Bajram në Pandemi-pjesë nga libri i Agim Vincës

E diel, 24 maj 2020

Sot është festa e Bajramit, që mbyll muajin e Ramazanit. Pas tridhjetë ditë agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë “Fitër Bajramin” ose “Bajramin e Madh”. Këtë vit në kushte pandemie: pa falje namazi dhe pa vizita familjare! 

Bajrami i Madh festohet tri ditë, kurse “I vogli”, që vjen dy muaj pas “Të madhit”, shtatë ditë. Kështu sipas ligjit të fesë, sepse me ligjet tona, të shteteve ku jetojnë shqiptarët (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), festa zgjat një ditë. Por, kur bie të dielën, si tani, shtyhet për të hënën.

Edhe për festën e Bajramit nuk munguan polemikat. Me apo pa namaz? Në xhami apo jashtë? Kush kështu, kush ashtu! Një profesor universiteti, nxiti disa të rinj në Prishtinë të dilnin të faleshin në shesh. Demonstrativisht. Profesori në fjalë, i njohur me nofkën “Az”, po del “më katolik se papa”! 

Shqipëritë tona janë vend ku lulëzojnë paradokset, ndërsa kujtimet rrjedhin si krojet! 

Ato bëjnë që të flasë fëmija që ekziston ende brenda nesh, siç do të thoshte Paulo Koelo. 

Ditën e Bajramit visheshim me tesha të reja: pantallona e këmishë (në verë), kurse në dimër nuk mbaj mend, sepse më duket se Bajrami vinte gjithnjë në verë. 

Në një ditë si kjo kam mësuar ta ngas biçikletën. 

Një djalë nga fshati, që kishte kryer zanatin e biçiklistit në qytet dhe që e kishte emrin Bajram (Berom), djali i Hasan (Ason) Muçës, në ditë festash jepte biçikleta me qira. Me paret që m’i dha krushku R. për Bajram (për të thoshin se kishte shumë para, të cilat i fitonte në bixhoz), hyra edhe unë në lojë: i harxhova për “toçak”. Gjysmë ore, pesë dinarë. Një orë, dhjetë dinarë. Kishte rrezik ta zija hendekun dhe të paguaja, pos qirasë, edhe dëmin, por, falë instruksioneve të tim vëllai, që më thoshte me zë të lartë: “Silli pedalet, shih drejt, mbaje kryet lart, mos ki frikë!”, e dhashë “provimin”. Pas shumë përpjekjesh, lëkundjesh e animesh majtas-djathtas, arrita, më në fund, ta mbaja drejtpeshimin dhe të bëja një copë udhë në xhade mbi ato dy rrota magjike. M’u duk vetja me krah! Isha i lumtur e krenar. (Kështu të lumtur e krenar do ta ndiej veten shumë vjet më vonë, kur do ta jap dhe marr puthjen e parë, veçse kjo ndodhi jo për Bajram, por në një festë tjetër dhe jo në rrugë, por në sallën e kinemasë).

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, në prag të festës, iu drejtua besimtarëve myslimanë me fjalët: “Nuk kemi mundësi ta falim namazin e Bajramit në xhami. Ju porosis t’i shmangni vizitat familjare, sepse rreziku ende nuk ka kaluar… Kujdesin për shëndetin e kemi urdhër nga Zoti”. Amin!  

Festa e Bajramit është simbol i paqes, solidaritetit, bamirësisë! Edhe i faljes dhe dashurisë.

Zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës urojnë BIK-un dhe besimtarët për festën. Edhe Ipeshkvi i Kishës Katolike Shqiptare, Dodë Gjergji, i uron kryemyftiut Tërnava festën e Fitër Bajramit. “Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, ka pasë thënë Atë Gjergj Fishta.

Festa e Bajramit sivjet erdhi me këmbë të mbarë. 

Sot në Kosovë, për herë të parë që nga 13 marsi, kur u konfirmuan dy rastet e para, nuk u shënua asnjë rast i ri me koronavirus. Zero raste me Covid-19! 

Korona po shkon. Shkoftë e mos ardhtë! 

Vera po vjen, ardhtë e bardhë! 

RAMAZANI, BABAI DHE KHAJAMI

E premte, 24 prill 2020

Sot është dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Besimtarët myslimanë kurrë s’e kanë pasur më të lehtë agjërimin. Rrinë në shtëpi, nuk punojnë, mund të flenë sa të duan, ushqime po ka, natyrisht për ata që kanë para, kështu që mund të bëjnë “sefa”. Nuk mund të shkojnë vetëm në taravi, por Zotit mund t’i lutesh jo vetëm në xhami, por edhe në shtëpi. Mjafton t’i besosh atij sinqerisht e jo nga frika a për demagogji. 

Kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, me një shqipe perfekte, ua uron të gjithë besimtarëve myslimanë muajin e shenjtë të Ramazanit, u uron agjërim të lehtë dhe kërkon që t’i respektojnë të gjitha masat për parandalimin e koronavirusit.  

