Halit Krasniqi
Autostrada nga kufiri i Kosovës deri në Milot, është quajtur me emra të ndryshëm dhe se fundi ka marrë një emërtim shumë simbolik e të merituar: Rruga e kombit! Nuk mund të akceptohet ndryshe. Është plotësisht kështu dhe vërtet edhe përjetohet e tillë. Natyrisht, secili shqiptar, ka vullnet të paguaj për shfrytëzimin e saj. Por kur do të duhej të vendosej kjo taksë dhe a do të duhej ndonjëherë? Nga inagurimi i saj e deri tani, vazhdimisht në qendrat antishqiptare është punuar në sponzorime të ndryshme për t’i dizajnuar një mori veprimesh, që të mos përjetohet si e tillë kjo rrugë, siç është emërtuar.
Një komb i ndarë padrejtësisht thellë në histori bashkohet përmes kësaj rruge. Nga kur në Kongresin e Berlinit filloj copëtimi i trojeve shqiptare dhe gjithashtu edhe në Konferencën e Londrës më 1913. Vazhdimisht pastaj pas dy luftërave ballkanike e pas atyre dy luftërave botërore u përsërit e njëjta ndarje dhe vështirë ka qenë të imagjinohej kjo rrugë.
Edhe në pjesën jugore të Shqipërisë një auto rrugë e tillë mund të quhej kështu. Por pjesa jugore e quajtur Çamëri u pastrua etnikisht me zjarr e bajoneta, me vrasje të prijësve e dhunë në masë nga qeveritë greke. Shpërngulje për në Turqi dhe depërtim në thellësi të Shqipërisë. Duke filluar nga padrejtësitë e Konferencës së Londrës më 1913 e deri më 1945 ka vazhduar pastrimi etnik nga viset e Çamërisë. Tani për të kanë mbetur vetëm kujtesa historike e ruajtur në letërsinë popullore dhe në studime të veçanta. Ndërsa ëndrra për tu kthyer në ato territore është duke u venitur. Kur mund të ndodhë kthimi dhe si të arrihet, askush nuk mund të rrëfej një tregim bindës. Madje as iluministët e kohës sonë, nuk mund ta thonë këtë më konkretisht. Gjatë ekzodit atëherë, shqiptareve të shpërngulur iu kishin rrëmbyer edhe dokumentacioni personal që të mos kenë mundësi ta dëshmojnë identitetin dhe origjinën e tyre. Gjithashtu politikat e qeverive greke, kanë asgjësuar edhe dokumentacionin në shërbimin katastral për titullarët e pronave.
Ndërsa pjesa veriore e Shqipërisë e lidhur me këtë auto rrugë dhe ajo veri perëndimore e copëtuar në Kongresin e Berlinit, gjithashtu e vërtetuar në Konferencën e Londrës dhe e pushtuar nga Mali i zi, Serbia dhe Bullgaria, pas ndryshimeve të emrave të pushtuesve nga dy luftërat ballkanike dhe nga dy luftërat botërore, për gati gjysmë shekulli mbeti nën Jugosllavi. Së fundi kjo sipërfaqe, tani është e ndarë në katër pjesë me kufij ndërkombëtar. Në pa mundësi për t’i hequr këta kufij dhe deri të ndodhë edhe kjo, mund të krijojmë lehtësi në lëvizjet tona e të mos nxjerrim pengesa në rrugët që bashkojnë kombin tonë të ndarë.
Shteti shqiptar me këta kufij prej themelimit të tij më 1912, asnjëherë më parë deri tani, nuk krijoj përbrenda zhvillim të hovshëm, sikur në këto deceniet e fundit dhe me një peshë të admirueshme në marrëdhënie ndërkombëtare. Krijimi i politikave të brendshme dhe të jashtme u kushtëzua nga një mori faktorësh të ndryshëm që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e deri në deceniet e fundit. Që nga themelimi i tij, shteti shqiptar kaloj nëpër një mbijetesë dhe kishte një prani pa ndonjë ndikim në marrëdhënie ndërkombëtare. Madje për keqardhje edhe ndikimi në marrëdhënie ndër shqiptare, nuk ishte në masën e duhur. Por ideja se kemi një shtet shqiptar të pavarur e sovran, ligjet e inercionet në zhvillimet globale dhe fryma nacionale me tingujt e gjuhës shqipe e kanë mbajtur të gjallë idenë e bashkimit kombëtar.
