Ali Ahmeti i tregon gazetarit PSE e feston pavarësinë e Kosovës në Shkup
Dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës u shënua edhe në Shkup. Ky organizim ishte i pakuptueshëm për disa gazetarë, të cilët pyetën Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti se si është e mundur që pavarësia e një shteti tjetër të shënohet në mes të Shkupit!
Nën patronazhin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, dhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës u shënua edhe në Shkup. Ahmeti u bëri thirrje institucioneve që ta shtojnë bashkëpunimin, sepse siç tha ai, dikur i kemi pasur duart në pranga, kurse tani i kemi të lira që të intensifikojmë bashkëpunimin ne sferën e arsimit, kulturës e shëndetësisë. Shënimi i ditës së pavarësisë së Kosovës ishte i pakuptueshëm për disa gazetarë, të cilët pyetën Ahmetin se si është e mundur që pavarësia e një shteti tjetër të shënohet në mes të Shkupit. E ai u përgjigj kështu…
“Kosova shqiptarët e Maqedonisë i ka shkolluar, sepse këtu shkollimi ishte i ndaluar. Unë që bëj këtë manifestim jam i torturuar dhe i rrahur nga organet e UDB-ës së asaj kohe vetëm pse kam kërkuar shkollimin në gjuhën amtare këtu në shtetin tim. Nëse juve ju duket e pabesueshme, hyni dhe shihni arkivat e shtetit, Jovan e ka pasur emrin torturuesi im”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Ahmeti theksoi se ka një konsideratë të veçantë për Kryengritjen e Ilindenit dhe për ditën e pavarësisë së Maqedonisë, por nuk ka qenë i pranishëm sepse nuk ka pasur ftesë. Kreu i BDI-së nuk harroi të falënderon edhe komunitetin ndërkombëtar, për të cilët tha se po të mos ishin, numri i viktimave do të ishte edhe më i madh.
Nga ana tjetër ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, tha se numri i madh i marrëveshjeve bilaterale me Maqedoninë wshtw dëshmi për bashkëpunimin e mirë në mes dy shteteve. Ai e lartësoi kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë për çlirimin e Kosovës.
“Është e rrallë që në fakt më shumë një ambasador i një vendi duhet t’iu uroj nikoqirëve për pavarësinë, se sa që ia urojnë atij. Kjo pavarësi as nuk do të arrihej, as nuk do të kishte kuptim pa ju. Pa sakrificën e gjeneratës tuaj. Nuk është fer të numërohen vetëm 10 vite, nuk është matematik fer. Ka shumë 10 vjeçarë para këtij 10 vjeçari në të cilët gjenerata si ju keni sakrifikuar, jeni solidarizuar, jeni mishëruar me atë që quhet çështje e Kosovës. Kosova nuk do ishte e pavarur pa ju, por është e pavarur për ju”, tha Ylber Hysa, Ambasador i Kosovës në Maqedoni.
Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 116 shtete, kurse ambasadori kosovar është i mendimit se realitetin e ri ngadalë po e kupton edhe Beogradi.