S’ka koalicione pa shqiptarë?

Duket se strategjia në të cilën luan LSDM-ja, është që kësaj radhe të mos shkojë me një koalicion vetëm me parti minore, por të përfshijnë ndonjë nga partitë e mëdha shqiptare. Partitë e vogla mund të mbledhin aty-këtu ndonjë votë, por “peshoren” e rëndon “tegu” i një partie të madhe.

Nga Daut DAUTI

  1. STRATEGJIA PËR ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

A është aq naiv Zoran Zaevi që e çon vendin në zgjedhje të parakohshme? Këtë pyetje shumëkush e ka bërë këto ditë pasi kryeministri vetë propozoi, atë që prej kohësh e kërkon opozita, pas “dështimit” në Samitin BE-së, pra, të organizohen zgjedhje të parakohshme. Pyetja ka logjikë, sepse të rralla janë qeveritë që kërkojnë zgjedhje të parakohshme në çast të pavolitshëm për të. Kurse për Zaevin, pothuajse nuk ka ndonjë arritje të madhe që ta shfrytëzojë si kapital politik në këto zgjedhje. Ndonëse, vargu i mospërmbushjes së premtimeve, mund të jetë më i vogël se i realizimeve (sikush mund ta zgjasë ose shkurtojë “vargun), por pesha e tyre është më e madhe që mund ta ndëshkojë. Premtoi dhe e bindi gjithë publikun se “data është punë e kryer”, doli e kundërta. Premtoi luftë kundër korrupsionit, por një varg aferash gjatë këtyre viteve të qeverisjes së tij kanë emra të përveçëm nga partia e tij si të dyshuar. Tash e prolongoi edhe një nga premtimet shpresëdhënëse, tatimin progresiv, që qe prezantuar si diçka që do t’i japë krah zhvillimit. Rritja e rrogave në administratë, arsim, shëndetësi(kur të gjorët mjekë do t’i marrin ato rroga evropiane që të mos ikin në Evropë?) si suksese, mund të jenë të pakta kundrejt atyre të parave. Suksesin më të madh të qeverisjes së Zaevit, mbylljen e kontesteve me Greqinë dhe Bullgarinë, si sukses e trajtojnë ndërkombëtarët, e jo qytetarët, të cilët “ngazëllimin” e tyre e shprehën me abstinencën në referendumin për ndryshimin e emrit. Çka është më e keqja, me gjithë këto kompromise të dhimbshme, mungoi në fund shpërblimi i pritur nga BE-ja…Telashe pra, sa të duash, kurse Zaevi shkon në zgjedhje të parakohshme?

Sa kam përcjellë në media muajve të fundit, nuk kam vërejtur ndonjë anketë që e qet LSDM-në para VMRO-së? (Ndoshta partitë i kanë anketat e tyre interne me të tjera përqindje…) Kjo duhet të jetë vetëvrasje politike…nëse, nuk ka në nëntekst ndonjë pritje optimiste se me shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, qytetarët do ta vlerësojnë si akt të virtytshëm politik marrjen përsipër të përgjegjësisë për dështimin në Samitin e Brukselit dhe faktin që dëshpërimi kështu ndahet bashkë me popullin, siç e pat deklaruar Zaevi.

Por, Zaevi nuk është aq naiv sa t’ia plotësojë dëshirën e kamotshme opozitës e ta ndëshkojë veten. Ka disa rrethana të favorshme që mund t’i shkojnë përshtati qëllimit të tij që të mbetet edhe më tutje në krye të qeverisë. Ndoshta i vetmi shans për këtë gjë është koalicioni, e deri diku kodi zgjedhor.StrugaLajm