Në moshë të shtyrë, babai im i agjëronte “tre muajt”, që do të thotë se i dilte para ramazanit. Shkonte në xhami rregullisht, lexonte Kuranin. E lexonte në origjinal arabisht dhe e dinte përmendsh. E kishte në shtëpi. Kur vinte në Prishtinë e huazonte në xhami dhe e mbante deri ditën e fundit para se të kthehej në vendlindje. Sa herë fillonte leximin e puthte tri herë radhazi, njësoj edhe kur e mbaronte, pastaj e vinte lart mbi vitrinë, që të mos e preknin fëmijët. Në njëfarë dore, unë dhe im atë jemi aty-aty. Ai me Kuranin e tij, unë me kuranët e mi.StrugaLajm

Jam rritur në një familje myslimane, por jo fanatike. Është e kuptueshme, prandaj, që te njerëzit e brezit tim, ardhja e muajit të ramazanit të zgjojë disa kujtime dhe emocione. Prindërit e mi e agjëronin Ramazanin dhe faleshin, babai të pesë vaktet, nëna më pak. Mirëpo, fshati im, edhe pse të gjithë banorët e tij janë myslimanë (sunitë), e pi, siç thotë Kuteli: rakinë. Në shtëpinë tonë pihej rakia, kryesisht e kumbullave, të cilën im vëlla, i madhi, e bënte vetë. Ne të vegjlit kishim për detyrë t’i mblidhnim për çdo ditë kokrrat e kumbullave të pjekura që binin nga degët dhe t’i fusnim nëpër fuçi druri e metali, kurse ai, “Date Diu”, kur vinte koha, shkonte te burri i hallës, Kipi kuqalash, që kishte një kazan të madh rakie dhe i ziente. Ishte një ritual që zgjaste një natë të tërë, nga orët e para të mbrëmjes deri në orët e hershme të mëngjesit. Në mëngjes pikat e para të rakisë priteshin në filxhan: ballë kazani. 

Fshati im e pinte me opingë dikur (them “dikur”, sepse tani kanë ndryshuar punët), por gjatë tridhjetë ditëve të ramazanit edhe terjaqinjtë më të mëdhenj hiqnin dorë nga “ujët e bekuar”. 

Në rini kishte pirë edhe im atë, madje jo vetëm raki, por edhe verë, e cila, sipas fesë islame, është më haram se rakia, sepse kur  pi verë melaqet (melaiçet) dyzet ditë nuk hynë në trupin tënd!  Afati i rakisë është diç më i shkurtër! 

Pastaj kishte bërë “tybe” dhe s’e kishte shti më në gojë. Por, kur vinin miq në shtëpinë tonë dhe shtrohej sofra a sinia (varësisht nga numri i njerëzve) me meze e raki, im atë i uronte me fjalët: “Tul e dhjamë!”. Burrat e fshatit tim ishin njerëz të thatë, pa tule (të rrallë, shumë të rrallë ishin ata që kishin bark), prandaj duket se ideal i tyre ishin “tuli dhe dhjami”, ashtu siç ishte sheqeri ushqim më me vlerë se mishi e djathi, ngaqë i pari (sheqeri) prodhohej në fabrikë, kurse mishin dhe djathin (bulmetin) i prodhonin vetë. 

Jam rritur me Khajamin dhe rubairat e tij, të cilat në shtëpinë tonë lexoheshin shpesh dhe mësoheshin përmendsh, nga e para, që e hap librin, ajo me vargjet: “Zbras Kupa e puth Çupa” (sipas Nolit), deri tek ajo ku shairi i madh Khajam i drejtohet profetit Muhamed dhe e pyet se përse verën e ndalon, kurse dhallën jo. 

“Të Madhit Moamet i çon selam

 Dhe e pyet Imami Omar Khajam:

‘O Pejgamer, më thuaj, mor aman,

Pse dhallën bën hallall, Verën haram?’

Dhe profeti, nga ana e tij, përgjigjet (i jep xhevap):StrugaLajm

Përgjigjet Moameti me selam:

“S’më more vesh Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t’Urtët nuk e bëj haram!”.

Në introduktën me të cilën e shoqëron shqipërimin e kësaj kryevepre të letërsisë botërore, Noli thotë se Rubairat janë “aqë moderne nga mejtimet dhe ndjenjat sa na duket se auktori i tyre ka rrojtur në kohët tona dhe në zemër të Evropës” e jo në shekujt XI-XII në një kasaba të Persisë.  

