Artan Dika: Vazhdojnë problematikat në MSH

Mosdhënje e ndihmës mjekësore dhe vdekje е pacientit, falsifikim i punimeve shkencore në konferenca ndërkombëtare dhe revista vendore, sponsorizime të dyshimta për korrupsion dhe konflikt interesi, dërgime shkresash me përmbajtje të rrejshme në ambasadë, veprime të kundërta me deklaratat publike … (pjesa e parë)

I NDERUARI MINISTËR / KOLEG / SHOQ, FATMIR,

1. Me kënaqësi e lexova postimin tuaj, të cilin po e shpërndaj këtu https://www.facebook.com/photo/?fbid=665420422281510&set=a.290928173064072 , ku ju angazhoheni se: “personalisht do të inicioni mbikëqyrjen e inspektimit për çdo rast për të cilin ekziston dyshimi më i vogël i dëmtimit të pacientit.” Me këtë rast po ju kujtoj se që në muajin mars ( më shumê se 4 muaj më parë) ju kam dorëzuar dokumentacionin e plotë të rastit të publikuar në revistën FOKUS në linkun https://fokus.mk/skopjanka-kako-topka-ja-frlale-od-klinika-na-klinika-po-shto-pochinala/?fbclid=IwAR3hZel5C-nt-vMZi0eEjRJwAgYaa0MKJcdPxCxIMCVq1rNiQ1bfP2uLdg0 .

Tua rikujtoj, bëhet fjalë për një paciente që është dërguar në gjendje të rëndë me ndihmën e shpejtë në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Nga aty kirurgu plastik i spitalit e ka dërguar në Klinikën e kirurgjisë plastike. Nga Klinika e kirurgjisë plastike pacientja është dërguar në Ortopedi. Nga Ortopedia pacientja është dërguar në Urgjencën kirurgjikale që ta shohe kirurgu plastik. Nga Urgjenca kirurgjikale kirurgu plastik e ka dërguar në Urgjencën e internës dhe toksikologjisë. Nga Urgjenca e internës dhe toksikologjisë është dërguar në Klinikën e endokrinologjisë. Nga Klinika e endokrinologjisë kanë kërkuar që pacientja të shtrohet në Klinikën e kirurgjisë plastike. Nga Klinikën e kirurgjisë plastike është refuzuar pranimi i pacientes dhe ajo është marrë në shtëpi. Pas dy ditësh pacientja është sjellë sërish në gjendje të rëndë në Klinikën e kirurgjisë plastike. Nga Klinika e kirurgjisë plastike pacienten e dërgojnë sërish në Ortopedi. Nga Ortopedia pacienten e kthejnë sërish në Klinikën e kirurgjisë plastike. Për shkak të gjendjes së rëndë ta pacientes thirret me urgjencë anesteziologu. Pas rreth 50 minutash pacientja vdes. Dokumentacionin e plotë të rastit që ua kam dorëzuar në dorë para më shumë se 4 muajve e keni edhe në “Mojtermin”. Deri tani nuk është ndërmarrë asgjë sadoqë në çdo paraqitje keni bëni thirrje që të paraqitet çdo parregullsi dhe në postim zotoheni se “personalisht do të inicioni mbikëqyrjen e inspektimit për çdo rast për të cilin ekziston dyshimi më i vogël i dëmtimit të pacientit.”

2. Kur jemi te thirrjet publike për t’ju vënë në dijeni për çdo shkelje apo parregullsi dhe meqë jemi te konkursi i hapur për drejtor të Klinikës së kirurgjisë plastike në Shkup dua tua rikujtoj se katër muaj më parë ju kam dorëzuar dokumentacionin që ka të bëjë me Drejtoreshën e Klinikës lidhur me falsifikimet e punimeve shkencore të prezantuara në konferenca ndërkombëtare, qëndrimet jashtë vendit me financime të dyshimta për korrupsion dhe konflikt interesash, dërgimin e shkresave me të dhëna të rrejshme në Ambasadën e SHBA-ve dhe shkelje tjera të rënda. Kërkoj falje nëse në ndërkohë ju keni marrë masa për këto raste dhe unë nuk jam ende në dijeni për to. Konkursi është sa për sy e faqe sepse drejtorët i zgjedh partia dhe me direktivë të LSDM-së do ta rizgjidhni drejtor të njëjtin person.

