ASH-AA: Nuk kemi bisedime për pjesëmarrje në qeveri, nëse BDI nuk e bën kryeministër Zyberin – të shkojë në opozitë

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA nëpërmjet konferencës për shtyp sot njoftuan se nuk kanë zhvilluar asnjë takim formal a çfarëdo takimi tjetër me temën e pjesëmarrjes në qeveri dhe, siç thonë, as që do të bisedojnë para se fituesi legal, por, sipas tyre jolegjitim, i zgjedhjeve në kampin shqiptar, pra BDI, ta konsumojë të drejtën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë.

“Opinioni duhet ta dijë se ka përfunduar koha kur partitë shqiptare shtyheshin në derën e qeverisë se kush do të hyjë më parë në të, duke ia ulur pazarin njëra-tjetrës. Ndonëse ne jemi fituesit legjitimë të zgjedhjeve të 15 korrikut në kampin politik shqiptar, megjithatë nuk do të hyjmë në negociata derisa Bashkimi Demokratik ta përmbushë premtimin e tij për ta bërë Naser Zyberi kryeministër. Madje, siç edhe e kemi thënë, nëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut vjen një propozim për kabinet qeveritar, ku Zyberi është kandidat për kryeministër, ne me 12 deputetët tanë do ta votojmë atë. Por, nëse BDI-ja nuk arrin ta realizojë këtë zotim, për të cilin e ka legalitetin, ajo parti nuk ka të drejtë që ndryshe të marrë pjesë në qeveri dhe prandaj vendi i saj mbetet opozita”, tha Skender Rexhepi nga Alternative i cili mbajti konferencë për shtyp bashkë me Elmi Azirin nga ASH.

Ata gjithashtu thane se nuk kanë marrë pjesë në Tryezën e Partive Parlamentari Shqiptare pasi që nuk është ndryshuar data,StrugaLajm

“Kur jemi këtu duam t’ju njoftojmë edhe përkitazi me takimin e ftuar për Tryezën e Partive Parlamentare Shqiptare. Përkundër fjalëve të pamatura dhe ofenduese të kryetarit të BDI-së ndaj nesh, që nuk janë risi në fjalorin e tij, dëshirojmë të shpjegojmë se ne më 07.08.2020 e kemi pranuar ftesën për pjesëmarrje në Tryezë, ndërsa më 11.08.2020 jemi përgjigjur pozitivisht ndaj saj, duke kërkuar vetëm shtyrjen e saj dhe caktimin e rendit të ditës. Por, në vend të caktimit të një date tjetër, ftuesi i këtij takimi na ka kthyer përgjigje po atë mbrëmje, pas letrës sonë, duke e caktuar rendin e ditës, por pa e ndryshuar datën e mbajtjes së takimit. Duke u gjendur në këtë pozitë imponuese, neve na u pamundësua pjesëmarrja në Tryezë, ndërsa nënteksti i këtij takimi ishte se ftesa ka qenë sa për sy e faqe, që takimi të mos realizohet. Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, urojmë që Tryeza e Partive Parlamentare Shqiptare, si mekanizëm për koordinimin e qëndrimeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, do të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen, duke i tejkaluar edhe këto pengesa”, tha Rexhepi.StrugaLajm

Për fund po ju themi edhe një herë shkurt e shqip: o bëjeni kryeministër Naser Zyberin o ikni në opozitë!

In : Aktuale

Loading...
loading...