A e dini sa qindra mijë euro kamatë në ditë paguan Maqedonia?

Maqedonia në periudhën 2012-2017 ka paguar mbi 500 milionë euro vetëm për kamatat e borxhit shtetëror. Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar i vitit 2012 deri në muajin tetor të 2017-ës, për kamata janë paguar afër 560 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Përllogaritjet tregojnë se në mesatare, për çdo ditë, në emër të kamatave, paguajnë afër 406 mijë euro, nëse përllogarisim borxhin prej 122 milionë të kamatave që është paguar përgjatë periudhës janar-tetor të këtij viti. Bile, të dhënat tregojnë se kemi dyfishim të shumës që paguajmë në emër të kamatave të borxhit të shtetit në dhjetë vitet e fundit. Analizat tregojnë se në vitin 2006, për kamata kemi paguar 51 milionë euro në vit, ndërsa vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti, për kamatat e borxheve janë paguar 122 milionë euro. Ekonomistët thonë se me rritjen ekonomike modeste prej vetëm disa për qind në vit në periudhën e kaluar, Maqedonia ka vështirësi jo vetëm të paguajë borxhin kryesor, por edhe kamatat, pa hyrë në borxhe të reja brenda apo jashtë shtetit.

Vlerësohet se rritja modeste prej 2-3 për qind në vitet e kaluara, apo në të holla prej 180 deri 270 milionë euro vështirë se i mbulon kamatat në vlerë prej 100 milionë euro në vit, dhe pagesën e borxhit kryesor, që vetëm në vitin 2017, është i vlefshëm 507 milionë euro. Hyrja e mëtejshme në borxh imponohet edhe me deficitin buxhetor prej 3 për qind të PBB-së apo afër 270 milionë euro në vit. Në vitet e kaluara, huazimet, së bashku me kamatat, pak kanë mbështetur rritjen ekonomike më të madhe dhe nuk kanë përmirësuar standardin e qytetarëve, për shkak se janë harxhuar në një pjesë të madhe në mënyrë joproduktive dhe kanë shkuar edhe për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse të funksionimit të shtetit. Borxhi publik që në Maqedoni varet nga rritja ekonomike, deficiti primar dhe cilësia e shpenzimeve publike apo mënyra e harxhimit të të hollave. Nga ana tjetër, viteve të fundit, strukturat e shpenzimeve që identifikojnë rritjen, tregojnë se struktura e shpenzimeve ka qenë për qëllime më shumë joproduktive sesa produktive, tregojnë analizat e Qendrës për analiza ekonomike. Themelorja është gjatë rritjes së borxhit publik, a është rritur në të njëjtën kohë edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto, kur dihet se kohët e fundit në Maqedoni, PBB e jonë shënon stagnim, ndërsa kemi rritje të borxhit publik.StrugaLajm

Njohësit e financave vlerësojnë se nuk është problem edhe nëse Maqedonia futet në borxh publik, por vetëm me një dinamikë të kujdesshme dhe me investime kapitale në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, zvogëlim të varfërisë dhe të ngjashme, me çka borxhi mund të jetë edhe produktiv pasi tani këto të holla shkojnë në harxhim të pastër dhe nuk ndihmojnë rritjen e aktiviteteve ekonomike. Problem tjetër i financave të shtetit në vend, është edhe gjendja kur shteti ka harxhime më të mëdha se të ardhura, andaj edhe në fund të çdo viti vjen te deficiti buxhetor që sjell edhe rritjen e borxhit të shtetit, që mbulohet me huazime të reja në vend të rritjes së shëndoshë ekonomike.StrugaLajm

Ndryshe, raporton KOHA, në vitin 2012 borxhi publik ka qenë 2.908 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 69 milionë euro, në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 3.281 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 75 milionë euro. Në vitin 2014 borxhi publik ka qenë 3.921 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 83 milionë euro, në vitin 2015 borxhi publik ka qenë 4.227 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 105 milionë euro. Ndërsa në vitin 2016 borxhi publik ka qenë 4.71 miliardë euro, ndërsa kamatat 117 milionë euro.

In : Aktuale

Loading...
loading...