte…, faturën e shlyejmë ne!” Gjithë këtë veprim e bënin vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve…, duke u thënë: “Kësisoj duhet kujdesur patriotët!” Ehe, çfarë ofendimi për patriotin! E gjithë kjo vaki e kalorësve të vonuar që gostitën patriotin, ma kujton atë insektin dëmtues, gjegjësisht akrepin, që rron nëpër orizoret dhe që njihet me atë fenomenin e vetëvrasjes së tij – pra, kur rrethohet nga flakët e zjarrit, ai ngre bishtin dhe helmon veten (sa “shumë dinjitoze” për një insekt si akrepi!?). Nëse nuk gabojmë, do të themi se vetëflijimi i akrepit, shkencërisht duhet të jetë instiktiv, jo se ka bishtin, por pse këta që nuk kanë prapanicën…, nga u dalin ato pordha, një dreq i mallkuar e di. Shumë kohë më vonë, mbesa e kryeprotagonistit të këtij shkrimi, kishte parafrazuar një shprehje proverbiale: “S’më dhimbset gjyshi, më dhimbset burrëria e tij!”.

P. S. Miku! Në këtë dynja mund të blesh ç’të duash, por ama jo edhe heshtjen. Unë nuk do të hesht! (koha.mk)


Loading...
loading...