BEFASIMI I BORËS

Shqetësimet tona të përvitshme


Shkruan: Delvina Kërluku
Është e vërtetë se bora sjell gëzim për fëmijët (e ne të rriturit të gjithë këtë ndjenjë e kemi përjetuar). Është e vërtetë si borës i gëzohen bujqit, meqë ua mbron të mbjellat (grurin, thekrën, elbin, tërshërën etj.) nga acari. Është e vërtetë se borës i gëzohen skiatorët (amatorë e profesionistë). Është e vërtetë se borës i gëzohen gjahtarët e pasionuar. Është e vërtetë se borës i gëzohemi të gjithë ne se e pastron ajrin e ndotur, sidomos nëpër vendet urbane e zonave industriale. Është e vërtetë se borës i gëzohen prodhuesit e energjisë elektrike, meqë i mbush liqenet akumulues… Është e vërtetë se bora na gëzon me surprizimin e saj, kur ajo bie pak më herët se ç’e presim ne. Por ka një palë njerëzish, ka një palë udhëheqësish, ka një palë stafi, ka një palë palo përgjegjësish, të cilët rënia e borës jo vetëm se nuk i gëzon, por i shqetëson. Ua prish rehatinë, ua prish gjumin, ua prish llogaritë. Dhe jo vetëm që nuk i gëzon, por i shqetëson, ua prish nervat, i nxjerr nga lëkura e tyre, sidomos nëse ajo bie kur do ajo, e jo kur duan këta. E këta nuk duan të bjerë asnjëherë. Këta janë përgjegjësit për mirëmbajtjen e rrugëve, përgjegjësit për pastrimin e borës, përgjegjësit që paguhen për sigurimin e trafikut e rënduar nga bora. Kjo drejtori, kjo ndërmarrje, ky autoritet shtetëror (punë e madhe se si quhet), i cili dymbëdhjetë muaj jeton në rehati e komoditet të lakmueshëm, arritjen e borës e pret me shpatë, e pret i vrenjtur, i nervozuar, i shqetësuar dhe gjithmonë me të njëjtin refren bajat deri në neveri: Na befasoi kjo borë! Këta i befason edhe kur ajo bie në kohën e saj më të dëshiruar. Këta argatë qeverie, apo zhvatës të buxhetit të popullit, që paguhen për mënjanimin e borës nga rrugët ku kalojnë qytetarët, u befasuan edhe kësaj radhe, kur bora ra fare në fund të dhjetorit. Bashkë me këta të rrugëve, kësaj radhe u befasuan edhe shpërndarësit e energjisë elektrike. U bllokuan dhe u barrikaduan, pa dëshirën e tyre, me dhjetëra e qindra mijëra qytetarë në mbarë Republikës, por sidomos ata të pjesës perëndimore të vendit. Gjendja e shtetrrethimit nuk zgjati me ditë, por me javë. Më shumë se skandal. Përveç borës, sipas autoritetit rrugor, fajtorë janë banorët që jetojnë përtej vendkalimeve të papërshtatshme, siç janë: Strazha, Gryka e Radikës, Gjavata, Preseka etj, etj.:përse këta qytetarë, nuk ndërtojnë (me vetë kontribute) autostrada, me parametra evropiane, por shkojnë e ecin rrugëve gjysmë dhiare, dhe pastaj këto rrugë që mirëmbahen lehtë, le t’i pastrojnë, po ashtu me mjetet e veta!
Këta njerëz kurrë nuk e pyetën veten: përse e thithin buxhetin për dymbëdhjetë muaj radhazi? E zëri ynë dhe i qytetarëve të rëndomtë, nuk depërton deri te veshi i tyre.
Ndërmarrja për mirëmbajtjen e rrugëve nuk mund të bëjë dy punë përnjëherë: edhe të thithë buxhetin e popullit edhe t’i pastrojë rrugët e popullit.
Në fund të shtojmë edhe këtë: kësaj radhe nuk qenë bllokuar vetëm rrugët ndërurbane, por edhe ato brenda qyteteve.
21.01.2019
Delvina KërlukuStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...