Për këtë ideal u përkushtuan gjenerata të tëra jashtë kufijve të shtetit shqiptar, me bindjen e korifejve iluministë se ajo mund të vonohet, mund edhe të pengohet për një kohë, por assesi nuk mund të ndalet dhe përfundimisht do të triumfoj. Stiva e fakteve me flijime nga këto përkushtime inspiruese, është pjesa më e ndritshme e historisë sonë kombëtare në synimet për arritje të bashkimit kombëtar. Gjithashtu edhe brezi ynë që e përjetoj këtë ëndërr, është shumë fatlum dhe tejet meritor që në këtë kërcyell të historisë ka dhënë një kontribut titanik dhe gati po inaguron përpjekjet shekullore në sendërtimin e synimeve historike të kombit tonë.
Për këtë arritje u kërkuan përkushtim dhe flijime, të cilat ishin kryefjala e përbetimit dhe ishin komponentët kryesore që edhe ndikuan në këtë përmbyllje triumfale, të filluar larg në histori, për ta bërë realitet në kohën e brezit tonë. Tani kur ky realitet përjetohet dhe është në fazën e fundit të përmbylljes triumfale, në përditshmërinë e sotme ka veprime në gjithë etninë shqiptare, ku me shumë e ku me pak, që vërtet të habisin si mund të ndodhin në kohën tonë, para përmbylljes së synimeve historike. Me këtë shkëlqim emancipues dhe në këtë zhvillim teknologjik përmes të cilit bëhet e mundur komunikimi ndër shqiptar dhe qarkullimi i informacioneve ngado e kudo. Çdo veprim me shije kaq të hidhur sponzorizohen në forma shumë konspirative nga shërbime të fqinjëve tanë, të cilët janë të rrezikuar nga shkëlqimi i unifikimit të qenies sonë dhe po ashtu ndjehen të kërcënuar nga uniteti jonë kombëtar.
Në gjithë etninë tonë kanë vepruar vullnete individuale për ta bërë këtë vend me identitetin e tij meritor me vizion të platformës së bashkimit kombëtar. Me përjashtim të qeverisë së
Ismajl Qemajlit dhe dy qeverive jetëshkurtra të Hasan Prishtinës më 1921 dhe Fan Nolit më 1924, pavarësisht retorikave, qeveritë tjera shqiptare nuk e kanë pasur prioritet në platformat e tyre qeverisëse bashkimin kombëtar. Edhe kjo temë krijon ndarje në vlerësime tona aktualisht. Të tjerat qeveri e kanë aspiruar në një formë apo tjetër dhe e kane dëshiruar një akt të tillë, por në rrethanat e kohës se tyre, tani gjejmë veprime anakronike e të pajustifikueshme me çfarë do qasjeje mirëkuptimi t’i trajtojmë ato kohë, nuk mund të arsyetohen nga retrospektiva e sotme. Edhe pse qeveritë e decenieve të fundit kanë favorin e kohëve në zhvillime globale dhe nga që prej tatëpjetës së fatit tonë tragjik në shekullin XIV dhe pastaj në forma tjera nga vitet 1877-1878 e deri me 1998-1999, asnjëherë ylli i fatit nuk kishte shndritur plotësisht në trojet shqiptare.