Nuk ka ramazan pa lodra e pizga, që bien dy herë në ditë: në kohën e iftarit dhe natën, kur vjen koha e syfyrit. Këtë punë në fshatin tim e bënin “xhiptë”, që fshatarët për të mos i fyer i quanin “ustallarë”. Kur hipte hoxha në minare, ustai shtrëngonte rripin e daulles në sup, çomangën në njërën dorë (të djathtën), kurse thuprën në tjetrën (të majtën) dhe priste sinjalin e imamit nga minarja për t’ia krisur fort: ”Bam-bam, bam-bam, bam-bam!”. Atëherë ne fëmijët, fillonim këngën tonë në kor: “Ra! Ra! Ra!” derisa të mbushur frymë nga vrapi e bërtima sosnim secili në shtëpinë e vet, ku na prisnin prindërit, vëllezërit e motrat, ata që i kishin gjallë edhe gjyshet dhe gjyshat, me sofrën shtruar, me gotat e ujit mbushur plot, me kutinë e llokumit a të hurmave (kur kishim), me sallatën majoshe me presh e qepë dhe me ushqimet e tjera të shijshme. 

Kur ishim në shkollë fillore në fshat, në klasat e larta, disa nga mësuesit, të shtyrë nga drejtori, që ishte një komunist fanatik, në mos edhe diç më shumë, spiun, i detyronin nxënësit, sidomos vajzat, të pinin ujë në orë të mësimit, që t’ua prishnin ramazanin, kuptohet atyre që agjëronin. Thuhej se nëpër zyra disa eprorë i detyronin nëpunësit, vartësit e vet, të pinin raki gjatë muajit të ramazanit. Kjo ishte, sigurisht, një dhunë e llojit të vet, që e bënte regjimi komunist jugosllav, jo pse ua donte të mirën shqiptarëve, por pse donte t’i fyente dhe t’i thyente ata në çdo pikëpamje. Pikësëpari në planin kombëtar, por edhe në atë moral e shpirtëror. 

Unë nuk mbaj ramazan dhe nuk shkoj në xhami as për Bajram (te varret e prindërve shkoj rregullisht kur qëlloj në vendlindje), por miqve të mi që agjërojnë ua uroj ramazanin dhe festën e Bajramit, të Madhit dhe Të voglit.

Besoj se ndërgjegjja dhe karakteri – e jo namazi e agjërimi – e përcaktojnë vlerën e njeriut. Më mirë ateist e njeri, sesa besimtar e batakçi. E tha vetë kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Françesku: “Më mirë ateist sesa katolik hipokrit!”. 

Ç’të them tjetër? E drejta e besimit hyn në radhën e të drejtave themelore të njeriut; është e drejtë e patjetërsueshme. Andaj, për fund, agjërim të lehtë dhe – Zoti jua bëftë kabull!

SKANDAL NË STRUGË

(Procesioni në “qytetin e poezisë”)

E enjte, 7 maj 2020

Ditë gati e zakonshme. Pa diçka të veçantë për t’u shënuar. 

Lajm i mirë është që numri i të sëmurëve nga korona po bie: dje në Kosovë janë regjistruar 28 persona si të shëruar e vetëm një i diagnostikuar si pozitiv me Covid-19.

Kryeministri në detyrë dhuron gjak, por këtë gjest të tij media e pasqyron fare pak. 

Po të kishte dhënë gjak Hashimi e jo Albini, se Isa është hall-lig, do të ishte marrë vesh edhe në Amerikë!

Debatet në TV gati se s’po i ndjek më ose i shoh vetëm pjesërisht. Buçet “dueti” Memli-Driton, por jo në të njëjtin televizion! 

Është ime shoqe ajo që e furnizon rregullisht shtëpinë me artikuj ushqimorë e gjithçka tjetër, por sot edhe unë bëra një “sakrificë”: bleva dhé për lulet në ballkon.

Në orët e vona të mbrëmjes mësoj lajmin për një manifestim masiv fetar në Strugë. Qindra qytetarë, të prirë nga klerikë ortodoksë, popa e kallugjerë, defilojnë nëpër qytet pa asnjë distancë dhe pa kurrfarë mjetesh mbrojtëse, edhe pse ende janë në fuqi masat e jashtëzakonshme, që ndalojnë çfarëdo tubimi të qytetarëve.

Policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë marshit, por nuk ka ndërhyrë fare!

Ky manifestim është jo vetëm shkelje flagrante e vendimeve qeveritare, por edhe provokim i rëndë për shqiptarët. (Le të plasin nga inati!).

Nuk është e rastit që kjo ceremoni zhvillohet pikërisht në Strugë e jo, ta zëmë, në Ohër a diku tjetër.

Asnjë fjalë për procesionin në “qytetin e poezisë” nga njeriu i parë i policisë, ministri Çulev dhe as nga ana e Qeverisë!

Reagon Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës, por edhe LSDM-ja e Zaevit. Hesht BDI-ja e Ali Ahmetit, që e ka pushtetin lokal në Strugë. 

*

[Unë dhe ime shoqe i kemi ndarë detyrat: ajo furnizimin dhe ushqimin, unë leximin dhe shkrimin! Ajo kujdeset për “strukturën”, unë për “superstrukturën”. Qortimet nga Tirana s’kanë të ndalur: “Babë, pun’t e shpi’së nuk kanë gjini!”- pisket në telefon ime bijë.

Por sot unë bëra një “sakrificë”: bleva dhé për lulet në ballkon].

In : Aktuale

Loading...
loading...