Duke u mbështetur në të dhënat e deritanishme historike, atentati i Avni Rustemit mbetet jo vetëm një vepër e madhe atdhetare, por, në të njëjtën kohë, një ndër atentatet më të bujshme dhe më të rralla në botë, për mënyrën si u krye, si dhe për enigmat që bart dhe për të cilat do të flasim
Nga Skifter KËLLIÇI
Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje… me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës”. Kështu shkruan Eqrem bej Vlora, veprimtar dhe diplomat i njohur shqiptar (1885-1964), në veprën e tij “Kujtime” (Tiranë, 2004, faqe 106)). Dhe, siç shihet, shkruan me përçmim për aktin e Avni Rustemit, sido që koha ka treguar me fakte se nuk ka pasur asnjëherë të drejtë. Mirëpo, po në këtë vepër ai nënvizon edhe këtë pohim kuptimplotë: “Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet” (po aty, faqe 166).
Ishte koha kur qeveria e ligjshme e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës (janar 1920), në kushte shumë të vështira po përpiqej të vendoste rregull në tërë vendin. Dhe Eqrem bej Vlora, nuk mjaftohet me kaq, dhe duke përshkruar këtë situatë, rrëfen se esadistët “zgjeruan lëvizjen e tyre… nga Rogozhina deri në lumin e Matit, duke e vënë në mes Tiranën… Nuk mjafton vetëm kjo, por esadistët filluan befas të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ata prenë linja telefonike dhe telegrafike, vendosën njerëz të armatosur në ura dhe qafa dhe kur qeveria nisi të merrte masa të rrepta, ata nën komandën e Osman Balit rrethuan madje dhe Tiranën” (po aty). Pra, Eqrem bej Vlora, me këto fakte, dashur pa dashur pohon se Esat pasha ishte armik i pashembullt në historinë e Shqipërisë. Duke u mbështetur në të dhënat e deritanishme historike, atentati i Avni Rustemit mbetet jo vetëm një vepër e madhe atdhetare, por, në të njëjtën kohë, një ndër atentatet më të bujshme dhe më të rralla në botë, për mënyrën si u krye, si dhe për enigmat që bart dhe për të cilat do të flasim më poshtë. Për këtë qëllim do t’u drejtohemi opinioneve, qoftë edhe kundërshtuese, të Eqrem bej Vlorës, që përmendëm më sipër, Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këlliçit, Esat Dishnicës, dhe së fundi, të prof. Jusuf Alibalit.
Mustafa Kruja (1887-1958), veprimtar politik, studiues, në një letërkëmbim me at Paulin Markgjokajn, duke iu referuar këtij fakti, shkruan kështu për Avni Rustemin: “Ishte student në magistero të Romës, por s’i epej jo me studime, por as me hangër e as pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin.” (Revista “Albanica”, faqe 91, nr. 72, 2010). Është e habitshme, – pohonin të dy midis të tjerash, Malëshova dhe Këlliçi, kur kujtonin atentatin e Avni Rustemit në Paris, – se si ai, disa ditë përpara se të nisej për në Romë, nuk u kishte kurrë se çfarë vendimi të guximshëm kishte marrë. Ishte koha kur pas formimit të qeverisë së Tiranës shumë qytete dhe krahina shqiptare kishin njohur këtë qeveri, kurse vise të tjera të vendit ishin ende nën pushtimin e huaj, – Korça dhe Pogradeci nën francezët, Shkodra nën serbët, Vlora nën italianët, kurse bandat e Esat pashë Toptanit, që ndodhej në Paris, me urdhrin e tij, siç e pamë më sipër, kërkonin ta rrëzonin atë qeveri dhe të mundësonin kështu kthimin e tij si sundimtari i Shqipërisë.
