Asocialiteti i rrjeteve sociale

Jashtë rrafshit penal, një tjetër dilemë është ajo shoqërore: nëse rrjetet sociale, filluan të shndërrohen në antipodin e vet: në rrjete asociale? Nuk ka nevojë për hulumtim shkencor që të vihet deri tek përgjigja në pyetjen e mësipërme. Vetëm vëzhgoni situatat e përditshmërisë sonë, ku dy a më shumë shokë, miq, kolegë, apo familjarë, komunikojnë në të njëjtën dhomë – jo duke biseduar, por duke këmbyer mesazhe. Pra, komunikojnë asocialisht përmes rrjetit, që quhet “social”!

Nga Blerim REKA

Historia e komunikimit, mund të ndahet në kohën: para dhe pas Bill Gejtsit. Deri vonë, mendonim se ndarja ishte: para dhe pas Gutenbergut. Por, mbi gjashtë shekuj nga shtypshkronja e ideatorit të “Printing Revolution”, bota po sfidohet, sot, nga “Virtual Revolution”. Krijuesi i botës virtuele, revolucionarizoi jetën, mundësoi tregtinë elektronike (e- shoping), votimin elektronik (e-voting), qeverisjen elektronike (e-governance), por edhe de-monopolizoi diskursin tradicional mediatiak.

PERSONALIZIMI I LAJMIT

Mediat klasike, qoftë të shkruara apo audio-vizuele, humbën të drejtën ekskluzive mbi lajmin. Teknologjia e mençur e bëri çdo banorë të planetit tonë, autor të lajmit dhe redaktor të tij. Secili para tastaturës së një tableti, është krijues dhe emetues i lajmit. Lajmi pra u personalizua, e informimi u dekolektivizua. Përgjegjësia, ndërkaq u amnistua. Vetëkuptohet ky revolucion virtuel, pati edhe dëme kolaterale. Shpërthyen edhe lajmet e rrejshme. Feak news u bë problem botëror; cyber crime- vepër e re penale; kurse hybrid war, një formë e re e luftës.

Pas sigurisë shtetërore,(national security); sigurisë njerëzore (human security); dhe sigurisë energjetike, (energy security); bota po sfidohet nga siguria on-line, (on-line security). Vjet, “Wanna Cry”, sulmoi 230 mijë kompjuterë në 150 shtete. Vetëm nga viti 2016, ishin evidentuar 4 mijë sulme kibernetike në ditë, apo katër here më shumë se një vit më përpara.

NJË LINGUA FRANCA E RE VIRTUELE

Pse kaq terme angleze? Thjeshtë sepse është terminologji e standardizuar që vështirë përkthehet, e aq më pak kuptohet – pasi të përkthehet. Thjeshtë, po flasim në gjuhën FaceBook-kçe: “e kish lajkit”, ja bona dis-like, “ja bona share”,” ja bona tag”, “ja bona block”, etj. Virtualiteti global, pra unifikoi botën brenda një lingua franca të së sotmes. Një tjetër sfidë serioze e këtij revolucioni virtuel, është ndërhyrja në jetën private, por edhe në atë publike, sidomos në punët shtetërore. Skandalet e zbulimit të sekreteve private janë të panumërta. Po aq edhe ndërhyrjet hakeriste në sistemin shtetëror. Afera e fundit e “Cambridge Analitica”, me cenimin e privatësisë së 250 milionë profileve të FaceBook-ut, e deri tek ndërhyrjet kibernetike në zgjedhjet perëndimore, dëshmojnë për dimensione shqetësuese të përdorimit pa kontroll të kësaj “arme” të shekullit XXI.

LUFTË PËR HAPËSIRË KIBERNETIKE- JO PËR TERRITORE

Armata e hakerëve zëvendësoi batalionet ushtarake. Lufta më nuk bëhet për territore, por për hapësirën kibernetike. Shtetet gjithnjë e më pak sulmohen konvencionalisht, e gjithnjë e më tepër elektronikisht. James Bondin dhe Mata Harin i zëvendësuan “spiunët” anonimus virtuel, që depërtojnë në dokumentet më sekrete të shteteve dhe në llogaritë e fshehta bankare. “Panama papers“ e dëshmoi më së miri këtë të fundit. Ndërkaq, “Weekeliks”, e bëri aq të brishtë madje komunikimin më të fshehta- atë diplomatik- sa që ministritë e jashtme të disa shteteve- pas rrjedhjes së kabllove diplomatike, i ri-kthyen makinat e vjetra të shkrimit dhe faksat e harruar. Keq-përdorimet në jetën on-line janë, evidente sepse ”inovacionet” hakeriste, janë më përpara se veprimi ndalues i shteteve. Hakerët, thjeshtë i tejkalojnë programerët. Komisioni Europian, me 1 mars të këtij viti, nxori rekomandimin, me të cilën kërkoi që “platformat on-line të ndërmarrin masa pro-aktive, për të fshirë të gjitha përmbajtjet jo-ligjore të postuara nga shfrytëzuesit e saj, si informatë që shkel ligjet e shteteve anëtare dhe të drejtën e BE”.