Koalicionet, natyrisht, janë fenomen përcjellës në çdo zgjedhje. Ato të shpeshtën janë te blloku maqedonas, ku VMRO-ja në njërën anë, dhe LSDM-ja në anën tjetër, bëjnë koalicione që i ngjan shumë asaj shprehjes nga Dërveni, “si raba me ferra”! Ajo që lëviz është raba(qerrja), kurse ngarkesa janë ferrat, edhe atë, sipas të folmes së katundit tim, “ferra magjari”, ferra gjardhi, “kupoja”, ferra çalije, dardhavajca…”Përkthyer” në gjuhë të kuptueshme, i bie që qerrja(lokomotiva), me ymyt se do t’i hyjnë në punë, më shumë ka ngarkesa, se përfitim. Por, ja, ato duan të ndërtojnë imixhin e një forc me përkrahjeje të gjerë platformës së tyre politike, prandaj dhe i mbledhin “kuçi-e maçin”. Më tepër duket se krijojnë iluzion, se sa mbledhin vota me to. Duket se strategjia në të cilën luan LSDM-ja, është që kësaj radhe të mos shkojë me një koalicion vetëm me parti minore, por të përfshijnë ndonjë nga partitë e mëdha shqiptare. Partitë e vogla mund të mbledhin aty-këtu ndonjë votë, por “peshoren” e rëndon “tegu” i një partie të madhe. Me “minuset” që duket se i janë shkruar LSDM-së, i nevojitet një ndihmesë që nuk mund t’ia sigurojnë partitë “xhuxhe”. Shpresa që ta ketë një parti të tillë, sigurisht se do të jetë pjesë e “strategjisë fituese”. Ndoshta në strategji është kalkuluar dhe ndërrimi i kodit zgjedhor me një njësi zgjedhore, që po e pëlqejnë partitë e vogla, të cilat shpresojnë se nëse mbledhin vota nga gjithë vendi, mund ta kalojnë pragun. Me parti të tilla, që sigurisht se koalicionet do t’i kenë, me plus ndonjë më të madhe te blloku shqiptar, ja, formula fituese.

Matematika është kjo, ndonëse në paralajmërimet e para, BDI-ja u tregua e rezervuar, e cila parapëlqen që partitë të mos e humbin karakterin etnik. Mirëpo, askush nuk mund të përjashtojë në mënyrë absolute shansin për fitore që e mundëson koalicioni midis partive të mëdha nga bllokut maqedonas dhe ai shqiptar. Gara politike ka kuptim nëse dëshiron të arrijë qëllimin, nuk është sa për të bërë garë, pa kush të fitojë.StrugaLajm

Matematikën e LSDM-së dhe liderit të saj, megjithatë, mund t’ua prishë VMRO-ja me të njëjtën strategji. VMRO-ja edhe pse mbetet në “botën” e saj, një gjë e ka të qartë, se ndash para, ndash pas zgjedhjeve, pa partnerë shqiptarë do ta ketë vështirë të kthehet në pushtet. Është pak dhe në situatë më të vështirë ta përfitojë ndonjë parti shqiptare, duke pasur parasysh disponimin antivmroist te shqiptarët, që mund ta ndëshkojnë atë parti që do t’i bashkëngjitet VMRO-së. Nga ana tjetër, nuk është pa faj as lideri Mickovski, i cili nuk arriti ose nuk deshi ta dëbojë nga VMRO-ja “shpirtin e keq” që i ka irrituar me dekada shqiptarët. Mjerë ajo parti shqiptare që do të afrohet me këtë parti. Në këtë situatë, sigurisht Zaevi llogarit që edhe po të fitojë VMRO-ja, qeverinë do ta bëjë ai, për shkak të afrisë më të madhe me shqiptarët , edhe pse edhe ai e di se vetëm si elektorat, pa një parti të fortë në koalcioion, nuk do ta ketë lehtë fitoren, përkundër optimizmit që ka shprehur këto ditë se përsëri do ta mundë VMRO-në.

Formula fituese qe sprovuar tashmë u shprovua, jo një herë por dy herë, në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato presidenciale, me koalicionin parazgjedhor midis LSDM-së dhe BDI-së, kurse në mënyrë të fshehtë, pothuajse në të gjithë zgjedhjet e deritashme.

  1. KUR TË MARRËSH NË THUA, S’KA TË NDALË

E mira vjen fije-fije, kurse e keqja shtëllunga-shtëllunga…kështu thotë një fjalë popullore. Kjo po shihet dita më ditë me shuarjen e Prokurorisë Speciale pas aferës “Reket” dhe akuzës së ngritur ndaj kryeprokurores Katica Janeva. Hajt që i dëshpëroi të gjithë optimistët se Katica do të sjellë drejtësi(ndërkohë doli spekulimi se ajo paska penguar një lëndë të gatshme për kriminalitet në projektin e Shkupit 2014!), hajt se përfundoi në paraburgim për q’ato mobiliet prej 5 mijë eurosh e ca “imtësirave” tjera, por futja e saj në paraburgim la vakum ligjor dhe qindra të punësuar PSP-së (për prokurorët nuk pati problem, u kthyen në punët e mëparshme), qe dy muaj nuk ka kush t’u nënshkruajë rrogat mujore. Tash edhe më keq nga paralajmërimi i tyre se do ta padisin shtetin që i la në këso vakumi për dëmshpërblim. I lanë partitë në vakum partitë që nuk mund të merreshin vesh për një zgjidhje ligjore kalimtare dhe për hiret e tyre duhet të paguajë shteti! Kur përplasen lisat, e pësojnë shkurret!

Si thotë një fjalë tjetër, e keqja asnjëherë nuk vjen vetëm….

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...