QEVERIA E TIRANËS
Nga këto të dhëna të parashtruara nga Sejfulla Malëshova, Reshat Këlliçi dhe Esat Dishnica, del qartë se Avni Rustemi nuk i ka treguar askujt se cili ishte qëllimi i vërtetë i udhëtimit të tij në Paris. Ashtu si Eqrem bej Vlora, edhe Mustafa Kruja në letërkëmbimin me at Paulin Markgjokajn pohon: “Krejt Shqipnia e Mesme kishte hymë kryekëput nën influencën e esadistëve. Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër dhe Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, kishte mbetun e pafuqishme kundrejt çetave esadiste që bridhshin lirisht deri te muret e kryeqytetit” (“Albanica”, nr. 72 faqe 91, 2010). Kur lexova këto radhë, solla ndërmend një bisedë që pata zhvilluar shumë vite më parë me akademikun Kristo Frashëri. “Ato ditë, fund maji të vitit 1920, – më rrëfente ai, – Mytesim Këlliçi, kryemyftiu i Tiranës, që gëzonte respekt midis tiranasve, me porosi të kryeministrit Sulejman Delvina, shkoi në kodrat jugore të Tiranës, aty ku sot shtrihet Liqeni Artificial, dhe u takua me kaçakët e Osman Balit që vërtiteshin si bisha dhe pritnin një urdhër të Esatit që t’i suleshin Tiranës.
‘Kjo qeveri mezi mbahet e ka për të rënë vetvetiu – i shpjegoi Mytesim Këlliçi Osman Balit dhe larove të tij. – Kështu mos bëni vëllavrasje’. Dhe ata, si besimtarë fanatikë, e dëgjuan fjalën e kryemyftiut. Dhe siç e pamë, më 4 qershor, ia behu në Tiranë Bajram Curri me trimat e tij, që shpartalluan forcat esadiste dhe dogjën kullat e Toptanasve. Veç këtyre fakteve, duhet theksuar se atentati i Avniut kundër Esat pashës ishte i bashkërenditur me ultimatumin që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare më 3 qershor i dërgoi gjeneral Piacentinit, në të cilin thuhej se “Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915″ dhe caktohej mbrëmja e 4 qershorit si afati maksimal që i jepej komandës italiane për të plotësuar kërkesat e tij” (Jusuf Alibali, “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, faqe 216, “Studime historike”, nr.4 1964). Pra, sipas këtij ultimatumi, ushtritë italiane duhej të largoheshin nga krahinat e Vlorës, Tepelenës dhe Himarës. Dhe ja, si pasojë e këtyre veprimeve, më 13 qershor të vitit 1920 Avni Rustemi kreu atentatin e tij të bujshëm, me të cilin rrëzoi të vdekur përdhe Esat pashën. Të mbetura pa kokë, bandat esatiste që përbënin rrezik të madh për pavarësinë e Shqipërinë, u asgjësuan plotësisht. Nga sa shihet, në të gjitha këto veprime, duke përfshirë edhe atentatin e Avni Rustemit, duhet të ketë pasur dorë qeveria e Tiranës. Këtë e dëshmon edhe Mustafa Kruja, që në letrën e mësipërme nënvizon: “Avniu donte me shkue në Paris e kishte damë me vet veti. Por ishte i papasun e s’kishtepare a shpenzime rruge, as për banim etj., deri sa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye. Shpresonte se nji shoqmund t’i ndihmonte. Por as as ky s’paska pasun, a për arsye tjetër, s’e di , edhe paska vojt e ia ka kallzue punën mikuttë vet politik në në kohë, ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut. Ky pa tjetër epka aty për Avniun 4000, s’di a lira italiane, a franga France”.
Në këto radhë ka hamendësime, sidomos kur shkruhet se Avniu ka shpresuar që “…nji shoq mund t’i ndihmonte”.