Meqë Drejtoresha e Klinikës së kirurgjisë plastike nuk jep informacionin e kërkuar, kohët e fundit Komisioni antikorrupsion ju ka kërkuar juve të dhëna se kush është financuesi i saj dhe shoqëruesve të saj mjekë të klinikës, në qëndrimet jashtë vendit për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare. Bëhet fjalë për qëndrime rreth 2 javore në qytete bregdetare në SHBA: të 2 personave në Fort Loderdejl, Florida në vitin 2020; të 3 personave në Karlsbad, Kaliforni në vitin 2022 dhe 4 personave në Majami, Florida në vitin 2023. Vetëm shpenzimet për biletat kthyese të aeroplanëve për 9 persona nënkuptojnë financime në shuma të mëdha, pa përmendur këtu pagesat e kuotizimeve për pjesëmarrje në konferenca, shpenzimet e qëndrimit dhe shpenzimet tjera. Këto nuk janë paguar nga Klinika. Ka tre argumente të forta që bëjnë të ngrihen dyshime të bazuara për korrupsion dhe konflikt interesi: 1. fshehja e informacionit nga drejtoresha, 2. praktika e njëjtë në raste tjera në të kaluarën dhe 3. logjika se askush nuk financon shuma të mëdha parash aty ku nuk ka përfitim. Nëse një drejtor kërkon/pranon financimin e qëndrimit të vet jashtë vendit nga firmat që fitojnë tendera në klinikë kjo është korrupsion, pra është njësoj si të kërkojë para në dorë. Këtu duhet të përmendet edhe fakti se për të marrë vizë në Ambasadën amerikane për një nga shoqet / mjeket shoqëruese, është dërguar shkresë në këtë ambasadë se personi në fjalë është i punësuar me kohë të pjesëshme në Klinikë ndërkohë që e vërteta është se personi në fjalë është në specializim privat dhe në Entin për punësim figuron e pa punë ndërsa në Fond nuk i paguhen sigurimet.

3. Ndërkohë që pjesa e mësipërme e financimeve ka të bëjë me dyshime serioze dhe të bazuara të cilat mbeten të faktohen, pjesa e mëposhtme është storje e dokumentuar deri në detaje e prezantimit në konferenca ndërkombëtare në SHBA dhe në Evropë të punimeve shkencore tërësisht të falsifikuara dhe botimit të punimit me të dhëna dhe rezultate të rrejshme në revistën shkencore të Akademisë së shkencave dhe arteve të Maqedonisë së Veriut.

Drejtoresha e Klinikës së kirurgjisë plastike në Takimin vjetor 2022 të Shoqatës Amerikanë të Nervave Periferik – ASPN, në Kaliforni, SHBA, e ka paraqitur punimin e saj “Prophylactic Regenerative Peripheral Nerve Interfaces in Elective Lower Limb Amputations” https://meeting.peripheralnerve.org/program/2022/P4.cgi , të cilin pastaj e ka publikuar në revistën shkencore të Akademisë së shkencave dhe arteve të Maqedonisë së Veriut http://manu.edu.mk/prilozi/43_1/4.pdf . Në këtë punim ajo pretendon se ka analizuar 28 pacientë diabetikë me insulinë tek të cilët është bërë amputim i gjymtyrës së poshtme (mbi ose nën gju), në Klinikën e kirurgjisë plastike në Shkup, nga korriku 2019 deri në dhjetor 2020, për shkak të infeksionit të rëndë të indeve të buta tek diabetikët (gangrenë diabetike e gjymtyrës së poshtme). Sipas saj tek 14 nga pacientët me amputim është bërë RPNI (Regenerative Peripheral Nerve Interphase – një metodë që synon që përmes mbështjelljes së nervit të prerë me një copë muskuli të shmang dhimbjet fantome që një pjesë e pacientëve vazhdojnë t’i ndiejnë pas amputimit, në gishtërinjtë dhe këmbën të cilën nuk e kanë më), ndërsa te 14 të tjerë nuk është bërë RPNI. Pacientët janë ndjekur për një periudhë prej të paktën 24 javë deri në 76 javë dhe nga rezultatet e analizuara del se tek pacientët tek të cilët është bërë RPNI rezultatet kanë qenë shumë më të mira, në kuptim të dhimbjeve fantom pas amputimit. Punimi shkruan se ky është studim retrospektiv, pra nga analizimi i të dhënave nga dokumentacioni i grumbulluar në klinikë.

