“7 MARSI – FESTA E MËSUESIT DHE NXËNËSIT”

Prof. Dr. Nebi Dervishi

 “7 MARSI – FESTA E MËSUESIT DHE NXËNËSIT”

(Me rastin e 135 Vjetorit të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë – 7.03.1887)

Më 7 Mars 2022 mbushen plotë 135 vjet të themelimit të Shkollës së Parë Shqipe (1887 – 2022) –Festës së Mësenjëtores së Parë Shqipe dhe njëherit Festë e dashur e mësuesit dhe nxënësit.

Mësonjëtorja Shqipe e Korçës – ishte shkollë fillore me fizionomi të theksuar kombëtare laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. U hap në kushtet e pushtimit osman, kur shkollat shqipe dhe mësimi shqip ishin të ndaluar, në Korçë, më 07.03.1887, me nismën e një grupi rilindësish dhe me përkrahjen e masave patriotike korçare dhe atyre të mërgimit. Ajo u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare. Aty mësonin nxënës të të gjitha besimeve, sekseve dhe shtresave dhe mësimi jepej falas. Nga ana e përmbajtjes, e strukturës dhe e planit mësimor ishte një shkollë mjaftë e përparuar. Jepeshin lëndët: shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, historia e Shqipërisë, gjeografia, aritmetikë, etj. E tërë veprimtaria përshkohej nga idetë patriotike, nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Drejtuesit e saj qenë veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Shkolla funkcionoi 15 vite, duke përballuar vështirësitë e pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe kleri  antikombëtar. Në prag të shek. XX u bë me 6 klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirim kombëtar.

Nga vitit 1960, 7 Marsi është caktuar si festë e fitore gjithëkombëtare, në përkujtim të themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe (7 Mars 1887), mendej për të vlerësuar traditat më të mira të shkollave kombëtare shqipe, si dhe figurën e nderuar të mësuesit dhe tërë atë plejadë që dedhën gjakun e djersën për të edukuar e arsimuar breza të tërë nga Rilindja Kombëtare e në vijimsi.

Ngjarjet janë ato që duhet nga gjeneratat të kujtohen, kurse mendimet dhe veprat të lartësohen. Populli ynë i lashtë, ndër më të vjetrit në Ballkan, do të kujtojë e do të festojë ndër shekuj edhe Ditën e Mësuesit shqiptar që është një ngjarje e madhe për historinë e arsimit dhe kulturës kombëtare.

Hapja e Mësonjëtores së Parë në Korçë, punën e vet e nisi këtu e 135 vjet më parë, ishte një rreze drite që u ndez në errësirën anadollake shekullore të pushtetit obskurantist osman. Ajo realizoi një ëndërr të vjetër të shqiptarëve; dalja në dritë pas shumë shekujsh të gjuhës shqipe, ringjalljen e ndërgjegjes kombëtare, të cilat ngjallin shpresën e madhe se edhe kombi shqiptar, si komb i veçantë dhe më i vjetri në Ballkan, përmes arsimit në gjuhën shqipe do të ngrihet në majet më të larta të përparimit dhe lirisë së ligjshme.

Hapja e Mësonjëtores në Korçë, kësaj “FOLEJE KOMBËTARE”, siç u quajt nga shqiptarët, ishte një ngjarje e shënuar dhe përbënte një fitore të madhe për tërë Rilindjen Kombëtare. Data e përurimit të saj, u kthye në një ditë feste dhe gëzimi.

“… MËSIMI I GJUHËS SHQIPE ËSHTË I LEHTË, SEPSE ËSHTË GJUHA QË E FLISNI NË SHTËPI DHE NUK ËSHTË GJUHË E HUAJ…”, u tha Pandelin Sotiri vogëlushëve korçarë në orën e parë të mësimit.

Hapja e mësonjëtores së Korçës pati jehonë të madhe në mbarë trojet shqiptare dhe në shoqëritë shqiptare që vepronin jashtë vendit. Për të gëzuar shqiptarët e Bukureshtit, të nesërmen e këtij evenimenti, pra më 8 mars, patrioti Thimi Marko, u shkruan “DËSHIRA TONË U MBARUA, SHKOLLA SHQIPE U HAP, DRURI QË VUNË NË KËTO DY VITE, SOT LULËZOI DHE DHA PEMË TË ËMBLA….”

Shembulli i Korçës dhe i Mësonjëtores së Parë Shqipe u ndoq edhe nga qytete e krahina të tjera. Kështu, shpejtë u hapën shkolla të tjera në Pogradec, Ohër, Ersekë,. Elbasanë, Dibër, Rekë, Kolonjë, Përmet, Vlorë e Berat. Në maj të vitit 1889 u hap shkolla e parë në Prizren, që më pas përcillet nga shkolla e Pejës, Gjakovës, e Shkupit. Shkollat laike shqipe vazhduan të përhapen me shpejtësi të madhe. Në vititn 1891, Gjerasim e Sevasti Qiriazi në Korçë hapën shkollën e parë për vasha.

Lëvizja shqiptare për arsim kombëtar mori hov edhe më të madh pas vitit 1908, pas mbajtjes të Kongresit të Manastirit për njësimin e Alfabetit unik të shqipes, e sidomos pas mbajtjes së Kongresit mbarëshqiptar të Elbasanit, më 2-8 shtator 1909. Kongresi solli vendimin historik për hapjen e një shkolle të mesme normale (pedgogjike) që u hap në Elbasan më 1 dhjetor të vitit 1909. Këtu me vrull të madh punuan atdhetarët dhe pedagogët si Dh. Shuteriqi, A. Xhuvani, L. Gurakuqi e shumë të tjerë. Frytet e Normales së Elbasanit shumë shpejtë u shijuan edhe nga shqiptarët që mbeten jashtë kufijve administrative të Shqipërisë. Rruga e shkollës shqipe ishte plotë vështirësi dhe sakrifica. Shkolla shqipe dhe Engjujt e arsmimit kombëtar ishin të përndjekur, të burgosur e të syrgjyrosur që në fillim të shek. XIX e deri në fund të shek. XX. Rruga e shkollës shqipe ishte njëherit edhe e lavdishme, sepse ajo mbolli pemë që ishte e ujitur me gjak e lotë – fryti i asaj peme i quajtur Arsim, sot vërehet në çdo anë të truallit arbëror.