Por duket pak e habitshme që ai t’i shfaqte hapur qëllimin e vet Ahmet Zogut, me të cilin vështirë të ketë pasur miqësi, sepse vështirë që ata të kenë pasur takime midis tyre më 1920-ën. Aq më tepër që Avniu nuk ka pohuar të ketë pasur me të njohje nga afër. Por, të mos harrojmë se Zogu ishte ministër i Brendshëm i një qeverie atdhetare, që përpiqej të ruante dhe forconte pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e Shqipërisë. Kështu, ai ishte i interesuar që Esat pashë Toptani, armiku i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e kishte dajë, të eliminohej në Paris, ku ndodhej që më 1918 dhe në krye të një delegacioni ku bënte pjesë edhe një farë Pal Terka, kinse ministër i Jashtëm, kërkonte që Fuqitë e Mëdha, fituese të Luftës së Parë Botërore, që atëherë quhej Lufta e Madhe, me të cilat kishte qenë “aleat simbolik”, ta njihnin për kryetar të shtetit shqiptar. Dhe me arsyen se ai me rreth 200 ushtarë, shumë syresh edhe të hurit dhe të litarit, siç shkruan gazetari francez Gaston Rishar në një artikull, të botuar më 14 qershor 1920 në gazetën “Lë Pëti Parizien”, pra një ditë pas atentatit, pra me këtë tabor, krahas forcave franceze, Esat pasha kishte marrë pjesë në disa luftime në Frontin e Lindjes. (Në këtë artikull Rishari thekson se ai i kishte bërë Esat pashës një vizitë në vilën e tij, në Selanik, qytet në të cilin ndodhej edhe shtabi i Armatës së Lindjes, dhe kishte kuptuar se nga qytetërimi ky pasha, që ngjante gjysmë turk dhe gjysmë persian, njihte vetëm rumin, pushkën automatike dhe kumarin, me të cilin u zhvaste ushtarakëve të lartë francezë shuma të mëdha parash, dhe kishte dëgjuar prej tij, se priste sa më shpejt ditën që Franca ta bënte të parë në Shqipëri). Si pasojë, pra, nuk përjashtohet edhe kjo mundësi, që Zogu t’i ketë dhënë Avniut shumën e parave që i duhej për të kryer këtë akt shumë të guximshëm. Që ai ishte mbështetës i vrasjes së Esat pashës, këtë e dëshmon edhe Eqrem Vlora, i cili që në kujtimet e tij, kur thekson se i interesuar për eliminimin e pashait të Toptanasve në radhë të parë ishte edhe Ahmet Zogolli” (“Kujtime”, faqe 166).
KUSH E CAKTOI RUSTEMIN
Edhe sot e kësaj dite me të drejtë shtrohet pyetja: “Kush e caktoi Avni Rustemin të merrte përsipër vrasjen e Esat pashës?” Logjikisht Rustemi u zgjodh, sepse së pari zotëronte shumë mirë frëngjishten, që e kishte mësuar në kolegjin francez të Lozanës (1912-13), në kolegjin italo-arbëresh në Shën Mitër Koronë në Kalabri, të cilin e mbaroi më 1919-ën, dhe me sa duket edhe në Universitetin e Romës, ku studioi një vit dhe e ndërpreu në mesin e vitit 1920, për t’u kthyer në atdhe. Vazhdojmë tani me rrugëtimin e Rustemit për të kryer atentatin. Duhet vënë në dukje se kur arriti në Paris, pasi kishte lënë pas Tiranën, Durrësin dhe Romën, Avniu kishte me vete rreth 9 mijë franga franceze, shumë tepër e madhe për një student (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi “Avni Rustemi”, dosje nr.2, procesverbal hetimor pas atentatit, mbajtur në zyrat e hetuesisë së burgut Santé në Paris, të cilit do t’i referohemi herë pas here).
“Çështjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim, – shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij studimor “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze (“Studime historike”, nr. 2 1964, faqe 215) – të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu: “Me rastin e nisjes për studime dhe duke marrë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa t’i jepej për gjashtë muaj menjëherë… Pjesën tjetër të të hollave, dëshmon Avniu – e kam marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920″. Pastaj ai dëshmon edhe se ka vajtur në Napoli për të takuar atë dhe ka kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris”. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij “një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrinin supet.”(po aty). Sajim i mençur i Avniut, që ishte përgatitur për çdo pyetje të hetuesve, që me sa duket dyshonin se ai ishte vrasës me pagesë. Përse Avniu kishte me vete një shumë kaq e madhe, po të marrim parasysh se për të blerë një kostum në rrobaqepësinë “Ribulet Puasonie”, meqë ai që mbante, ishte i vjetër, Avniu ka përdorur 375 franga dhe ka parapaguar 210 franga për një muaj një dhomë në “Hotel de Tuileri”, nga ku mund të vëzhgonte lëvizjet e Esat pashës, që bujtte në hotelin “Kontinental”, në rrugën “Kastilione”, dhe jo në hotel “Ritz”, siç dëshmon gabimisht Mustafa Kruja në letrën e tij. Kjo shumë e madhe iu dha Avniut, sepse çasti kur do të kryente atentatin nuk varej prej tij, por nga rrethanat që do të krijoheshin, të cilat, për fat të mirë, falë edhe zgjuarsisë dhe trimërisë së tij, u krijuan në jo më shumë se dy javë nga çasti i arritjes së tij në Paris.
Por, të kthehemi përsëri te letra e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt. “Me këto pare,- shkruan ai,- niset Avniu prej Tirane në Romë, ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistëve e mandej shkon në Paris…” Por Esat Dishnica, siç e përmenda më sipër, pohon të kundërtën. Reshat Këlliçi thotë: “Atë mbrëmje dhjetori të vitit 1920, kur Avniu kishte ardhur nga Vlora, ku ishte pritur si hero nga vlonjatët. Me plot shokë e takova Avniun përballë Sahatit të madh të Tiranës. E përqafuam dhe e përshëndetëm edhe ne si hero. Isha njohur dhe miqësuar me të që në bankat e kolegjit italo-arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kishim kaluar katër vjet së bashku me Sejfulla Malëshovën e shokë të tjerë. Por, as përpara atentatit, as gjatë atij takimi dhe as më pas, Avniu nuk foli as edhe një llaf se si u përgatit dhe kush e ndihmoi që të kryente bëmën e tij të pashembullt”.
Në vazhdim të letrës së tij, Mustafa Kruja e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esat pashë Toptanit: “I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri s’dij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi n’atë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha), dhe vojt e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq pas e briti: ‘Ndal, tradhtar i atdheut!’ Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin a pistolën që kishte pas ble, në Romë apo në Paris. Kto janë fakte që di mbi vrasjen e Esat pashë Toptanit”.
Dhe kjo dëshmi e tij përkon thuajse plotësisht me të vërtetën historike të këtij atentati, që Avniu e dëshmon në hetuesi, pavarësisht se emri i sekretarit të Esat pashës nuk ishte Stavri, por Gjergj Goga, nga Durrësi. Vëmë në dukje me këtë rast se pas vdekjes, kufoma e Esat pashës mbeti për 14 muaj në morgun e Bashkisë së Parisit në pritje që të varrosej. Megjithatë, u gjend qeveria serbe që të kujdesohej që ky farë pashai të prehej “i qetë” në varrezat e ushtarëve serbë, në Paris, të cilët kishin rënë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe kjo, sepse, ai ishte nga miqtë më të mirë të serbëve, me të cilët kishte nënshkruar shumë marrëveshje, ku u kishte premtuar krahina të veriut të Shqipërisë.