Mirëpo, aktualisht vetëm gjysma e shteteve anëtare të BE kanë ligje kundër asaj që njihet si “lese majeste”, apo ofendim ndaj shefit të shtetit dhe vetëm po aq shtete anëtare, kanë ligje që dënojnë blasfeminë. Britania e Madhe me ligjin e saj për komunikim, ndëshkon mesazhet që përmbajnë ofendimi të rëndë. Edhe Danimarka, me ligjin e vet penal, inkriminoi aktet e tilla edhepse gjykatat daneze ende nuk gjykuan asnjë rast të vetëm të tillë! Gjermania, ndërkaq me legjislacionin e saj të ri, kërkon nga platformat online, që të fshijnë brenda 24 orëve, një përdorues- nëse ai përdor gjuhën e urrejtjes.StrugaLajm

Pra, pas qasjes iniciale për de-rregullimin, (sipas të cilës nuk ka nevojë për rregullimin ligjor të portaleve), shtetet e BE, së voni filluan- nëse jo me ligje për këto platforma- atëherë me ligje të tjera, të ndëshkojnë keqpërdorimin e komunikimit online. Porosia ishte e qartë: nuk mund të lejohet vetëm qasja në treg, pa detyrimet ndaj shoqërisë. Një dialogë midis: biznesit, konsumatorit dhe legjislatorit, është i domosdoshëm. Biznesi duhet të udhëhiqej nga interesi, por duke zbatuar njëkohësisht edhe rregullat për EU Data Protection. Po në Ballkan? A ka kush e ndalë gjuhën e urrejtjes në postimet on-line? Vështirë. Anarkia ka përshkuar rrjetet rajonale on-line.

VIRTUALITETI VS. REALITETIT

Jashtë rrafshit penal, një tjetër dilemë është ajo shoqërore: nëse rrjetet sociale, filluan të shndërrohen në antipodin e vet: në rrjete asociale? Nuk ka nevojë për hulumtim shkencor që të vihet deri tek përgjigja në pyetjen e mësipërme. Vetëm vëzhgoni situatat e përditshmërisë sonë, ku dy a më shumë shokë, miq, kolegë, apo familjarë, komunikojnë në të njëjtën dhomë – jo duke biseduar, por duke këmbyer mesazhe. Pra, komunikojnë asocialisht përmes rrjetit, që quhet “social”!

Ku është këtu komunikimi social, nëse komunikojnë aparatet dhe jo njerëzit? Ku e gjeni këtu socialitetin e rrjetit që pretendon se lidh socialisht njerëzit?

A i kemi sot, fëmijët në lojërat në oborr, apo në lojërat on-line? Kush i mbron fëmijët tanë nga përmbajtjet e ndaluara të internetit? A bartet dhuna virtuale në dhunën reale midis fëmijëve? Tragjedinë e “ balenës blu“ e tejkaluam, por nuk e dimë se çfarë befasi të reja mund të sjell keqpërdorimi i rrjetit social. Aq sa ky rrjet afron globalisht- distancat e largëta gjeografike për ti lidhur njerëzi;, po aq ai largon lokalisht- më të afërmit nga komunikimi i thjeshtë social. Nuk je në Facebook- nuk ekziston, kjo është porosia e guruve on-line.

I madhi Umberto Eko, në letrën e tij shkruar nipit të vet, këtë mit virtuel e zhveshi më së miri me krahasimin e: letrës së pergamentit, me dokumentet elektronike. Edhe sot pas mijëra vitesh përmbajtja e shkruar në pergement është ruajtur në muze dhe mund të lexohet. Ajo e regjistruar në: kaseta, disketa apo CD, pas një periudhe u bënë të pa-përdorshme. Virtualja, pra nuk zëvendëson realen. Sikur edhe vet interneti. Sot, ai është i pazëvendësueshëm dhe bota jonë është gati jo-funksionale pa te. Mund vetëm të paramendojmë situatën, nëse vetëm 24 orë do ndërpritej interneti në tërë botën? Toka, për një çast nuk do funksiononte: as shërbimet, as bankat, as administrata.

A po bëhemi kështu robër të internetit dhe njerëzimi po jeton në një botë virtual në vend të asaj reale?A është internet i pazëvendësueshëm? Çdo teknologji e re dhe më e avancuar e zëvendëson parapraken. Sidomos me depërtimin e inteligjencës artificiale. Çka vjen nesër? Çipat e kodifikuar në kokat e njeriut? Apo një kartelë universale për çdo banor të planetit?

Edhe interneti si edhe shpikjet dhe zbulimet tjera do jetojë, deri sa nuk zbulohet ndonjë formë e re e komunikimit global që do e hidhte atë në histori. Fundja, historia e njerëzimit nuk do të ishte ajo çka është – nëse do të kishte fund. Fukyama, në fund të shekullit të kaluar, proklamoi fundin e historisë, por ajo u ri-kthye në fillim të këtij shekulli madje tragjikisht. Historia nuk përfundon, pos atëherë kur nuk do ketë kush ta rrëfejë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...