Deri në ditët e Luftës së Dytë Botërore, Arsimi shqip në trevat etnike shqiptare jashtë kufijve administrative të shtetit amë ishte ëndërrr e parealizueshme. Shqiptari mund të mësonte turqisht, greqishtë e serbokroatishtë por, jo shqip.StrugaLajm

Në maj të vitit 1941, Ministria e Arsimit në Qeverinë e Tiranës, me Dekretin e Ministrit, Prof. Ernes Koliqit u bënë përgatitjet e para duke u organizuar kurse verore në gjuhën shqipe, nëpër qytetet e fshatrat më të mëdha në “tokat e liruara”, siç u quajtën asokohe. Dhe konkretisht më 20 nëntor 1941, shkolla shqipe u hapën në të gjitha nënprefekturat e Prefekturës së Dibrës, si në: Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Rekë. Duhet theksuar se kuadri arsimor  që dha kontribut të madhe për arsimin e popullatës së trevave lindore shqiptare nga Struga deri në Grupçin, ishte i ardhur nga Normalja e Elbasanit, e cila ishte “Fidanishtja e parë e kuadrit arsimor shqiptarë”. Lista e tyre ishte e gjatë. Ishin rreth 200 pëllumba të parnasit shqiptar”, siç do të shprehej vite më vonë Prof. Ernest Koliqi në “Shejza”, Nr. 1, në vitin 1957. Të gjithë këto pishtarë, për kontributin që dhanë u bënë shtyllat e arsimit shqip dhe meritojnë vend të posaçëm në altarin e arsimit kombëtar. Edhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore shkolla shqipe në kontinuitet e ruajt, por ajo hasi në vështirësi të mëdha. Presioni ndaj arsimit shqip e sidomos ndaj mësuesve dita ditës bëhej i padurueshëm. Mësuesve u ra tani një barrë e rëndë, sepse duheshte të ruajnë traditën e arsimit shqip dhe të ngrejnë ndërgjegjen dhe vetëdijen kombëtare. Ishte i madhë numri i mësuesve të cilët u ndoqën, i përjashtuan, u martirizuan, u internuan në 5 dekadat e fundit të shek. XX, vetëm e vetëm se mbrojtën gjuhën dhe shkollën amtare, sepse cila do të ishte rëndësia e kombit pa shkollë e pa arsim.

Në këto vite arsimi shqip në Maqedoni pati batica dhe zbatica të shumta. Ishin këto vite kur arsimi shqip ndeshej me probleme të shumta në lëmin e mbajtjes së evidencës pedagogjike, lëmin e krijimit të paraleleve të përziera, në ndërrimin e emrave të shkollave e shumë e shumë, probleme të tjera, që paraqisnin një cungimë të të drejtave të shqiptarëve dhe asgjasimit të kulturës dhe të arsimit shqip. Gjatë kësaj kohe u bënë ndryshime në plan-programet mësimore të lëndëve të historisë, gjuhës shqipe, edukatës muzikore, etj., u ndryshuan tekstet shkollore, u hoqën librat e autorëve shqiptar nga biblotekat shkollore, etj.

E tërë kjo katraure e dhunë nuk na trembi po na bashkoi u bëmë më të bashkuar, më të fortë, hovin e shkollimit e vazhduam më me forcë e vullnet, hapëm shkolla të reja, shtuam numrin e paraleleve shqipe nëpër shkollat e mesme, u bëmë këmbëngulës për të kërkuar arsim universal, dhe ia arritëm qëllimit, nga 1994 e këtej. Sot, vajza djemë shqiptar i hasim nëpër kabinete dhe anfiteatro të Universiteteve në Tetovë, Prishtinë, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë Shkup e gjetkë, por do të vazhdojmë të hapërojmë përpara, sepse arsimi universitar është shtylla kryesore mbi të cilën do të mbështetet e ardhmja, që duhet të jetë më e ngritur dhe më me prespektivë.

 Brezat paraardhës ndër vite e kanë kujtuar dhe do ta kujtojnë gjithnjë Mësonjëtoren e Korçës,  ku me referate dhe me orë historike janë shpalosur vlerat dhe rëndësia e kësaj feste të dashur e mësuesit dhe nxënësit.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte e vogël për nga numri i nxënësve dhe për nga numri i mësuesve. Por, kjo Mësonjëtore ishte e madhe për misionin që kreu. Tani emri i sajë zen vendin qendror në piedistalin e Arsimit Shqip.

Për rolin që luajti në atë periudhë të vështirë për kombin tonë asaj dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut të madh për realizimin e idealeve të larta, për arsim kombëtar ju jemi mirnjohës.

Sot, më 7 Marsi 2022 mbushën plotë 135 vjet të Mësonjëtores shqipe të Korçës e themeluar (hapur) më 7 mars 1887), është festë e përbashkët e Mësuesit dhe e nxënësit.

Pishtarëve dhe veteranëve të arsimit, që nga Pandeli Sotiri, i përgëzojmë dhe iu urojmë:

– Gëzuar 7 Marsin – Festa e përbashkët e Mësuesit dhe nxënësit.

07.03.2022

Prof. Dr. Nebi Dervishi

In : Aktuale

Loading...
loading...