RRËFIMI I AVNI RUSTEMIT
Cituam në pjesën e parë të këtij punimi një letër të Mustafa Krujës, që lidhet me atentatin e Avni Rustemit. Duhet të vëmë në dukje se Mustafa Kruja ka qenë më 1919 sekretar i delegacionit shqiptar të Qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Versajë, (FESH 2, 2008, faqe 1362), që pas janarit të vitit 1920 u zëvendësua, me qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Nga sa kuptohet, të dy janë njohur më 1921, kur u zgjodhën deputetë të Kosovës, (kështu quhej krahina e Hasit), në zgjedhjet e para parlamentare. Më pas kjo miqësi duhet të jetë bërë në e ngushtë, kur Mustafa Kruja ishte tashmë anëtar i Federatës “Atdheu” që drejtohej nga Avniu. Dhe, ndonëse kaq të njohur, duket qartë se as atij, ashtu si tërë shokëve të tij, Avni Rustemi nuk i është shprehur rreth atentatit, për të cilin gjatë procesit hetimor dëshmon kështu: “Kalova një dy herë para portës së hotelit në rrugën ‘Kastilione’, kur pashë se po dilte Esat pasha, që e njihja mirë pasi e kisha takuar shpesh në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës. Esat Pasha ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, tërë historia e Shqipërisë m’u ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë mbi Esat pashën që ishte dy hapa larg meje. Esat Pasha ra me një herë dhe unë hodha armën time për tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar”. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi “Avni Rustemi”, dosja 2, faqe 73).
Sekretari për të cilin shkruan Mustafa Kruja në letrën tij, nuk quhej Stavri, por Gjergj Goga dhe ishte nga Durrësi, ku kishte punuar si drejtori PTT-së më 1919. Avniu merr informata për të nga Mithat Frashëri, pjesëtar i delegacionit shqiptar që tashmë përfaqësonte qeverinë e Tiranës në Konferencën e Versajës. Aty Mithat Frashëri e porosit Avniun “…të shkojë në një ekspozitë shqiptare në Paris, ku mund të takojë ndonjë shqiptar, i cili mund ta ndihmonte të gjente adresa shkollash, ku ai të perfeksiononte dijet e tij”. (“Avni Rustemi para organeve hetimore dhe gjyqësore franceze”, Jusuf Alibali, “Studime historike” nr.2, 1964, faqe 216).
“Kështu Avni Rustemi gjeti rast të shkojë në këtë ekspozitë, të njihej me Gjergj Gogën, të mësonte prej tij se ishte sekretar i Esat pashës dhe se banonte së bashku me të në hotelin ‘Kontiental’, në rrugën ‘Kastilione” (po aty). Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse vitet e fundit, përveç romanit tim “Atentat në Paris”, mbi motivet e tij Pëllumb Kulla ka shkruar dhe vënë në skenë dramën modeste “Dy krisma në Paris”. Por, ka rëndësi të veçantë ky fakt: Avni Rustemi, si gjatë procesit hetimor, ashtu edhe gjyqësor, i përmbahet tezës së vrasjes së Esat Toptanit pa paramendim, vrasje e kryer nga ai vetë, pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga Qeveria e Tiranës, e cila, nga sa pamë, ishte e interesuar që të eliminohej fizikisht ky tradhtar, tepër të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë në atë periudhë.
Jo më kot një ditë pas atentatit, pra, më 14 qershor, kur jo vetëm shtypi francez, por edhe ai botëror shkruante për këtë atentat, duke e cilësuar gabimisht Esat pashën kryeministër të Shqipërisë, në gazetën “Humanite”, botohej ky njoftim: “Zyra e shtypit shqiptar, është e autorizuar të deklarojë se Esat Toptani nuk kishte ndonjë funksion zyrtar, për më tepër, kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, siç e kanë quajtur gazetat franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, i cili prej kohësh ndodhet në Paris”. Por, të kthehemi përsëri te procesi gjyqësor kundër Avni Rustemit që u zhvillua në Paris në fund të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920.
EQREM BEJ VLORA
Në librin e tij “Kujtime” Eqrem bej Vlora shpreh habinë se si “…Drejtësia franceze me një manipulim të habitshëm të ligjit e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe se qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”(faqe 215).
