5 mijë euro për të rinjtë që hapin një biznes,23 mijë kredi kush punëson 4 persona

Programi për Vetëpunësim është hartuar për t’i përmbushur nevojat e njerëzve të rinj të papunë, të cilët i posedojnë shkathtësitë e nevojshme dhe kanë ide biznesi realisht të realizueshme, mirëpo ju mungon përvoja dhe vetëbesimi për të hapur kompani të tyre. Programi për vetëpunësim filloi të zbatohet nga viti 2007, dhe deri në vitin 2016 kanë aplikuar gjithsej 27.500 persona të papunë

Zejnulla VESELI

Shkup, 20 shkurt – Së shpejti Agjencia për Punësim i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të shpall disa konkurse për përkrahjen e programit për vetëpunësim për vitin 2019. Sipas zv.drejtorit të kësaj agjencie, Arben Ziberi, bëhet e ditur se edhe këtë vit do të hapet konkursi për vetëpunësim. “Jemi duke biseduar me përfaqësuesit e UNDP-së sepse njëri nga këto projekte financohet nga Bashkimi Evropian. Paraprakisht kemi rënë dakord që më 25 shkurt së bashku të bëjmë promovimin e masave që parashihen për projektin për vetëpunësim për këtë vit. Pas kësaj, javën e parë të muajit mars do të shpallim konkurset”, thotë për KOHA, Ziberi.StrugaLajm

Do të ketë disa lloje të konkurseve kurse shuma e parave që do të lejohen për të papunët që në të ardhmen mund të fillojnë biznes privat, do të jenë nga 5000 euro për biznese individual dhe deri më 23 mijë euro nëse aplikuesi parasheh punësimin e 5 personave.
“Për moshat më të reja, për dallim nga vitet e kaluara për hapje të bizneseve individuale, parashihej ndarje të granteve deri më 3000 euro pa kthim. Këtë vit kjo shumë do të rritet në 5000 euro. Gjithashtu nëse një i papunë aplikon për hapje të bizneset të vogël ndërsa parasheh që të punëson edhe 4 persona tjerë, kredia që mund t’i lejohet është shuma totale prej 23 mijë euro”, thotë Ziberi. Po ashtu sipas Ziberit risi këtë vit do të jetë konkursi që do të shpallet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Me Programin për vetëpunësim vitin e kaluar sipas Ziberit janë themeluar 983 biznese me diku 150 punonjës të ri.
“Shumica e këtyre bizneseve private, ose 19 për qind janë hapur në Shkup, 11 për qind në Tetovë, 8 për qind në Prilep, 7 për qind në Gostivar dhe 6 për qind në Manastir. Veprimtari që janë hapur janë tregtia me shumicë dhe pakicë, industria përpunuese dhe veprimtari të tjera shërbyese”, thotë Ziberi.
Programi për vetëpunësim është hartuar për t’i përmbushur nevojat e njerëzve të rinj të papunë, të cilët i posedojnë shkathtësitë e nevojshme dhe kanë ide biznesi realisht të realizueshme, mirëpo ju mungon përvoja dhe vetëbesimi për të hapur kompani të tyre.
“Njerëzit zakonisht i mbivlerësojnë vështirësitë për themelimin e kompanive, andaj, ne jemi të disponueshëm që t’i udhëzojmë dhe drejtojmë gjithë procesin. Madje ua forcojmë dhe vetëbesimin. Ky program për vetëpunësim në nivel shtetëror është i hapur për çdo person që për momentin është i papunësuar dhe ka ide të realizueshme për të hapur biznesin e tij”, nënvizon Arben Ziberi zëvendësdrejtor në APRMV-së.
Ndryshe, Programi për vetëpunësim filloi të zbatohet nga viti 2007, dhe deri në vitin 2016 kanë aplikuar gjithsej 27.500 persona të papunë ndërkaq 8.730 sipërmarrës kanë themeluar biznesin e tyre, prej të cilëve 35 për qind janë femra, ndërsa 31 për qind janë persona të rinj në moshë deri në 29 vjeç.
“Shumë prej bizneseve që janë krijuar me ndihmën e programit për vetëpunësim shënojnë rritje, ashtu që 120 ndërmarrjet më të mëdha punësojnë mbi 1.000 punëtor. Çdo e pesta firmë që është krijuar me programin për vetëpunësim ka krijuar vende të reja punë. Programi ofron ndihmë financiare për një periudhë të caktuar kohore ndërsa personat që hapin firma vazhdojnë të punojnë edhe sot e kësaj dite. Elementi kyç i Programit për vetëpunësim është inkurajimi i të rinjve të diplomuar, që ende janë të papunë, por edhe i të rinjve të tjerë të marrin në konsideratë mënyra të ndryshme për t’i shfrytëzuar shkathtësitë e tyre”, saktëson Arben Ziberi, zv. drejtor i APRMV. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...