Ndryshe nga sa thuhet në punim, nga dokumentacioni i Klinikës (1. Libri i pranimit të pacientëve, 2. Regjistri i operacioneve, 3. Sistemi “Ultra” dhe 4. Sistemi “Mojtermin”) rezulton se:

A.) Gjatë periudhës së pretenduar në punim korrik 2019-dhjetor 2020, në Klinikën e kirurgjisë plastike nuk ka patur 28, por vetëm 8 pacientë diabetikë me infeksion të rëndë të indeve të buta, tek të cilët është bërë amputimi i gjymtyrës së poshtme, të cilët kanë mundur të ndiqen për të paktën 24 javë, siç pretendohet në punim. Në fakt, gjithsej në klinikë në këtë periudhë janë bërë 19 amputime, por 11 nga këto nuk mund të jenë pjesë e studimit sepse 8 kanë vdekur (6 gjatë kohës së qëndrimit në spital, 1 pas 2 javësh, 1 pas 7 javësh) ndërsa 3 janë amputime për shkaqe të tjera jodiabetike (1 për shkak të kancerit, 1 nga trauma, 1 për shkaqe vaskulare).

B.) Gjatë periudhës së pretenduar në punim korrik 2019-dhjetor 2020, në Klinikën e kirurgjisë plastike, RPNI nuk është bërë te ASNJË nga këta pacientë, ndryshe nga sa pretendon autorja se kjo procedurë është bërë te 14 diabetikë me infeksion të rëndë të indeve të buta që u është amputuar gjymtyra e poshtme. Asgjë në punim nuk përputhet me të dhënat në dokumentacionin e klinikës … as numri i pacientëve, as numri i amputimeve mbi apo nën gju, as mosha, as gjinia, as terminet e kontrolleve për ndjeken e pacientëve, as rezultatet e ndjekjes … asgjë, absolutisht asgjë.StrugaLajm

C.) Sipas punimit studimi i bërë është retrospektiv, pra nga analizimi i të dhënave të grumbullara në dokumentacionin e klinikës, nga kontrollet e pacientëve në të kaluarën. Por nga këto të dhëna në dokumentacionin e klinikës, rezulton se gjatë kontrollimit të pacientëve është bërë vetë mjekimi i plagëve të pacientëve dhe nuk janë nxjerrë fare të dhënat që pretendohen në studim dhe si pasojë nuk ka si të nxirren as rezultatet që pretendohen aty. Jo vetëm që kontrollet nuk janë bërë në afatet e pretenduar por në dokumentacion nuk ka asgjë për gjoja matjet dhe të dhënat sipas PROMIS Pain Interference score, T-Score apo VAS, siç pretendohet në punim. Si të dhënat ashtu edhe të gjitha rezultatet e ofruara në punim janë të trilluara, pra të rreme.

E njëjta metodë mashtrimi përmes falsifikimit të të dhënave dhe rezultateve është përdorur edhe në punimin e Drejtoreshës të prezantuar në Kongresin e 25-të të Federatës Evropiane të Shoqatave të kirurgjisë së dorës (FESSH), në Basel të Zvicrës “Open vs percutaneous tenorrhaphy in treatment of ,,Mallet finger’’ injury – our experience” në shtator 2020 (faqe 97 (me radhë faqe 98) e Abstraktit të punimeve në këtë kongres http://fessh.com/library/2020_abstracts.pdf nën shifrën A-0302).

Fatkeqësisht kjo metodologji mashtrimi u është mësuar edhe kolegeve tjera më të reja bashkëpunëtore të drejtoreshës dhe punime të tjera të prezantuara në konferenca jashtë vendit kuptohet lehtë se janë me të dhëna dhe rezultate të trilluara.