Është për të ardhur keq se si Eqrem Vlora, të bëjë një gabim të tillë, kur nënvizon fjalën “manipulim të ligjit nga drejtësia franceze”. Për sqarim, prokurori Blosh Larok në pretencën e tij kërkoi që Avniu të dënohej me vdekje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, sepse kishte krye një veprim tërësisht të vullnetshëm, pra me paramendim. Por ishte mbrojtja që Rustemi i bëri vetes me guxim dhe gjakftohtësi, pastaj edhe mbrojtja e avokatit dë Monzi, dhjetëra e dhjetëra letra dhe telegrame që ishin drejtuar Ministrisë se Drejtësisë së Francës dhe gazetave franceze nga tërë anët e Shqipërisë, madje dhe nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, ku kërkohej lirimi i Avni Rustemit, të cilat ndikuan te juria, siç dihet e përbërë nga njerëz të profesioneve të ndryshe midis të cilëve dhe të thjeshtë, që kështu Avniu të dilte i pafajshëm dhe të lirohej që në sallën e gjyqit. Po citoj vetëm njërin prej këtyre telegrameve: “Populli i Vlorës në një miting madhështor të mbajtur sot, vendosi t’i bëjë thirrje ndërgjegjes të së lartë të Gjykatë së Parisit. Ai pret që të merret parasysh dëshira e flaktë e popullit shqiptar, që të lërë të lirë studentin tonë, Avni Rustemi, i cili bëri një vepër patriotike duke qëlluar Esat Toptanin dhe duke çliruar atdheun tonë nga një e keqe shkatërrimtare. (“Dokumente dhe materiale historike”, Tiranë, 1959). Por, edhe më dërmuese ndaj pohimeve shumë të gabuara të Eqrem bej Vlorës është një dorëshkrim që ruhet në Arkivin Qendror Historik të Shqipërisë, ku nënvizohet: ”Verdikti i pafajësisë që u dha është dëshmi e drejtësisë që i bëhet çështjes shqiptare, të njohur keq deri tani, si dhe një përgjigje e mirë e thirrjes së një populli që lufton me dëshpërim për lirinë dhe pavarësinë e vet”. (AQSH, fondi “Avni Rustemi”, dosja 19, faqe 2-4.) Lind me të drejtë pyetja: “Po si nuk u dërgua nga mbështetësit e Esat pashës”, të paktën në Tiranë, qoftë një telegram, a dy gisht letër, ku të kërkohej dënimi me vdekje i Avniut, që kishte vrarë këtë “atdhetar” të madh shqiptar, si nuk u ngrit nga populli shqiptar qoftë dhe një këngë për të. Ndryshe ndodhi me Avni Rustemin, të cilit kudo, anembanë Shqipërisë u ngritën këngë si kjo: “O Avni Rustem Marina, shkove burra, shkove trima/ Qëllove si vetëtima/ Si vetëtima qëllove, Esat pashën ç’e rrëzove!/ Shqipërinë ç’e shpëtove!”.