Tani në këtë realitet të ri dhe me një dominim si asnjëherë më parë mbi trojet tona etnike, megjithëkëtë nuk kalojmë pa skepse e pa konflikte në mes vete. Në çdo luftë speciale e në çdo sponzorizim të saj, dihet se ideohen motive konkrete dhe platforma të përshtatshme për grupet e paramenduara për çdo temë të trajtuar që të krijohen konflikte të brendshme. Kështu për fatin tonë të keq po ndodhin edhe konfliktet aktuale për çdo temë në gjithë praninë e etnisë shqiptare të organizuar në forma të ndryshme në gjithë gjeografinë e parcializuar me kufij ndërkombëtar. Edhe pse në mes vete të lidhura shpirtërisht në frymën kombëtare, por të konfrontuara përbrenda në cilën do hapësirë, nga koncepte politike pa kuptuar se secili i bën varrin tjetrit dhe rrjedhimisht çdo njëri vetit. Ndërsa duke qenë kështu, bashkërisht të gjithë pa dallim qenies sonë shqiptare.
Këto konfrontime i gjejmë të shkruara në mediume e në protesta nëpër rruge; nëpër ekrane televizive në debate të ndryshme e në Kuvende parlamentare, vetëm me dallime të vogla nuanciale në Tiranë e Prishtinë dhe më pak në Shkup, Preshevë e Ulqin. Nga njëherë të sinkronizuara në të njëjtën kohë e herë, herë edhe nëpër kohë të ndryshme. Por të gjitha kanë një qëllim: të zhvendoset vëmendja nga interesi kombëtar e të ikin mundësitë në momentet e volitshme që sjellin vetëm epokat sikur tani.
Një nga veprimet e këtyre strategjive i shohim në Rrugën e kombit. Në disa vite kishim sulme para fillimit të pushimeve verore. Kur kjo rrugë u vu në kontroll të plotë nga forcat e rendit të shtetit shqiptar dhe tani jo vetëm simbolikisht shohim me uniformë policinë e dy shteteve shqiptare. Qendrat antishqiptare nuk e përballojnë lehtë këtë. Prandaj sponzorët e strategjisë kundër etnisë sonë me tendencë gjithnjë me unifikuese, përmes sekserëve të qeveritarëve i motivuan ekipet e politikë bërjes për ta bindur kabinetin qeveritar në Tiranë, se duhet të veprohet si në shumë vende për mirëmbajtjen e Rrugës së kombit. Dhe në rrethana të tjera e për një zhvillim normal, kjo nuk do të duhej të diskutohej, as të shikohej në mëdyshje. Por nga që arritja deri këtu ka specifikat e saj, kjo taksë për këto arsye të paktën edhe për ndonjë decenie, nuk është dashur të mendohej fare. Të gjitha shpenzimet për këtë mirëmbajtje, do të duhej të ndaheshin nga fondet e qeverisë shqiptare.
Sepse në krijimin e këtij realiteti politik, asnjë fond qeveritar i shtetit shqiptar, nuk është ndarë asnjëherë për çlirimin e Kosovës dhe madje as në kohën kur kjo ishte më se e nevojshme. Me përjashtim të qindra familjeve me shtetësi shqiptare të lidhura shpirtërisht me kauzën e bashkimit kombëtar dhe të dhjetëra oficerëve në uniforma ushtarake e policore që kontribuan me guximin dhe dijen e tyre ushtarake, të shtyrë nga edukata e tyre personale dhe nga vullneti individual për të ndihmuar me devotshmërinë e tyre në sukseset e luftës së UÇK-së.
Nëse atëherë kur kombi ishte në luftë dhe një pjesë e tij vritej e digjej duke ndodhur edhe pastrimi etnik, nuk janë ndarë fonde nga buxheti i shtetit në luftën që bëhej për kauzën e pastër shqiptare; dhe, nëse asnjë qeveri nuk hapi ekskluzivisht depo të armatimit me arsenalin që posedonte ushtria shqiptare në shërbim të kësaj lufte, është e domosdoshme tani të ndahen fonde qeveritare për mirëmbajtjen e Rrugës së kombit, që pastaj doemos të përjetohet si deri tani, pa u ndaluar shqiptarët detyrimisht në asnjë vend, gjatë gjithë trasesë së saj duke vendosur kolorite me mbishkrime atraktive e dizajnime mbresëlënëse. Gjatë udhëtimeve nëpër këtë rrugë pastaj, secilit do t’i imponohen inspirime për arritje të tjera që bashkimi ynë çdo gjë e bën të mundshëm.