Qasja në dokumentacionin e pacientëve të operuar në klinikë ka qenë gjithmonë e lirë dhe e papenguar për mjekët në klinikë por prej kur ja kam bërë të ditur drejtoreshës se i ka punimet e falsifikuara ajo ka dhënë urdhër që çdo histori pacienti që do ta kërkoj do mund të më jepet vetëm pas kërkesës time me shkrim dhe lejes së saj. Herën e fundit që kërkova me kërkesë me shkrim dokumentacionin për dy raste ato nuk mu dhanë.

I nderuari Ministër/koleg/shoq, Fatmir,

Disa muaj para se të zgjidheni ministër, në një darkë të përbashkët edhe me dy kolegë të tjerë, në bisedë e sipër kam treguar për befasinë time lidhur me gjetjet për mashtrimet dhe falsifikimet e Drejtoreshës së Klinikës së kirurgjisë plastike. Atëherë ju duke qeshur patët rrëfyer se si kur ajo është emëruar drejtoreshë e klinikës – në mandatin kur ministër i shendetësisë ishte kolegu tjetër i ASH-së – gjoja ju keni luajtur me të: “t’ja japim vendimin?” … “mos ja japim vendimin?” … “hajt t’ja japim” … “jo mos ja japim” … Pastaj kur ju u zgjodhët ministër kam ardhur tua uroj zgjedhjen bashkë me një koleg tjetër nga ASH-ja dhe kur ai vet e hapi çështjen e drejtoreshës, ju thatë: “më sillni fakte, unë dua prova, nëse ka prova unë nuk e kam problem ta shkarkoj.” … Por kur pas disa ditësh, në takim mes nesh në ministri ua dorëzova dokumentacionin e plotë për këto çështje, ju filluat të ngrini dilemat: “si t’ja bëjmë? … jo po ajo është anëtare e Këshillit qendror të LSDM-së … do reagojë LSDM-ja … ka lidhje të forta … do bëjnë problem …” … Tani kjo skenë më del para syve sa herë në daljet publike rrihni gjoks se nuk pyesni për presione politike!

Persona të tillë që fal njohjeve, dallavereve, mbështetjeve politike e partiake dhe lidhjeve me personat me pushtet e mediat i prezantohen publikut si vlera dhe individë me arritje të mëdha, ka herë pas here kudo nëpër botë. Çështja është se kur zbulohet e vërteta aty merr fund gjjithçka, edhe autoriteti edhe kariera e tyre. Për gjëra edhe më të vogla kanë dhënë dorëheqje edhe ministra edhe president shtetesh … kuptohet në shtete e sisteme të ngritur mbi vlera dhe standard. Tek ne ministri i afirmon në publik personat e tillë në paraqitjet e tij publike në mënyrë të përsëritur, duke u bërë fshehësi, mbrojtësi dhe promovuesi i tyre edhe pse është në dijeni të shkeljeve dhe falsifikimeve të bëra. Kjo gjë ngre shumë dilema. Këtu nuk është çështja e një individi të vetëm, por se mbi ç’bazë ngrihet sistemi: mbi vlera (dijen, punën, aftësinë, të vërtetën) apo mbi antivlera (gënjeshtrën, mashtrimin, premtimet falso, lidhjet, dallaveret, falsifikimet).

E kemi parë nxitimin e ministrit për të treguar forcën e postit ndaj anesteziologut që për atë që kishte bërë e kishte përjashtuar nga puna drejtori, e kishte arrestuar policia dhe i kishte ngritur padi prokuroria. “Never hit a man when he is down” (kurrë mos e qëllo dikë që ka rënë për toke) – thotë një fjalë. Kam menduar se ministri duhet ta tregojë autoritetin e tij dhe forcën e ligjit ndaj personave keqbërës me pushtet politik e lidhje të forta e jo me njerëz të rrëzuar për toke nga veprimet e gabuara, fati i të cilëve tashmë është vulosur vet.

Ironike është se parimet dhe standardet që Kryetari i ASH-së është ankuar vazhdimisht me të madhe se nuk respektohen në UT, shkilen me të dy këmbët nga ministri i ASH-së në shëndetësi.

In : Aktuale

Loading...
loading...