PARATË PËR NË PARIS
Nga sa kujtonin Sejfulla Malëshova dhe Reshat Këlliçi, e kishin pyetur edhe ata Avniun kur ishin takuar me të në Tiranë. “Në një nga bisedat tona, – më thoshte xhaxhai, kur po përfundonte librin e tij ‘Me djemtë e ‘Bashkimit”, botuar më 1964, së bashku më Sejfullain e kemi takuar shpesh Avniun. Jemi njohur me të në bankat e Kolegjit Italo-Arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kemi kaluar katër vjet së bashku më shokë të tjerë. Ai kurrë nuk ka folur me hollësi rreth këtij atentati dhe as për gjashtë muajt e kaluar në burg…”.( Kjo, veç të tjerash, dëshmon se ai kërkonte lavdi nga ky akt, nuk kërkonte bujë gazetash, se ai ruajti deri ne vdekje një vendim kaq të madh për fatet e popullit tonë, që ende nuk ishin zgjidhur plotësisht). Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse për të është shkruar gjatë. Por një fakt ka rëndësi: Avni Rustemi i përmbahet tezës së vrasjes pa paramendim, të kryer nga ai vetë pa asnjë shtytje tjetër, sepse nuk donte në asnjë mënyrë që autoritetet hetimore e pastaj gjyqësore franceze të dyshonin së mos ai ka qenë i shtyrë dhe financuar prej qeverisë së Tiranës, fakt i cili mund të jetë i vërtetë, po t’i referohemi letrës së Mustafa Krujës, ku nga sa pamë, ai shkruan se paratë për të shkuar në Paris ia ka dhënë Ahmet Zogu, pra ministri i Brendshëm i qeverisë së Tiranës. Nëse Avniu e mbrojti veten me tezën se e vrau rastësisht Esat pashën, pa paramendim, këtë natyrisht e bëri, pse jo, që edhe t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Atentatorët politikë që ka njohur historia, vërtet kanë kryer akte të tilla ndaj personave kundërshtarë, por qoftë vetëm ose me ndihmën e të tjerëve, kanë arritur të humbasin gjurmët, ose janë kapur më pas.
Avni Rustemi mund ta kryente atentatin e tij edhe me ndihmën e ndonjë ose disa mërgimtarëve që jetonin dhe punonin në Francë. Nuk ishte e pamundur që të tillë mërgimtarë të gjenin një makinë, qoftë dhe me qira, në të cilën pas atentatit Avniu të futej në të e bashkë me ta të zhdukej e të humbte gjurmët në Parisin gjigand, ku atëherë jetonin rreth 5 milionë banorë. Mirëpo ai nuk pati në ndihmë askënd, qëlloi, vrau një tradhtar dhe qëndroi, i bindur se do të kallej në burg, por edhe do të dënohej me vdekje, sado që do të mbrohej me tezën e vrasjes pa paramendim të një tradhtari shumë të rrezikshëm ndaj fateve të atdheut. Dhe kishte një arsye shumë objektive që veproi në këtë mënyrë. Sikur ta kryente atentatin në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë, kishte shumë gjasa se do të zbulohej se ai ishte ndihmuar për të kryer atë nga njerëz me ndikim në qeverinë e ligjshme në Qeverinë e Tiranës, në mos nga ajo vetë. Sidoqoftë, disa nga enigmat, për të cilat u shkrua më sipër mbeten, sidomos enigma më e madhe: Kush e mbështeti Avni Rustemin të shkonte në Paris për të vrarë Esat Pashë Toptanin dhe cili, ose cilët qenë ata që i dhanë shumën e parave që do t’i duhej për të qëndruar në Paris, deri ditën që do të kryente këtë vepër të madhe atdhetare?… Si i kaloi Avni Rustemi gjashtë muajt e burgimit, sidomos pas datës 10 shtator 1920, kur atij iu dorëzua në qeli aktakuza e vrasjes së Esat pashës prej tij me paramendim? Cilët ishin shqiptarët që morën pjesë në procesin gjyqësor kundër Avni Rustemit, në ditët fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920? A u takua Avniu me shqiptarë, pasi u lirua nga burgu? A u shoqërua me ta ato ditë? Çfarë itinerari zgjodhi ai për t’u kthyer nga Parisi në Shqipëri? Udhëtoi vetëm, apo me ndonjë shok? Ku përfundoi revolveri, që përdori Avni Rustemi për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe që shërbeu si “corpus delicti” gjatë procesit gjyqësor? Kur do të kemi në Arkivin e Shtetit dosjen e procesit gjyqësor të Avni Rustemit? A mund të bëhen sot përpjekje nga ambasada jonë në Paris që kjo armë të gjendet, të sillet në Shqipëri dhe të vendoset në një stendë të Muzeut Historik Kombëtar? Sa shumë enigma e mbështjellin atentatin e Avni Rustemit më 13 qershor të vitit 1920… (tiranaobserver)