
Vendimi i një prej dy dioqezave katolike në Shqipëri që të ndalojë celebrimin e martesave ditën e dielë, ka ngjallur shumë debat.
Një prej faqeve katolike më të njohura në botë, CruxNow i ka kushtuar një reportazh këtij vendimi.
Dioqeza Shkodër-Pult ka vendosur që të mos celebrojë dasma të dielën duke nisur nga janari i vitit që vjen.
Kjo për shkak se të dielën, katolikët duhet të shkojnë në meshë.
Vendimi është pritur me debat, pasi disa thonë se e diela është një ditë shumë e bukur për të celebruar dashurinë në kishë.
Të tjerë thonë se vendimi është i duhur pasi njerëzit po braktisin kishën.
Klerikët thonë se ishte bërë e vështirë që të dielën të kremtohej mesha, pasi duhej të celebronin deri në 15 martesa në ditë.
Megjithatë ekziston frika se me këtë vendim, njerëzit do zgjedhin të celebrojnë martesat e tyre jashtë kishës.
Një ekspert amerikan sugjeron një zgjidhje për shqiptarët.
Ai thotë se rituali i martesës mund të përfshihet brenda liturgjisë së të dielës.
James Moroney tha se kjo është një praktikë e rrallë, por që po njeh rritje gjithmonë e më shumë.
“Sidomos në SHBA po aplikohet shumë, për shkak të mungesës së priftërinjve,” tha ai.