Amerika, si gjithmonë-Festim POLLOZHANI

Nëse ka një projekt amerikan për sigurimin e paqes në periudhë afatgjate në Ballkan, atëherë ne duhet ta përkrahim atë. Nëse ka një projekt për Luginën e Preshevës, ne do ti besojmë. Nëse ka shpresë për shqiptarët e Sanxhakut dhe Toplicës, duhet ta mbajmë gjallë. Nëse duhet një zgjidhje për shqiptarët e Maqedonisë, ne sytë i kemi nga SHBA-të…

Nga Festim POLLOZHANI

Në Strugë, para një viti ushtria amerikane organizoi një mini paradë, ku qytetarët nga afër do ti shihnin mjetet luftarake dhe ushtarët amerikanë. Entuziazmi për ta parë nga afër një ushtri e cila nuk kishte nguruar ti ndihmonte shqiptarët në momentet më kritike të historisë moderne por edhe më herët, reflektohej në dëshirën e qytetarëve për tu fotografuar me këta ushtarë dhe me mjetet ushtarake sado modeste që u paraqitën në atë paradë. Çështë e vërteta qytetarët ishin nga etni të ndryshme, por entuziazmi i shqiptarëve sikur ishte dukshëm më i madh. A thua pse?! Nuk dua të ndërlidhem me deklaratën e presidentit serb, i cili deklaroi se: “nuk mund të luftojmë me Amerikën sepse ajo është nënë e babë për shqiptarët e Kosovës”, por në një farë mënyre është një deklaratë që përtej tendencës politike ose konotacionit që ka dashur ti japë zotëria, është e vërtetë.

Më vjen mirë që dikush e paska kuptuar këtë fakt, edhe pse pak me vonesë. Në fakt, në mënyrë indirekte duke e ditur nga afër historinë e Kosovës mund të them se kjo mund të interpretohet edhe kështu: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ruajtëse të paqes kudo nëpër botë dhe garantues të të drejtave të popujve të shtypur.  Kjo faktohet nga vizioni në vepër i SHBA-ve që në kohën e presidentit Uilson dhe parimin për vetvendosjen e popujve dhe interesin e SHBA-ve për të mirën e popujve të vegjël në Evropë që nuk ishin marrë parasysh në politikën e fuqive të mëdha.StrugaLajm

Pra, kemi të bëjmë me një politikë vizionare që në mënyrë të vazhdueshme ndihmon popujt e vegjël dhe të neglizhuar, natyrisht politikë e cila bazohet edhe në interesat politike të SHBA-ve, siç vepron çdo shtet i fortë dhe i konsoliduar në çdo aspekt. Nisur nga ky fakt duke e kuptuar pozitën e palëkundur të SHBA-ve në këtë drejtim, dikush mendoi se duhet gjetur një instrument për ti paraqitur shqiptarët si popull anti perëndimor, si popull radikal, si popull i prapambetur që nuk përkon me identitetin evropian , pra një popull i cili është kundër frymës amerikane dhe asaj perëndimore në përgjithësi. Instrumenti ishte ai i identifikimit nëpërmjet të fesë, ose keq interpretimit të fesë, propagandë nga e cila shqiptarët do të indoktrinoheshin në mënyrë masive dhe mbi këtë bazë jo vetëm që do zbehej identiteti kombëtar dhe do futej përçarja fetare mes tyre por do e humbnin edhe përkrahjen e aleatëve perëndimorë, gjë që do i vendoste në pozitë të pa lakmueshme shqiptarët në Ballkan.

Ç’është e vërteta, kjo propagandë e ka bërë punën e vetë, sidomos te shqiptarët e Sanxhakut, të Toplicës, deri diku edhe shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, deri në një moment shqiptarët e Kosovës që janë të lidhur ngushtë me shqiptarët e Maqedonisë e sidomos Shkupin, Kumanovën dhe Tetovën si qytete ku shqiptarët janë me numër të madh, dhe kjo propagandë djallëzore është prezente. Mos harrojmë se bashkëpunimi shqiptaro-amerikan është më i hershëm se kjo propagandë djallëzore. Dua të kujtoj përpjekjet e shqiptarëve në periudha të ndryshme për të dëshmuar lidhjet me botën perëndimore, të shqiptarëve pa marrë parasysh përcaktimit fetar dhe kam parasysh mbi të gjitha Kristo Dakon, Faik Konicën dhe Fan Nolin në një kohë, pastaj Mid’hat Frashëri në një periudhë shumë të vështirë, mos e harrojmë Dioguardin dhe angazhimin e tij në këtë drejtim, dhe anasjelltas, angazhimin e presidentëve amerikan duke filluar nga Uillson, Ruzvelt, pastaj presidenti Bush senior (vendosja e vijës së kuqe ndaj Serbisë dhe përpjekjet e tij për tu takuar me ambasadorin shqiptar në Kinë në një kohë pa kohë) , për të mos folur për kontributin e presidentëve të kohës më të re që nuk ka nevojë të përshkruhet sepse emrat e tyre tashmë i mbajnë shumë rrugë dhe bulevarde në vendbanimet shqiptare, bile duke i nderuar me buste dhe përmendore.StrugaLajm

Është e vërtetë se një propagandë e pa skrupull u bë edhe në raport me presidentin aktual të SHBA-ve, duke u munduar që ta paraqesin si anti-mysliman  me shpresën se kjo do të shkaktonte pakënaqësi te shqiptarët që i takojnë fesë islame dhe kjo pakënaqësi do bënte që shqiptarët të dilnin kundër Trumpit, pra kundër Amerikës. Por, Uncle Sam i di të gjitha dhe trika të tilla djallëzore nuk kanë efekt, sepse sot bota funksionon në bazë të qarkullimit të informatave dhe komunikimit masiv, prandaj propagandat e tilla djallëzore mbesin shterpe.

Përkrahja e fuqishme për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në një ushtri të konsoliduar dhe përkrahja logjistike dhe ushtarake që SHBA-të i dhanë shtetit më të ri në Evropë, tregon se SHBA-të nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga misioni i tyre për vendosjen e paqes në Ballkan dhe mbi të gjitha  mbështetjen ndaj Kosovës dhe konsolidimin e saj si shtet. Me rëndësi është që vija institucionale shqiptare të jetë në një vijë me atë amerikane dhe për fat të mirë në një vijë është.

Nëse ka një projekt amerikan për sigurimin e paqes në periudhë afatgjate në Ballkan, atëherë ne duhet ta përkrahim atë. Nëse ka një projekt për Luginën e Preshevës, ne do ti besojmë. Nëse ka shpresë për shqiptarët e Sanxhakut dhe Toplicës, duhet ta mbajmë gjallë. Nëse duhet një zgjidhje për shqiptarët e Maqedonisë, ne sytë i kemi nga SHBA-të. Nëse Kosova është projektuar që të bëhet një model i Izraelit në Ballkan, atëherë le të bëhet. Nëse janë SHBA-të i vetmi faktor i cili mund ta konsolidojë shtetin shqiptar, atëherë le ta konsolidojë dhe ta çlirojë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar që me gjasë është duke e bërë.

Folklorik mund të duket ky përshkrim, siç dukej dikur pavarësia e Kosovës dhe krijimi i ushtrisë së Kosovës,  por që sot është realitet. Rroftë Amerika duhet të themi, dhe ti bëhemi krahë. (koha.mk)


Loading...
loading...